PASQYRA E SHTYPIT SHQIPTAR

PASQYRA E SHTYPIT SHQIPTAR

Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme zhvillimet e fundit në Kuvend për nismat e PS-së mbi hapjen e kutive, konkretisht në komisionin e Ligjeve ku PD nuk ka rënë dakord për këtë. Ato paraqesin edhe kuotat e pranimeve në Universitetin e Tiranës për vitin  2010-2011. Ndërkaq, një argument tjetër i të përditshmeve sot është edhe ajo e ligjit të SHISH, ku tregohet sesi kreu Bahri Shaqiri, do raportojë sot në Kuvend, sikundër flasin edhe për rizgjedhjen për herë të tretë të Armand Dukës në krye të FSHF-së.


E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Kutitë, nuk ka shpresa për kompromis”, i cili tregon sesi diskutimi në komisionin e Ligjeve i drafteve të Partisë Socialiste nuk është mbyllur me sukses.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Prokuroria dënon me 10 milionë lekë ish-deputetin Neranxi për kontrabandë me Greqinë”.

“Universiteti i Tiranës, kuotat për vitin  2010-2011” është artikulli tjetër në rubrikën e sociales, i cili citon faktin se ulet Ekonomiku, ndërsa Juridiku rritet me 3%.

Ndërsa çështja e krizës ekonomike mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “BERZH: Kriza greke rrezikon Shqipërinë”.

 
Gazeta “Panorama”
 publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Universiteti i Tiranës, kuotat për çdo degë”, i cili paraqet kuotat e pranimeve në Universitetin e Tiranës për vitin  2010-2011.

Artikull tjetër i kësaj gazete në kuadrin e problematikës së zgjedhjeve është edhe ai me titullin “Replikat në komisionin e Ligjeve, PD dhe PS ngecin te hapja e kutive”.

Ndërkaq, lidhur me çështjen e zgjedhjeve në FSHS në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titull “Armand Duka rizgjidhet kryetar i FSHF, Halili dhe Vata pranojnë humbjen”.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Proces-verbali i plotë, si u shkarkua kryetarja e Komisionit Civil”.

 
“Gazeta Shqiptare”
 ka si titull kryesor të saj “Diplomat false/ 50 biznesmenë dhe 1 deputet, e blenë dokumentin me 7 mijë euro”, i cli flet për një skandal me diplomat në Universitetin e Tetovës në Maqedoni.

Ndërsa në një artikull të veçantë në këtë të përditshme do të lexoni intervistën me titull “Aleksandër Meksi: Komunizmi, Berisha ngatërron viktimat dhe simbolet”.

Ndërkaq, paraqitet me artikull të veçantë çështja e incestit me titullin “Elbasan, adoleshenti seks me vëllanë 9-vjeçar”.

“Të rinjtë, shtohen radhët për teste mbi SIDA-n” është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje i cili i referohet sëmundjes së shekullit.

 
Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Kutitë, si dështoi Kuvendi në vitin 2005”, i cili i referohet një eksperience të mëparshme të Kuvendit lidhur me kërkesën për hapjen e kutive të votimit.

Ndërsa çështja e përgjimeve mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “SHISH, pajisje të re për dyfishimin e përgjimeve”.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Harta me tetë “oazet” periferike të hashashit”.

“UT, kuotat e reja të pranimeve” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

 
E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “Heqja e vizave, Fajon merr mbështetjen e BE-së”, i cili trajton argumentin sesi europarlamentarja ka marrë mbështetje për projektin mbi heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Ndërkaq, po lidhur me çështjen e vizave, paraqiten me artikull të veçantë deklaratat e bëra dje nga ministri i Brendshëm me titullin “Basha: Kriteret për vizat, Shqipëria i ka përmbushur”.

Artikull tjetër i kësaj gazete në kuadrin e problematikës së krizës ekonomike është edhe ai me titullin “FMN: Si e përballoi Shqipëria krizën globale”.

Ndërsa në rubrikën “intervista” do të lexoni një artikull të veçantë me titullin “Vasili: Nuk ka zgjedhje të parakohshme deri më 2013”.

 
Gazeta “Korrieri” hapet me titullin “Komisioni i Ligjeve, raport me dy qëndrime për kutitë”, i cili tregon sesi në komisionin e Ligjeve deputetët e PD nuk kanë rënë dakord me nismën e socialistëve për hapjen e kutive.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titull “Rrahja, ngrihet akuza e dytë për komisionarin e PD në Rruzhdie”.

Dhe si në të përditshmet e tjera, edhe këtu gjejmë të pasqyruar çështjen e vizave me titullin “PE, miratohet rregullorja për lëvizje të lirë pa viza në zonën Shengen”.

“Shkolla e Policisë, datat dhe vendet e konkurrimit” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.


NOA
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek