Berisha: Dua tė garantoj shqiptarėt se brenda vitit tė parė tė kėtij mandati, vendimi pėr heqjen e vizave pėr Shqipėrinė do tė merret

Berisha: Dua tė garantoj shqiptarėt se brenda vitit tė parė tė kėtij mandati, vendimi pėr heqjen e vizave pėr Shqipėrinė do tė merret

  Çështja kryesore në axhendën e qeverisë dhe të parlamentit është plotësimi i kërkesave të udhërrëfyesit për heqjen e vizave

Çështja kryesore në axhendën e qeverisë dhe të parlamentit është plotësimi i kërkesave të udhërrëfyesit për heqjen e vizave. Unë po vij këtu nga mbledhja e Komitetit Ndërministror për liberalizimin e vizave dhe mund t’ju informoj me kënaqësi se, në tërësi, ky proces po trajtohet me përgjegjësinë më të madhe. Kjo është e kuptueshme. Në rrafshin kombëtar, nuk ka asgjë tjetër që prek direkt për mirë, më shumë qytetarët shqiptarë, sesa heqja e vizave. Progresi është i madh. Është përfunduar tërësisht sistemi i kontrollit të integruar të kufijve, por edhe sistemi i të dhënave për krimin e kriminalitetin në të gjitha qarqet e vendit dhe janë tashmë të lidhur me qendrën. Janë plotësuar dhe janë në plotësim e sipër një seri kushtesh që kanë të bëjnë me plotësimin e kërkesave të udhërrëfyesit.

Janë një seri vendimesh dhe ligjesh që do të miratohen gjatë 2-3 javëve që vijnë, për t’i dhënë përgjigjet më përfundimtare këtij procesi. Ligji për Moratoriumin e skafeve, që ndodhet në parlament, pret firmën tuaj, votën tuaj, për të dërguar mesazhin më të shkëlqyer të vendosmërisë së autoriteteve shqiptare për luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.

Ligji për konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar, hyn tani në fuqi. Ndërkohë, do të ngrihet një komitet i veçantë për të mbikëqyrur zbatimin e këtij ligji, zbatim i cili është jetik e vendimtar për çmontimin e mafies, konsolidimin e paqes, sigurisë e stabilitetit në vend.

Përpjekje të mëdha po bëhen për të çmontuar, me forcën e ligjit, pasuritë e mëdha të përvetësuar nga pushtetarët e të gjitha niveleve, gjatë këtyre 18 viteve, të cilët kanë bërë batërdinë mbi pronat publike të këtij vendi. Unë ju kam deklaruar se Mali i Dajtit është më i vogël sesa falsifikimet e përbindshme që kanë bërë në zonat më turistike, më të çmuara, më të kushtueshme të vendit.

Një qytetar nga Vlora më dërgoi një mesazh. Agjencia përkatëse mori kontakt me të dhe ai dorëzoi dokumente që faktojnë katërçipërisht mënyrën e grabitjes dhe plaçkitjes së rreth 500 mijë metra katror sipërfaqe, në pjesën më të bukur të bregut të këtij vendi.

Dua t’i shpreh mirënjohjen këtij qytetari dhe ta garantoj atë se qeveria do të vendosë për shpërblimin e tij. Ftoj të gjithë qytetarët që disponojnë të dhëna, t’i dorëzojnë ato, në interesin më të mirë të vendit. I garantoj se, në përputhje me ligjin, ata do të shpërblehen. Ju do thoni se përse unë ftoj qytetarët të dorëzojnë dëshmi me dokumente. Sepse ata që kanë grabitur e plaçkitur, kanë përdorur edhe pushtetin e tyre për të zhdukur, për të mykur, për të pluhurosur sa më shumë dokumentet.

Beteja është e vështirë, presionet janë të mëdha dhe të jashtëzakonshme, vullneti është i hekurt. Asgjë nuk mund të pengojë këtë mazhorancë të nxjerrë në dritën e diellit të gjitha të vërtetat e makutërisë së pafundme të ushtruar, të abuzimit të jashtëzakonshëm që është bërë. Numri i pronarëve të regjistruar në mënyrë të paligjshme, ka rrezik  tejkalon qartë atë të pronarëve të vërtetë. Nuk mund ta them me saktësi. Ndaj dhe ky ligj që hyn në fuqi këto 2 ditë, ligje të tjera që do të miratohen dhe vendime, do t’u mundësojnë agjencive të zbatimit të ligjit përgjigjen më të përshtatshme ligjore ndaj të gjithë atyre që, edhe në vitin 1952, sillnin të ndjerin Xhani Anjeli në Shqipëri, me dokumente të falsifikuara vetëm e vetëm për të vjedhur prona.

Të nderuar deputetë,

Përveç moratoriumit të skafeve, janë edhe ligje të tjera të cilat kanë peshën e tyre specifike në kuadrin e procesit të heqjes së vizave. Unë ju ftoj që t’i përparësojmë ato në axhendën tonë. Sikundër, edhe në mbledhjen që sapo zhvilluam, u kam kërkuar ministrive të përparësojnë të gjitha vendimet apo ligjet e domosdoshme për këtë proces.  

Edhe njëherë, dua të garantoj shqiptarët se brenda vitit të parë të këtij mandati, vendimi për heqjen e vizave për Shqipërinë do të merret dhe se kjo qeveri dhe kjo mazhorancë do të bëjnë çdo përpjekje për ta bërë të mundur këtë vendim.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek