Nga Vladimir Lame
Eshtë motoja spanjolle e qeverisjes së kontinentit të vjetër në këto gjashtë muaj. E parë në këndvështrimin ballkanik sjellja konkrete me familjen e përbashkët kalon tashme në një etapë tjetër. Me hapa të matur, komisioni i ri evropian i dalë nga Traktati i Lisbonës garanton ofertën për ballkanasit, reforma në këmbim të përshpejtimit të proçesit të integrimit të plotë.
Veçimi nga dosja voluminoze e integrimit evropian e etapës lëvizje e lirë në zonën shengen, shënon një ndryshim rrënjësor strategjie. Sidomos në perceptimin ballkanas. Sepse në fund të fundit në vitet e pas rrëzimit të komunizmit Evropa u njehsua në mendjen e qytetarëve dhe në ofertat politike të tranzicionit vetëm me lëvizjen e lirë, heqjen e murit të vizave dhe me largimin sa më parë nga ky rajon i varfër. Ikja drejt endrrës evropiane vijon tashmë në kushte të tjera, legalisht. Mjafton një pasaportë biometrike e lëshuar nga autoritetet serbe, maqedonase apo malazeze. Dhe paqartësitë vazhdojnë në forma të tjera. Lindin përditë agjenci turistike lokale, ku qytetarëve u ofrojnë të ashtuquajturat shërbime për t’i dërguar dhe për të kërkuar azil politik dhe ekonomik në disa vende evropiane.
Djem të rinj, shumica shqiptare mbushin cdo ditë autobuzët sidomos në Serbinë jugore por edhe në Tetovë, Gostivar. Nëna që përcjellin kubetqarët me
lot në sy dhe djem që nisen për një jetë të mirë por edhe me plot dilema me vete. Ka nisur prekja me dorë e realitetit të ri evropian. Njëkohsisht ka marrë përmasa të tjera numri në rritje të azil-kërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia në vendet e Bashkimit Evropian pas liberalizimit të vizave me këto dy vende. Në të njëjtën kohë, Këshilli i ministrave të çështjeve të brendshme dhe të drejtësisë së BE-së, pritet ta përfshijë këtë çështje në diskutimet e takimit të ardhshëm. Fenomeni i largimit masiv te shqiptarëve u evidentua në Belgjikë nga rritja e numrit të azil-kërkuesve në dy muajt e parë të vitit 2010.
Mbi 700 qytetarë nga Maqedonia e Serbia kanë kërkuar azil në Belgjikë në këtë periudhë kohore. Kjo shifër përkon më dyfishin e personave që kanë kërkuar azil nga këto dy vende gjatë gjithë vitit të kaluar. Nga vetëm 200 aplikime në vitin 2009 vetëm 2 kërkesa kanë marrë përgjigje pozitive.
Gjithsesi edhe pas intervistave me autoritetet belge shanset e tyre për të përfituar azil janë te pakta. Gjendja bëhet edhe më e paqartë kur sheh se një pjesë e mirë e tyre pasi shesin pasuritë në vendet nga vijnë përfundojnë rrugëve të Brukselit pa strehë dhe pa mikpritjen e duhur. Me mundim e halle të tjera ëndrra me parajsën evropiane venitet dalëngadalë. Në fund të fundit i pret refuzimi, dëbimi dhe heqja e të drejtës për të udhëtuar në vendet Shengen për disa vite. Me refuzimet e njëpasnjëshme
autoritetet belge po dëshmojnë konkretisht se nuk do të pranojnë asnjë kërkesë per azil ekonomik dhe politik nga azilkërkuesit shqiptarë dhe të tjerë shtetas me të njëjtë aspiratë nga rajoni.
Deri më 23 Shkurt, kanë kërkuar azil në Belgjikë 439 persona.
Bazuar në kriteret e konventës së Gjenevës për të fituar azil duhet të vërtetohet frika e përndjekjes. Ky fenomen i përndjekjes mund të ndeshet në vende problematike si Afganistani apo Somalia.
Ndërsa Maqedonia ishte e gatshme të behej pjesë e NATO-s para dy viteve në Samitin e Bukureshtit. Komisioni Evropian vitin e kaluar dha mendim pozitiv që të caktohet një datë për bisedimet për anëtarësim. E gjithë kjo tablo pozitive integrimi kthehet në bumerang negativ për ata që u duhet të argumentojnë një situatë tjetër për vendin e tyre nga ajo që evropianët njohin dhe konsiderojnë tashmë.
Në kushtet kur Maqedonia dhe Serbia kanë nënshkruar marreveshjet e ripranimit me të gjtha vendet e hapsirës shengen përpara liberalizimit të vizave atëherë këto dy shtete janë të detyruar të riatdhesojë ata që kapen ilegalisht në kundërshtim me afatin tre mujor të qëndrimit dhe madje të paguajnë shpezimet e udhëtimit për rikthimin e tyre në shtëpi. Fenomen që mund të ndodhë edhe me shtetasit nga Bosnja apo Shqipëria kur t`iu afrohet heqja e vizave turistike tremujore këtyre shteteve.
Në rrafshin diplomatik hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës, përkoi me kalimin e Ballkanit Perëndimor në një fazë të re: nga Marrëveshjet e Stabilizim- Asocimit me BE në atë të anëtarësimit në këtë organizatë. Por ripërtëritja e Evropës nuk kuptohet me largimin njerzor nga Ballkani Perëndimor, rajon ku janë derdhur miliona euro ndihma dhe mbeshtetje financiare e bollshme për projekte. Në këto vende investimet nuk mjaftuan. Tranzicioni zgjati dhe ende s`dihet deri kur! Papunësia dhe pesimizmi që situata real ekonomike të ndryshojë shpejt i kanë bërë qytetarët të paduruar, të ikin sa më parë. Tanimë nuk mjafton të premtosh Evropen se vetë Evropa ka nisur të hapë dyert.
Zhgënjimi për ata që nuk kanë patur mundësi legale të lëvizin shihet qartë. Por ky zhgënjim do jetë më i fortë për ata që për herë të parë do shkelin rrugët pa baltë të Milanos, Amsterdamit, Brukselit apo Parisit. Dhe nëse shkëlqimi i dritave që nuk fiken do të mjaftojë. Evropa duhej ndërtuar në Ballkanin Perëndimor në këto 20 vjet. Sepse sot njezët vjeçarët e lindur në demokracitë e reja ballkanike do t`u duhet ta kërkojnë Evropën diku gjetkë aty ku i ka çuar imagjinata, ekrani, propaganda e ditës, mashtrimet e shokëve apo familjarëve për jetë të lehtë e përrallore aty në Evropën e lirë! Edhe ripërtëritja e kontinentit nuk mund të ndodhë në këtë formë. Sepse vërtet kontinenti është plakur por me rregullat strikte të pranimit po frenon marrjen e gjakut të ri ballkanik. Efektet e krizës financiare kanë lënë gjurmë pasigurie për vetë evropianët e papunë. Kur u njoftua liberalizimi u vunë në pah qëllimet turistike, festim krishtlindjesh për serbët, maqedonasit e malazezët dhe mbase pushimet verore ndoshta për shqiptarët e boshnjakët.
Në Ballkan qytetarët mezi kishin pritur tjetër gjë, mundësi pune dhe prosperiteti. Antarësimi i plotë në Bashimin Evropian do të jetë një mundësi në këtë rrugë të vështirë.
| Tiranë | 7 | °C | |
| Prishtinë | -5 | °C | |
| Ulqin | 4 | °C | |
| Shkup | -5 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.13 | 141.91 |
| USD | 103.60 | 108.00 |
| GPB | 163.95 | 170.91 |
| CHF | 112.92 | 117.71 |