Në fjalën e tij Ministri Tafaj, i
kushtoi vëmendje të veçantë çështjes së raportit studentë-pedagogë, i
cili duhet të ndryshohet, pas rritjes së vazhdueshme të numrit të
studentëve. “Ky ndryshim i raportit na kushtëzon në përcaktimin e
kritereve të reja për stafin pedagogjik. Ministria e Arsimit dhe
Shkencës në bashkëpunim me të gjithë rektorët e Universiteteve, do të
ndërrmarin ndryshimet e nevojshme të kuadrit ligjor. Duhet t’i japim
përparësi rekrutimit të pedagogëve, dhe sidomos edhe atyre të rinj.”-
tha Ministri Tafaj. Më pas, kreu i arsimit u ndal në veçanti në
reformën e ndërmarrë, në fushën akademike dhe shkencore të vendit . Ai
vlerësoi se reforma në botën akademike duhet të thellohet më tej, dhe
kërkimi shkencor duhet të jetë atribut i fakulteteve dhe dekanateve.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Z. Myqerem Tafaj vlerësoi se një
rëndësi të veçantë në kërkimet shkencore zë fondi i kërkimeve dhe
përdorimi i tyre. Ministri Tafaj diskutoi me rektorët edhe mbi procesin
e renditjes së Universiteteve, duke i dhënë kështu komunitetit të
studentëve dhe prindërve një pasqyrë të saktë të vlerësimit të
Universiteteve publike dhe private në vend.
Në mënyrë të veçantë
Ministri Tafaj u ndal në iniciativën më të fundit të Qeverisë Berisha
mbi promovimin e përshpejtuar të shkencëtarëve të rinj të talentuar. Me
propozim të Ministrit të Arsimit, në vendimin “Për hapjen e programeve
të studimeve të doktoratës në institucionet e Arsimit të Lartë dhe
përcaktimin e kushteve që duhet të plotësojë studenti, për marrjen e
diplomës për gradën shkencore “Doktor”, është shtuar se kandidatët e
pajisur me DND dhe DIND dhe që kanë botuar si autor i parë, së paku 3
artikuj shkencorë në revistat e huaja, me faktor impakti mbi 1.0, kanë
të drejtë t’i paraqesin dekanit të fakultetit dhe për dijeni, rektorit
të Institucionit të Arsimit të Lartë, që ofron studime të doktoraturës,
një kërkesë për mbrojtjen e doktoratës mbi bazën e artikujve shkencor
të botuar (disertacion kumulativ).
Kërkesa duhet të jetë e shoqëruar nga dy referenca/rekomandime nga
profesorë të vendit ose të huaj, që vlerësojnë se vëllimi dhe cilësia e
punimeve shkencore të përfunduara me botimet e sipërpërmendura,
plotësojnë kushtet për kërkimin e gradës shkencore “Doktor” dhe i
propozojnë Këshillit të Profesorëve dhe dekanit ngritjen e Jurisë për
provimin e doktoratës.
Dekani i fakultetit ia kalon menjëherë
Këshillit të Profesorëve, për shqyrtim kërkesën. Këshilli i
Profesorëve shprehet, brenda një muaji nga marrja e kërkesës, për
ngritjen e Jurisë për provimin e doktoratës dhe dekani nxjerr urdhër
për ngritjen e saj.
Juria, brenda një muaji, vlerëson provimin e doktoratës së kandidatit.
Kandidatët që nuk janë në marrëdhënie pune në një Institucion të
Arsimit të Lartë, i dërgojnë kërkesë dekanit të fakultetit të
Institucionit të Arsimit të Lartë, që zhvillon studime të doktoraturës
në fushën ku është kryer kërkimi shkencor dhe është përgatitur teza e
disertacionit në formë kumulative.
Në rastet kur dekani dhe Këshilli i Profesorëve i fakultetit shprehet
negativisht për kërkesën e kandidatit, ai ka të drejtë të ankohet tek
rektori i Institucionit të Arsimit të Lartë dhe Ministrit të Arsimit
dhe Shkencës dhe të kërkojë një rivlerësim të kërkesës.
Së
bashku me rektorët e universiteteve publike dhe private në vend,
Ministri Tafaj, diskutoi edhe mbi vendimin e Këshillit të Ministrave
mbi përcaktimin e kritereve dhe procedurave për kualifikimin shkencor e
pedagogjik të personelit akademik.
ShtypiDites