Refuzimi i Sali Berishës për të hetuar atë çka ka ndodhur në 28 qershor
përbën provën më të qartë se kryeministri nuk është i interesuar në
zgjidhjen e krizës së thellë politike dhe institucionale në vend.
Ne
e sfiduam Sali Berishën dhe pushtetin e tij, duke kërkuar transparencën
e kutisë së Ruzhdies, pa qenë në dijeni të të dhënave, por me bindjen e
plotë se informacionet tona janë tërësisht të sakta,dhe janë të lidhura
me një grabitje me përmasa skandaloze më 28 qershor.
Ne i dhamë
mundësinë Sali Berishës të hapte të paktën një kuti, Ruzhdien, për të
treguar se mazhoranca që ai drejton është e gatshme të zgjidhë krizën
politike, për të treguar gjithashtu se nuk janë kundër transparencës,
kundër standardeve evropiane, kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Por Sali Berisha deri tani ka refuzuar.
Tashmë
që e vërteta e Ruzhdies ka filluar të shfaqet dhe fakte të reja po
dalin çdo ditë, përmasat e manipulimit elektoral të 28 qershorit po
bëhen gjithmonë e më të qarta.
Vetëm në një kuti votimi nga disa
mijëra në Shqipëri, më shumë se 3/5 e numrave të identifikimit të
votuesve janë të falsifikuara.
Fakti që Sali Berisha refuzon në
mënyrë të përsëritur të bëjë transparencën zgjedhore, tregon se
manipulimi elektoral që ka ndodhur në Ruzhdije nuk është një rast i
izoluar, por është vetëm maja e ajsbergut së grabitjes së votave dhe
falsifikimit të dokumenteve të identifikimit, të cilën Sali Berisha
kërkon ta fshehë me çdo kusht.
Ditën e enjte, Kryetari i Grupit
Parlamentar të Partisë Socialiste, paraqiti para shqiptarëve prova të
reja të grabitjes elektorale, përmes përdorimit të kartave të
identifikimit të falsifikuara në Tropojë, Dibër, Tiranë dhe Korçë.
I
bëjmë me dije Sali Berishës se ne jemi gati ti verifikojmë, një për
një, në kutitë e votimit numrat e kartave të falsifikuara të publikuara
nga zoti Ruci, dhe deklarojmë me përgjegjësi të plotë se në kutitë e 28
qershorit gjenden 70 mijë numra identiteti të falsifikuar.
Nëse Sali Berisha është i sigurtë se në kuti nuk fshihen numra identiteti të falsifikuar, ai duhet të pranojë hapjen e kutive.
Nëse
Sali Berisha është i sigurt se nuk ka asnjë lidhje me kartat e
identitetit të falsifikuara të paraqituara nga zoti Ruçi, dhe se ato
gjoja i paskemi prodhuar ne, këtë e sqaron vetëm hapja e kutive.
Deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore, politike dhe morale se nuk kam asnjë lidhje me prodhimin e atyre kartave.
Po
me të njëjtën përgjegjësi, i kërkoj Sali Berishës të sqarojë lidhjen e
tij me 70 mije numra identiteti të falsifikuar, duke pranuar hapjen e
kutive të 28 qershorit.
Tashmë çështja e manipulimit të zgjedhjeve nuk është më vetëm dhe thjesht një çështje e sistemit elektoral.
Tashmë,
për të gjithë shqiptarët është e qartë se grabitja e votave nga Sali
Berisha, është kthyer në një sistem të konsoliduar hajdutërie, që ka
vënë në rrezik jo vetëm demokracinë në vend, por ka vështirësuar jetën
e përditshme të çdo shqiptari.
Një qeveri të cilës nuk i
intereson mënyra se si votojnë qytetarët të cilëve u shërben, pasi në
çdo rast qëndron në pushtet përmes manipulimit e grabitjes dhe jo
përmes votës, është një qeveri të cilës nuk i intereson cilësia e jetës
së qytetarëve të vet.
Është një qeveri që nuk shqetësohet nga rritja
e çmimit të energjisë, nga shtrenjtimi i jetesës, nga shërbimet
skandaloze shëndetësore.
Është një qeveri që minatorëve nuk u jep statusin e merituar, por dajakun e komanduar nga zyra e Sali Berishës.
ShtypiDites