Konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës, që duhej t'i jepte fund krizës
politike në vend, duket i pamundur, pasi palët në Komisionin e Ligjeve
vijojnë të mbrojnë fort qëndrimet fillestare, për mënyrën sesi duhet të
bëhet transparenca e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Gjatë diskutimit në
parim për nismën e PS në lidhje me ndryshimet e propozuara për
funksionimin e komisioneve parlamentare, anëtarët e djathtë lanë qartë
të kuptohet se nuk do të pranojnë kushtin kryesor, që lidhet me hapjen
e kutive. Por opozita në komision argumentoi përmes debateve se
mazhoranca po lexon së mbrapthi kushtetutën, për të injoruar qëllimisht
transparencën që selia rozë kërkon nëpermjet ngritjes së komisionit
hetimor. Socialistët argumentuan se nuk cënohen kompetencat e organeve
të drejtësisë, por mazhoranca e ka përdorur këtë fakt për t'i kërkuar
PS ti drejtohet prokurorisë dhe jo hetimit parlamentar, nëse ka fakte
për manipulime zgjedhjesh. Në këtë pikë, palët iu referuan Rruzhdies
dhe falsifikimit me kartat e identitetit. Komisioni i ligjeve ka shtyrë
për të hënën diskutimet e tjera për projektligjin e Partisë Socialiste
për hetimin parlamentar. Në thelb, këto nisma, që do t'i paraqiten në
18 mars parlamentit, synojnë hetimin të pakushtëzuar të zgjedhjeve,
duke përfshirë hapjen e kutive. Një tjetër pikë, që kërkohet të
ndryshohet, lidhet me faktin që opozita të ketë gjithmonë shumicën në
këto komisione. Por ajo që ka sjellë më shumë debate, neni 4 i
projektligjit, lidhet me instrumentet e hetimit parlamentar, për të
cilat mazhoranca pretendon se ndërhyn në kompetencat e prokurorisë. Për
këtë, demokratët duket se do të përgatisin amendamente mbi ato të
socialistëve që mesa duket do të çojë palët me dy raporte në parlament.
Vizion +