Kryeministri Berisha mori pjesë sot në punimet e Konferencës Kombëtare për Sigurinë Rrugore, e organizuar nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit në ambientet e hotel Tirana International.
Më poshtë vijon e plotë, fjala e Kryeministrit Berisha në Konferencën Kombëtare për Sigurinë Rrugore:
“Zotërinj ministra,
Zonja Nuamah,
Të nderuar të pranishëm,
Së pari, dua të përshëndes organizimin e kësaj konference për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme siç është siguria rrugore, mungesa e së cilës i kushton vendit dhe shoqërisë shqiptare qindra jetë njerëzish në vit. Siguria rrugore përbën themelin e parandalimit të aksidenteve që fatkeqësisht në Shqipëri kanë tendencë në rritje të vazhdueshme dhe janë mbi 2 herë më të larta se sa në vendet e zhvilluara.
Në Konferencën Globale për Sigurinë Rrugore, të zhvilluar muaj më parë, u konstatua se çdo vit humbasin jetën në aksidente rrugore rreth 1.3 milionë persona. Çdo vit, 2/3 ndër këto viktima i përkasin vendeve në zhvillim dhe jo vendeve që kanë numrin më të lartë të automjeteve për frymë. Të përballesh me këtë rrezik, i cili në Shqipëri merr mbi 300 jetë në vit dhe shkakton mbi 1200 të plagosur të formave të lehta dhe të rënda, nuk është e thjeshtë, por është plotësisht e mundshme. Së pari, kjo kërkon një vullnet politik, të cilin qeveria e ka të plotë. Unë ju garantoj se qeveria është e vendosur ta marrë me seriozitetin më të madh këtë problem, në mënyrë që dora – dorës t’i japë përgjigjen më të merituar.
Problemi i sigurisë rrugore është një problem kompleks, në të cilin gërshetohen një seri faktorësh që nga rrugët dhe siguria e tyre, nga kultura dhe aftësitë e atyre që drejtojnë mjetin, nga rendi që ndjekin ata që monitorojnë trafikun rrugor. Pra, cilësia e rrugëve, sinjalistika, janë një seri faktorësh për t’u adresuar. Ndaj, për t’u përballur me këtë situatë është e domosdoshme një përballje shumëplanëshe. Situatës nuk i jepet përgjigje, në rast se ne e konceptojmë këtë si një përgjegjësi të policisë rrugore. Është e vërtetë që policia rrugore ka pjesë palcore në veprimtarinë e saj për të parandaluar aksidentet, por është e vërtetë se problemi është shumë më i gjerë se sa rrezja e veprimit apo kompetencave të policisë rrugore. Rrugët tona vuajnë për standardet e sigurisë, vuajnë për sinjalistikën. Në shumë raste, përgatitja e tyre që marrin lejet e drejtimit të automjetit është informate, jashtë çdo standardi. Nuk ka një përpjekje serioze për edukimin e popullatës për parandalimin e aksidenteve të trafikut rrugor. Nuk ka përpjekje serioze për edukimin e popullatës për mbajtjen e rripit të sigurisë në automjete, i cili është faktuar nga të gjitha studimet si një mjet që redukton shumë dëmin nga aksidenti rrugor. Nuk ka përpjekje serioze për mbajtjen e kaskës, e cila është e domosdoshme për të zbutur në maksimum traumën kraniale te motorciklistët.
Pra, në një anë është vullneti politik, i cili ekziston, por ana tjetër është shndërrimi i këtij vullneti në masa konkrete, në një plan veprimi konkret, me të cilin ne të fillojmë me shpejtësi të shënojmë një kthesë rrënjësore në numrin e aksidenteve, i cili për hir të së vërtetës rritet nga viti në vit. Nga viti në vit rrugët tona nuk përkeqësohen, por nga viti në vit ato përmirësohen. Ky është realiteti. Ne bëjmë investime të mëdha në rrugë. Besoj se diskutimet dhe debatet që do të zhvillohen në këtë konferencë do të nxjerrin të gjithë faktorët që ndikojnë në aksidentet rrugore.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Rrugore duhet të konsolidohet. Siguria rrugore, në përputhje me strategjinë e saj, do të ketë autoritetin e saj. Ky autoritet do të ketë për detyrë zbatimin e Strategjisë së Sigurisë Rrugore. Banka Botërore, kohët e fundit, po e trajton me seriozitetin më të madh këtë problem, pasi aksidenti rrugor është bërë një vrasës i shpeshtë i udhëtarëve. Qeveria është e vendosur të bashkëpunojë me Bankën Botërore për të implementuar praktikat më të mira në garantimin e plotë të sigurisë rrugore. Uroj dhe dëshiroj që kjo konferencë të shënojë fillimin e një kthese të vërtetë në këtë sektor, në të cilin për shkak të aksidenteve humbasin jetën mbi 300 qytetarë shqiptarë çdo vit, pësojnë plagosje të rënda mbi 350 qytetarë, pësojnë plagosje të lehta dhe të llojeve të ndryshme mbi 850 të tjerë.
I uroj suksese kësaj konference dhe e garantoj se qeveria është e vendosur të marrë të gjitha masat për të zbatuar një plan veprimi ambicioz dhe agresiv, për të shënuar një kthesë të rëndësishme në të gjitha fushat ku është e domosdoshme që siguria e rrugëve tona të njohë përmirësime të mëdha.
| Tiranë | 9 | °C | |
| Prishtinë | -1 | °C | |
| Ulqin | 0 | °C | |
| Shkup | -1 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.16 | 141.97 |
| USD | 103.15 | 107.55 |
| GPB | 162.82 | 169.77 |
| CHF | 112.55 | 117.35 |