Sot u mbajt seanca e katërt në procesin gjyqësor kundër Albin Kurtit të
rinisur nga EULEX-i. Gjykatësi de Mongeot sot kishte ndërruar rolin që
ia cakton titulli gjykatës, madje edhe rolin e policit të cilin e
kishte kryer në seancën e kaluar. Sot gjykatësi shërbente si politikan.
Dhe nga pozita e politikanit diplomat ai i akuzoi institucionet e
Kosovës për dështim. Në urdhrat e tij të cilat sot i kishte me bollëk,
gjykatësi vërejti “jokapacitetin e institucioneve të Kosovës për të
siguruar kushtet për një gjykim korrekt dhe për ta administruar
drejtësinë”. Këto vërejtje të gjykatësit i drejtoheshin të gjitha
institucioneve të ligjit në Kosovë: gjykatave, policisë, avokatëve, …
Me këtë de Mongeot synon ta arsyetojë praninë e EULEX-it këtu – këto
akuza i kemi dëgjuar shumë herë nga diplomatët e huaj që na e sollën
EULEX-in në Kosovë.
Refuzimi i avokatit për t’iu përgjigjur urdhrit të gjykatësit që të
merr pjesë në seancat gjyqësore si avokat mbrojtës, refuzimi i
gjykatësve që të marrim pjesë në Trupit Gjykues të EULEX-it, si dhe
mosarrestimi i Albinit nga Policia e Kosovës nuk janë dështime të
këtyre institucioneve, por akte padëgjueshmërie, akte rezistence ndaj
kësaj shpërfillje që EULEX-i po ia bën vullnetit të qytetarëve.
Gjykatat, policia dhe avokatët këtë radhë janë duke e dëgjuar popullin
e Kosovës dhe duke u bërë bashkë me të.
Dhe për këtë EULEX-i kërkon t’i dënojë. Gjykatësi sot urdhëroi nisjen e
procedurës disiplinuese kundër Ramiz Krasniqit për shkak të
padëgjueshmërisë së tij. Ndërkohë që caktoi kryetarin e Odës së
Avokatëve Musa Dragushën si avokat mbrojtës të radhës. Ishte pikërisht
kryetari i Odës ai që i doli në mbrojtje Ramiz Krasniqit kur ky i
fundit kërcënohej me marrje licence për padëgjueshmërinë e tij. Dhe
tash Trupi gjykues i EULEX-it po e dënon Musa Dragushën sepse i doli në
krah Ramiz Krasniqit. Vetëm e vetëm me qëllim të disiplinimit të tyre.
Sepse EULEX-i realisht këtu është për të na disiplinuar që të jemi të
dëgjueshëm ndaj tij, dhe asgjë tjetër.
Trupi Gjykues urdhrat e mëposhtëm do t’ia dorëzojë Kryetarit
të Gjykatës Supreme të Kosovës, Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, Odës
së Avokatëve të Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Këto janë 6 urdhrat e
de Mongeotit:
• Musa Dragusha caktohet ta zëvendësojë Ramiz Krasniqin
•
Të gjitha kopjet e vërejtjeve ndaj Ramiz Krasniqit do t’i dërgohen Odës
së Avokatëve për të filluar procedurën disiplinore ndaj tij
• Urdhëron autoritetet kompetente që ta caktojnë një gjykatës tjetër për Trupin Gjykues
• Dërgimi i këtyre urdhrave të institucioneve kompetente
• Shtyrja e seancës për 13 prill 2010
• Urdhëron Policinë e Kosovës për ta shoqëruar Albinin në seancën e 13 prillit.
Ne përshëndesim mosparaqitjen e Ramiz Krasniqit në seancën e sotme. Po
ashtu i ftojmë të gjithë avokatët që të mos i përgjigjen caktimit për
pjesëmarrje në këtë proces gjyqësor. Ftojmë gjykatësit e Gjykatës së
Qarkut që ta refuzojnë pjesëmarrjen në këtë Trup Gjykues. Si dhe ftojmë
policët e Kosovës që të vazhdojnë të “mos e shohin” Albinin nëpër
rrugët e Kosovës.
ShtypiDites