Ministri Imami:Sponsorizimi i autoriteteve paralele nga Beogradi nė veri tė Kosoves shkon nė tė kundėrt edhe tė pėrpjekjekjeve tė vetė NATO-s nė Kosovė.

Ministri Imami:Sponsorizimi i autoriteteve paralele nga Beogradi nė veri tė Kosoves shkon nė tė kundėrt edhe tė pėrpjekjekjeve tė vetė NATO-s nė Kosovė.

Ministri i Mbrojtjes  Arben Imami po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore në Republikën e Kosovës. Takimi i parë zyrtar u zhvillua në Presidencë, ku Ministri Imami u prit nga Presidenti i Kosoves, z Fatmir Sejdiu. Ministri Imami falenderoi Presidentin Sejdiu për kontributin e dhënë nga trupat e FSK-së në përballimin e emergjencës civile në qarkun e Shkodrës. Ministri Imami dhe Presidenti Sejdiu diskutuan gjatë mbi çeshtjen e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës, e cila konsiderohet edhe nga faktori ndërkombëtar si një histori suksesi. Ministri Imami i ritheksoi Presidentit Sejdiu qëndrimin e qeverisë shqiptare, qëndrim i cili është theksuar edhe në takimet e NATO-s, se sponsorizimi i autoriteteve paralele nga Beogradi në veri të Kosoves shkon në të kundërt edhe të përpjekjekjeve të vetë NATO-s në Kosovë.
Gjatë këtij takim Ministri Imami theksoi se Shqipëria do të mbështesë me të gjitha mundësitë e saj integrimin e Kosovës në organizmat rajonale, si një hap i parë dhe me tutje integrimin euroatlantik të saj. Ai i parashtroi Presidentit Sejdiu edhe kontributin që qeveria shqiptare do të japë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, bashkëpunim i cili do të normohet me një marrëveshje që do të nënshkruhet nga Ministri Imami dhe ministri i FSK-së, FehmiMujota.
Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ka theksuar edhe një herë falenderimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për ndihmën e pakursyeshme që Republika e Shqipërisë i ka dhënë Kosovës në të gjitha fushat. Po kështu, ai e ka quajtur si shumë të rëndësishme përkrahjen e Shqipërisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si një forcë që po ndërtohet sipas parimeve më moderne, e gatshme për të kryer të gjitha detyrat. Në këtë kontekst, Presidenti Sejdiu ka përsëritur edhe një herë qëndrimin që FSK-ja të marrë pjesë në operacionet e ndryshme jashtë vendit, duke përmendur në këtë rast angazhimin e pjesëtarëve të kësaj force në ndihmë të rajoneve të përmbytura në Shqipërinë e Veriut muajin e kaluar.
Pas takimit me Presidentin Sejdiu, Ministri Imami ka zhvilluar homazhe tek varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova, ku ka vendosur dhe nje buqetë me lule.
Më pas, Ministri i Mbrojtjes Imami është pritur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Kryeparlamentari Krasniqi ka falenderuar shtetin shqiptar për mbështetjen e gjithanshme për Kosovën, duke theksuar se të dy vendet tona duhet të bëjnë edhe më shumë për bashkëpunim me interes të ndërsjellë. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO e përshpejton edhe anëtarësimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike”, ka theksuar Krasniqi. Kreu i Kuvendit e ka uruar ministrin Imami për përballimin e situatës së vështirë në pjesën veriore të Shqipërisë pas përmbytjeve të shkaktuara në fillim të këtij viti.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Arben Imami, duke e përgëzuar kryeparlamentarin Krasniqi për arritjet impresive të Kosovës, e ka uruar atë për dyvjetorin e Pavarësisë së vendit. Ai i ka përcjellë z. Karsniqi, institucioneve të vendit dhe popullit të Kosovës, falënderimet e kryeministrit Berisha për mbështetjen e gjerë dhe të pakursyer për zonat e përmbytura të Shqipërisë. Imami ka shprehur kënaqësinë e tij për  arritjet e deritashme të FSK-së, si dhe ka shprehur vullnetin e ministrisë, të cilën ai drejton, për të mbështetur në vazhdimësi jo vetëm FSK-në, por edhe të gjithë strukturat e tjera që janë të lidhura me sigurinë e Kosovës. FSK-ja prodhon siguri, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin, ka theksuar Imami.
Pas këtyre takimeve, axhenda është zhvendosur te kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ministri Imami ka ripërsëritur në këtë takim gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të dhënë kontributin e nevojshëm në ndihmë të FSK-së. Ai është shprehur gjithashtu se Shqipëria mbështet integrimin rajonal dhe më gjërë të Kosovës. Kryeministri Thaçi e ka vlerësuar shumë të rëndësishme përkrahjen e Shqipërisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). "Shqipëria si anëtare e NATO-së mund të bart përvojat e saj, në funksion të mbështetjes së FSK–së në procesin e avancimit të saj, sipas parimeve dhe standardeve bashkëkohore të NATO-s", ka nënvizuar Thaçi.
Bashkëbiseduesit kanë vlerësuar lartë ndihmën e FSK-së në operacionet e kërkim-shpëtimit, gjatë përmbytjeve në pjesën veriore të Shqipërisë. Me këtë rast, Ministri Imami ka shprehur edhe një herë falenderimin e institucioneve dhe të popullit të Shqipërisë për mbështetjen me rastin e kësaj fatkeqësie natyrore.
Pas takimit me Kryeministrin Thaçi, Ministri Imami ka bërë një vizitë në Prekaz, ku, i shoqëruar nga ministri i FSK-së Fehmi Mujota, ka kryer homazhe te varri i heroit Adem Jashari. Ministri Imami zhvilloi një vizite edhe tek vellai i Adem Jasharit, Rifat Jashari. Gjatë kësaj vizite, z.  Imami u shpreh se sakrifica e familjes Jashari është një sakrificë sublime, e pakrahasueshme në shërbim të atdheut. "Emri i tij do të përmendet po aq gjatë sa do të flitet shqip," u shpreh Ministri Imami.
Gjatë ditës së parë të vizitës dy ditore ministri i Mbrojtjes Arben Imami është takuar edhe me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Bentler dhe ministrin e FSK-së Fehmi Mujota.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek