“Qasja e KE është qasje e drejtë, në drejtimin e duhur. Konstatohet kriza në Shqipëri, rreziku i destabilizimit të vendit. Për herë të parë ndërkombëtarët kërkojnë hetim të zgjedhjeve, kërkohet dialog duke adresuar palët në tryezën e Presidentit” theksoi Rama.
Ndërsa nënvizoi se opozita ka shprehur vullnetin për tu ulur në tryezën e presidentit, Rama tha se nga ana e mazhorancës ka vetëm fjalë por jo vullnet për të bërë të njëjtën gjë.
Duke shprehur bindjen se kriza politike në vend qëndron në kutitë e votimit, Rama theksoi se opozita nuk kërkon rinumërim të votave për të ndryshuar rezultatin por për të nxjerrë në dritë të gjitha faktet që qëndrojnë, sipas tij, në errësirën e kutive dhe për të garantuar fundin e korrupsionit elektoral në Shqipëri.
“Ne nuk kërkojmë rinumërim të votave për të ndryshuar rezultatin, i cili është pjesë e një procesi ligjor të konkluduar në mënyrë të turpshme nga Kolegji Zgjedhor. Ne kërkojmë minimumi transparencën e asaj që gjendet në kutitë e votimit, duke synuar dy gjëra; nga njëra anë nxjerrjen në dritë të të gjitha fakteve që sot qëndrojnë në errësirën e kutive të mbyllura, duke çuar para drejtësisë gjithkënd komisioner të thjeshtë apo nënpunës që subjektivisht ka ndërhyrë në proces dhe në rezultat. Në rats se hetimi do t’i nxirrte këto fakte, atëherë do të mund t’i jepnim fund një herë e përgjithmonë korrupsionit elektoral dhe historisë së zgjedhjeve të kontestuara dhe fillimin e një epoke ku Shqipëria voton si gjithë Evropa, ku popullit i numërohet vota ndershmërisht dhe askush nuk guxon të bëjë më lodra për përfitime personale” u shpreh Rama.
I pyetur përse opozita nuk i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për një interpretim të faktit nëse lejohen apo jo të hapen kutitë e votimit, Rama tha se kjo cështje nuk është një ngërc kushtetues.
“Ky është një operacion pengmarrje i kutive të votimi forcërisht nga Sali Berisha përmes pushtetit dhe kutitë e marra peng ne kërkojmë t’i çlirojmë përmes forcës së arsyes, nëpërmjet zgjidhjes së thjeshtë dhe më pa kosto që është zgjidhja e këtij të ashtuquajturi ngërç, me një hetim parlamentar ku kontrollin e komisionit të mos e ketë pushteti dhe ku populli të shohë se çfarë kanë kutitë. Në rast se kjo e drejtë elementare, kushtetuese, ligjore, qytetare ne na mohohet pa asnjë dyshim, ne si pjesë e popullit opozitar do të vazhdojmë ta kërkojmë” - theksoi Rama.
Kreu socialist theksoi se nëse kutitë e votimit nuk hapen , opozita do të vazhdojë aksionin politik deri në largimin e kryeministrit Berisha.
Ndërkaq Rama bëri të ditur se tashmë ka nisur puna për organizimin e protestave të tjera , dhe sic tha ai shumë shpejt opozita do të jetë në Bulevadrin Dëshmorët e Kombit në një protestë që nuk do të ndalet.
“Në rast se kutitë nuk hapen, ne do të largojmë Sali Berishën nga qeveria në rrugë demokratike.Në rast se Sali Berisha e pengon rrëzimin e këtij korrupsioni elektoral duhet të përballet me popullin që nuk është dakord që t’ja lerë në dorë votën e vet” tha kreu i opozitës.
I pyetur për mundësinë e shpëtimit të mdadateve të deputetëve socialistë të cilat rrezikojnë të digjen në muajin mars, Rama tha “Mandatet e PS-së janë mandatet e popullit oopozitar dhe nuk kemi ndërmend që t’i lemë të digjen”.
Në lidhje me vendimin e Gjykatws Kushtetuese për të rrëzuar ligjin e lustracionit, Rama tha se PS është e gatshme të hapë dosjet por sic tha ai, për të dënuar krimet e së shkuarës dhe jo për të mbuluar mëkatet e të sotmes.
“Dosjet duhet të ishin hapur që në 1991, duhet të ishin hapur në 1992. Jemi të gatshëm në çdo moment të kontribuojmë që ato të hapen, por në rrugën që i kanë hapur edhe vendet e tjera që sot janë në Bashkimin Evropian” tha Rama.
news 24