Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, u shpreh sot se
faturat e reja të vendosura nga OSSH për energjinë janë një vjedhje e
hapur e qytetarëve shqiptarë. “Qytetarin shqiptar e vjedh cilido që ka
mundësi ta bëjë këtë dhe askush nuk e mbron. Qeveria po hesht dhe barra
e përgjegjësisë është direkt e saj”, u shpreh Braçe. Sipas deputetit
socialist qytetarët po paguajnë vjedhjen më të shtrenjtë!
Më poshtë fjala e plotë e deputetit Erion Braçe:
"Dje u detyrova të paguaj faturën e energjisë elektrike për muajin janar! Ashtu siç disa qindra mijë qytetarë anekënd vendit!
Vjedhja
që paralajmërova në këtë podium një javë më parë, përmes aplikimit të
çmimit të rritur të janarit që në dhjetor, po konsumohet! Për fat të
keq dhe do paguhet nga çdo familje shqiptari! Rritja marramendëse e
çmimit të energjisë elektrike që paralajmëruam që në dhjetor të vitit
që shkoi, po konsumohet! Për fat të keq dhe po paguhet po kaq shtrenjtë
nga çdo familje shqiptari.
Shërbimi mizerabël deri në kufijtë e
grabitjes, përmes faturimit abuziv të kilovatëve të energjisë, shpesh
afrofe dhe larg syve të qytetarëve, vijon të konsumohet siç më parë!
Për fat të keq dhe po paguhet me çmim të rritur!
Të treja në një faturë!
Pra po ndodh:
- qytetarët po paguajnë vjedhjen përmes faturimit të energjisë së konsumuar në dhjetor më çmimet që janë ligjore në janar
-
qytetarët po paguajnë çmimin e ri të energjisë të rritur tre herë: për
fashën deri në 300 kë nga 7.00 lekë në 7.70 lekë; për fashën mbi 300 kë
nga 12.00 lekë në 13.50 lekë; për energjinë e ambienteve të përbashkëta
nga 7.00 lekë në 8.00 lekë
- qytetarët po paguajnë me
çmimet e rritura edhe energjinë e pakonsumuar të faturave si afrofe,
apo energjinë përtej ditëve kalendarike të një fature normale, nga 30
në 35 ditë.
Më shkoqur: qytetarët po paguajnë vjedhjen më të shtrenjtë!
Ky
është kulmi! Qytetarin shqiptar e vjedh cilido që ka mundësi ta bëjë
këtë dhe askush nuk e mbron. Qeveria po hesht dhe barra e përgjegjësisë
është direkt e saj.
Kavalieri moralist, Sali Berisha po hesht
dhe përgjegjësia është direkt e tij. Nuk besoj se do të evokojë kohën
kur ishte në fshat dhe ndriçohej me qiri. Qirifikimi dhe Sali Berisha
janë një simbiozë e papërsëritshme, thuajse e njëjtë me atë të kalit të
vjedhur dhe Sali Berishës.
Cilido që pyet sot se çlidhje ka Sali
Berisha me faturat e energjisë elektrike të lëshuara nga një kompani
private, dua të sqaroj:
Pronësia në kompaninë OSSH dhe pas
privatizimit është 75% CEZ dhe 25 % Qeveria e Sali Berishës. Sot, 10
ditë pas denoncimit Sali Berisha, me 25% të aksioneve që disponon duhet
të kishte mbajtur qëndrim.
Pronësia e CEZ mbi OSSH, u garantua
nga një proces privatizimi drejtuar e përcaktuar nga Qeveria e Sali
Berishës. Shërbimi publik u transferua si monopol ekskluziv shtetëror
tek klienti politik i Sali Berishës dhe ai mesa duket trashëgoi deri në
fund me gëzim, një shërbim mizerabël që vjedh.
Vendimi për
rritjen e çmimit të energjisë elektrike që tani po shërben për të
shtrenjtuar dhe vjedhjen, u morr nga një ent thellësisht politik dhe
nën ndikimin direkt të Sali Berishës.
Nisur nga sa më sipër, PS
i kërkon prokurorisë të nisë procedim penal për këtë vjedhje masive që
po i bëhet qytetarëve shqiptarë. Procedimi penal nuk mund të jetë i
njëanshëm, vetëm në rastin kur qytetari vjedh dhe nuk paguan energjinë,
ai duhet të ndodhë doemos edhe kur qytetari vidhet për energjinë me një
faturë që është titull ekzekutiv."
ShtypiDites