Dy ditë më parë, Mërgim Mavraj, i cili është përfshirë në listën e
kombëtares për miqësoren me Irlandën e Veriut, i ka telefonuar
trajnerit Josip Kuzhe, duke i shpjeguar arsyet pse nuk mund t’i
përgjigjet ftesës së Shqipërisë. “Do të grumbullohem me kombëtaren e
Gjermanisë.” Telefonata e Mavrajt ka shokuar jo vetëm kroatin, por të
gjithë drejtuesit e Federatës Shqipare të Futbollit, që kishin bërë
gjithçka për ta bindur të vishte bluzën kuqezi.
Matias Samer, plangprishësi i Shqipërisë
Njeriu që ia ka prishur mendjen Mërgim Mavrajt është Matias Samer.
Futbollisti më i mirë europian në vitin 1996, kampion Europe në këtë
vit me Gjermaninë, aktualisht drejtor teknik pranë Federatës Gjermane
të Futbollit, mësohet se ia ka mbushur mendjen kosovarit Mavraj të heqë
dorë (për herë të tretë) nga kombëtarja shqiptare. Samer e ka siguruar
Mavrajn se do të grumbullohet me kombëtaren e Gjermanisë, ku do të ketë
më shumë mundësi për të bërë karrierë.
Futbollisti në fjalë, pasi është menduar gjatë për zgjedhjen që duhet
të bënte, ka marrë guximin të telefonojë Josip Kuzhen, për t’i thënë:
“Jo, nuk do të luaj për Shqipërinë”. Nga kjo bisedë kroati ka mbetur
shumë i zhgënjyer, pasi kishte bërë një bisedë kokë më kokë me Mavrajn
pak muaj më parë dhe kishte marrë garanci nga ky i fundit për të
luajtur me Shqipërinë.
Kuzhe: Mos ma përmendni më Mavrajn!
Shokues! I tillë ka qenë lajmi për zyrtarët më të lartë të FSHF-së, që
nuk kanë dashur ta besojnë “tradhtinë” e Mërgim Mavrajt. Duke dashur që
gjithçka të rregullohej, janë bërë përpjekje për ta bindur Mavrajn të
ndryshojë qëndrim dhe të mos e braktiste Shqipërinë. Por Josip Kuzhe ka
qenë kategorik: “Nuk e dua më Mavrajn, edhe sikur të kthejë mendje.
Një njeri që të pret në besë (kishte folur gjatë e gjerë me të para pak
muajsh) nuk mund t’i shërbejë kombëtares shqiptare.” Duket qartë mllefi
i trajnerit të kombëtares, që kishte investuar shumë me reputacionin e
tij për ta bindur Mavraj të rivishej kuqezi. Të befasuar, pse jo të
tradhtuar për të disatën herë, kanë mbetur edhe drejtuesit e FSHF-së,
të cilët sapo i kishin siguruar pasaportën e tretë Mërgim Mavrajt,
vetëm e vetëm që ky futbollist me origjinë nga Kosova t’i shërbente
kombit të tij, Shqipërisë.
Tri herë ftesë, po kaq herë “jo”!
Gjatë sezonit 2007-2008, në kohën kur kombëtarja shqiptare po luante
ndeshjet e fundit në grup të fushatës eliminatore për Euro 2008-n,
Mërgim Mavrajt i bëhet ftesë nga kombëtarja. Kroati Oto Bariç, që në dy
ndeshjet e fundit në grup me Bjellorusinë në “Qemal Stafa” dhe Rumaninë
në transfertë, kërkonte të thyente rekordin e Brigelit (13 pikë),
dëshironte vijimin e punës si trajneri i Shqipërisë dhe sigurisht edhe
rinovimin e kombëtares me elementë cilësorë. Mërgim Mavrajt, në atë
periudhë 20 vjeç, i sigurohet pasaporta. Ai vjen në Tiranë para sfidës
me Bjellorusinë (2-4) më 17 nëntor 2007, por nuk përfshihet në
formacion, madje e shikon ndeshjen nga tribuna.
I zhgënjyer nga qëndrimi i Bariçit, braktis Shqipërinë, duke thënë
dorëheqjen nga kombëtarja. Për largimin e Mavrajt nuk u fol shumë, pasi
Bariçi pas ndeshjes me Rumaninë dha dorëheqjen. Kjo ishte “tradhtia” e
parë e Mavrajt, i cili vijoi karrierën me Bohumin. Pasuesi i Bariçit,
holandezi Ari Han, bëri përpjekjen e dytë për të afruar Mavrajn në
kombëtare (Shqipëria kishte shumë nevojë për mbrojtës).
Mërgim Mavraj, i joshur nga “oferta” e Hanit, ktheu përgjigje pozitive,
por, çuditërisht, në maj të 2008-s, sërish refuzoi. Kjo ishte
“tradhtia” e dytë, që për fat të keq nuk do të ishte e fundit. Josip
Kuzhe, pasi ndoqi në stadium një ndeshje të Bohumit, e takoi dhe
bisedoi gjatë me Mavrjan, i cili i dha “besën” për t’u grumbulluar
sërish me Shqipërinë. Kuzhe e përfshiu në listë për Irlandën e Veriut,
por Mavraj tradhtoi për herë të tretë.
Pasaportë biometrike dhe kartë identiteti!
Vështirë se do të bëhet një sakrificë e tillë për futbollistë të tjerë
me origjinë shqiptare. Pas refuzimit të parë (pas ndeshjes me
Bjellorusinë, 2-4), presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i kërkoi kthimin
e pasaportës. Mërgim Mavraj e ktheu pasaportën në ambasadën shqiptare
(Gjermani ose Itali). Biseda e Mavrajt me Kuzhen e bindën FSHF-në të
hiqte dorë nga “inati i vjetër” e si rrjedhoi vijuan procedurat me
pajisjen me pasaportë të re. Mërgim Mavrajt iu sigurua pasaporta
biometrike, madje edhe karta e identitetit, që tashmë do të jenë të
pavlefshme.
Nga Behrami te Mavraj, “tradhtitë” kuqezi
Nuk është hera e parë që futbollistë me kombësi shqiptare i thonë “jo”
fanellës kuqezi. Vite më parë, Valon Behrami nuk pranoi të luante për
Shqipërinë, pasi i kishte bërë ftesë Zvicra. Ky futbollist vazhdon edhe
sot të jetë pjesë e kësaj kombëtareje. Sotir Nini (Sotiris Ninis), një
tjetër futbollist me origjinë shqiptare (lojtari me nr. 7 i
Panathinaikosit), i tha “jo” kombëtares, pasi preferoi të mbronte
ngjyrat e Greqisë.
Po kështu, edhe Milaim Rama, që preferoi Zvicrën, si Behrami, para
kombëtares shqiptare. Së fundmi, Atdhe Nuhiu, pjesëtar i U-21-shit të
Austrisë, në një deklaratë në dyert e “Qemal Stafës” e shpreh qartë që
Austria i afron më shumë mundësi. Veç tyre, janë disa lojtarë të tjerë
me kombësi shqiptare (kosovarë), që tashmë janë “djegur” nga kombëtare
të tjera europiane (Përparim Hetemaj (Finlandë), Albert Bunjaku
(Zvicër) etj.
ShtypiDites