Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE,mbështetje për liberalizimin e vizave

Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE,mbështetje për liberalizimin e vizave

Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të Bashkimit Europian sigurojnë se do të japin mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha zhvilloi një vizite njëditore në Bruksel, ku u takua me ministra të brendshëm dhe të drejtësisë të vendeve të BE, në kuadër të Këshillit të BE mbi Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë.
Ministri Basha zhvilloi takime me Zv.kryeministren dhe Ministren e ngarkuar me Politikat e Emigracionit dhe të Azilit të Belgjikës Znj. Joelle Milquet,  Ministrin francez të Identitetit Kombëtar dhe të Migracionit Z. Eric Besson si dhe Ministrin e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme Hollandës Z. Ernst Hirsch Ballin.
Ministri Basha zhvilloi një takim edhe me eurodeputeten sllovene Znj. Tania Fajon.
Në takimin e zgjeruar të Këshillit për Ballkanin Perëndimor, të përbërë nga 27 përfaqësuesit e vendeve anëtare në Bruksel, Ministri Basha informoi mbi progresin e Shqipërisë në tre blloqet kryesore të kritereve për liberalizimin e vizave, sigurinë e dokomentave të identitetit, sigurinë e kufijve dhe luftën kundër kriminalitetit.
Basha u bëri të ditur përfaqësuesve të vendeve anëtare se Shqipëria lëshon tashmë për qytetarët e saj dokumenta identiteti të sigurisë më të lartë, sipas teknologjisë më moderne dhe standarteve më të larta të BE-së, zotëron një sistem modern të kontrollit kufitar, të unifikuar dhe të ndërlidhur me bazën e të dhënave të informacionit kriminal dhe me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, dhe se bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe strukturave policore të vendeve të BE-së në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme është në nivele të shkëlqyera dhe ka dhënë rezultate të dukshme.
Bazuar në këto arritje, Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha u kërkoi homologëve mbështetjen politike në momentin e marrjes së vendimit, duke theksuar se vonesat nuk i shërbejnë  besueshmërisë së gjithë procesit të liberalizimit të vizave për Ballkanin.
-Shqipëria ka bërë progres të shpejtë e të qëndrueshëm në plotësimin e të gjithë kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, si dhe krahasuar me tre vendet e Ballkanit Perëndimor që përfituan së fundi nga ky proces. Është e rëndësishme që menjëherë pasi Komisioni të përgatisë raportin, dhe të paraqesë për mendim tek vendet anëtare, të ruhet ritmi i axhendës si me valën e parë të liberalizimit të vizave,-u shpreh Basha.
Ministrat e BE-së vlerësuan progresin e bërë nga qeveria shqiptare dhe sidomos arritjet në fushën e sigurisë së dokumentave dhe modernizimit të kontrollit të kufirit. Ata vlerësuan reformat e bëra në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe përafrimin e legjislacionit me BE-në në drejtim të azilit dhe migracionit si dhe hyrjen në fuqi dhe zbatimin e ligjit për konfiskimin e aseteve kriminale. Ministrat për drejtësinë dhe punët e brendshme të vendeve të BE deklaruan mbështetjen e plotë për procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek