Ministria e Brendshme:Gjysëm milion shqiptarë kanë aplikuar për pasaporta biometrike

Ministria e Brendshme:Gjysëm milion shqiptarë kanë aplikuar për pasaporta biometrike

Ministria e Brendshme informon opinionin publik se deri ditën e djeshme gjysëm milion qytetarë shqiptarë kanë aplikuar për pasaporta biometrike.
Saktësisht, në bazë të të dhënave të datës 18 Shkurt 2010, numri i aplikimeve për pasaporta biometrike arriti shifrën 501 mijë.
Duke shprehur kënaqësinë për ritmin e shpejtë dhe suksesin e këtij procesi, Ministria e Brendshme gjen rastin të përgëzojë të gjithë qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes për t'u pajisur me pasaporta biometrike, këtë dokument të standarteve europiane.
Ndërkohë, dëshirojmë të theksojmë se është e rëndësishme që qytetarët të paraqiten për të tërhequr pasaportat biometrike për të cilat kanë aplikuar.
Në komisariatet dhe drejtoritë e policisë në qarqe gjendet një sasi e madhe pasaportash biometrike, të cilat nuk janë tërhequr nga qytetarët.
U bëjmë thirrje këtyre qytetarëve të nxitojnë dhe të paraqiten për të tërhequr pasaportat e tyre biometrike.
Rikujtojmë gjithashtu se marrja e pasaportës së re biometrike do të shoqërohet me bërjen të pavlefshme të pasaportës në përdorim nga shtetasi në momentin e paraqitjes pranë zyrave të ''Aleat'' në komisariatet dhe drejtoritë e policisë në qarqe.
Së fundi, Ministria e Brendshme fton të gjithë qytetarët shqiptarë  që të ndjekin shembullin e mbi gjysëm milion bashkëqytetarëve që tashmë kanë siguruar dokumentin që do të mundësojë lëvizjen e lirë në të gjithë zonën Schengen të Bashkimit Europian.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek