Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka vazhduar
bashkëbisedimin me gazetarë në Korçë në kuadër të një procesi informues
në të gjithë vendin për qëndrimet dhe lëvizjet politike të forcës më të
madhe opozitare. Në këtë takim Rama është ndalur gjatë tek kriza
ekonomike në vend, tek çmimet e rritura të ushqimeve dhe çdo shërbimi
tjetër të cilat e kanë rritur shumë koston e jetesës duke e bërë të
papërballueshme atë. Rama tha se zhvlerësimi i lekut vepron si një
taksë e fshehtë në xhepat e shqiptarëve po jo vetëm kaq, faturat e
energjisë dhe rritja e të gjitha produkteve bazë janë çmim që
shqiptarët po paguajnë për shkak të një qeverie e cila i ka vjedhur
votat dhe nuk rrjedh nga vullneti i shqiptarëve. Kjo qeveri që nuk ka
ardhur nga vota e shqiptarëve nuk ka asnjë detyrim ndaj tyre tha Rama,
duke theksuar se beteja e PS për transparencë është gjithashtu beteja
për mirëqenie. E kemi lajmëruar opinionin publik për krizën ekonomike,
por qeveria me një propagandë të shfrenuar është përpjekur ta mbulojë
atë. Kryetari Rama duke iu përgjigjur shumë pyetjeve të drejtuara nga
gazetarët në qytetin e Korçës është përgjigjur lidhur edhe me
kundërshtitë që ka PS për ligjin e SHISH.
Më poshtë bashkëbisedimi i Edi Ramës me gazetarët në qytetin e Korçës
Z. Rama, a do të ishte më e udhës që përkrah këtyre protestave për hapjen e kutive ose përpara këtyre protestave të kishte protesta për rritjen e çmimeve për krizën ekonomike dhe për plot probleme të tjera, cenimin e pavarësisë së pushtetit lokal dhe probleme të pafundme që ka sot?
E vërteta është se të gjitha këto çështje ne i kemi trajtuar si pjesë e pandashme e protestave tona. Në protesta tona dhe gjatë gjithë kësaj proteste sepse ne vazhdojmë të jemi në protestë vijimësisht, përditë, edhe vetë bojkoti i parlamentit ishte shprehje e protestës. Ne asnjëherë nuk i kemi trajtuar kutitë si sende dhe kjo betejë nuk është një betejë për pronësinë për ato sende, nuk është një betejë mes dy palësh që grinden për një pronë, sepse ato kuti nuk janë thjesht kutitë ku gjenden lista zgjedhësish, gjenden procesverbale, gjenden fletë votimi, por janë kutitë me të cilat lidhet pikërisht gjithçka po ndodh pas 28 qershorit sepse vullneti i popullit i shprehur në ato kuti është deformuar dhe si pasojë edhe qeverisja që buron nga ky deformim nuk mund të jetë tjetër veçse një deformim që deformon. Në demokraci qeveria funksionin në shërbim të qytetarëve për arsyen e thjeshtë se varet nga qytetarët, për arsyen e thjeshtë se vota e qytetarëve e mban qeverinë dhe vetëm nëpërmjet votës së qytetarëve qeveria mund të rimandatohet, por nëqoftëse qeveria nuk ka nevojë për votën e qytetarëve sepse ua merr atyre votën edhe po nuk ia dhanë atëherë vetvetiu këtu ndodh një deformim shumë i madh sepse në këtë moment qeveria nuk ka më nevojë të mendojë sesi t'ju shërbejë më mirë qytetarëve sepse nuk ndjen varësinë prej tyre, por përkundrazi i trajton qytetarët përditë e më keq si robër të saj dhe thjesht e vetëm si një bezdi e përditshme për të. Për këtë arsye beteja për kutitë është një betejë për mënyrën sesi qeveriset vendi, është një betejë për cilësinë e procesit qeverisës. Transparenca e atyre kutive e cila do të garantojë zgjedhjet e ardhshme në kuptimin që do të garantojë varësinë e qeverisë dhe të qeverisjes nga qytetari lidhet edhe me fatin e atyre tokave të përmbytura, lidhet edhe me fatin e atyre faturave te energjisë të cilat nuk kanë ardhur nënë dyert e familjeve shqiptare me rritjen 13.2% siç ishte paralajmëruar dhe siç ishte ligjëruar, por kanë ardhur me një rritje 30%, një grabitje e hapur ditën për diell dhe po ditën për diell kryeministri i vendit, kryeministër me vendim gjykate, jo me vendim të popullit sovran, del edhe thotë janë bërë ca gabime teknike, por ju na njoftoni dhe ne do t’ju rimbursojmë. Qëkur është bërë kryeministër në 2005 dy gjëra ka përsëritur Sali Berisha sa herë ka mundur njëra ka qenë 6 mujorshin e ardhshëm do liberalizojmë vizat, tjetra ka qenë do rimbursojmë çdo qindarkë, për çdo gjë që ka ndodhur, as vizat nuk i ka liberalizuar, as ndonjë rimbursim nuk ka bërë që nga 2005 deri më sot qeveria për askënd. Dhe sot gjendja është edhe më e rëndë pikërisht sepse në rast se në 2005 pavarësisht shumë çrregullimeve, shumë parregullsive të procesit zgjedhor ajo qeveri ishte produkt i një procesi demokratik kësaj radhe ajo qeveri nuk është më produkt i një procesi demokratik, por është produkt i një procesi korruptiv dhe rezultat direkt i një krimi elektoral. Kjo është arsyeja pse lufta për transparencën është në fakt një luftë për mirëqenien, është në fakt një luftë për të garantuar kushtin bazë të demokracisë varësinë e qeverisë nga qytetari dhe jo anasjelltas.
PS ka kundërshtuar ligjin për SHISH, n.q.s kuvendi do të miratojë këtë ligj më përmbajtjen aktuale a do të shkoni ju në gjykatën kushtetuese?
Ne nuk do ta lejojmë kuvendin ta miratojë këtë ligj, nuk do ketë asnjë mundësi kuvendi ta miratojë këtë ligj.
Po numrat mazhoranca aktuale i ka?
Opozita nuk është numra, opozita është kauzë dhe në kushtet kur kërkohet të miratohet një ligj që cënon drejtpërdrejtë interesin publik të shoqërisë sonë, cënon drejtpërdrejtë interesin e çdo qytetari për të qenë i sigurt në vendin e vetë, cënon drejtpërdrejtë dhe interesin kombëtar të këtij vendi në marrëdhënie me partnerët e vet të mëdhenj atëherë çdo kujt dhe opozitës në radhë të parë i lind e drejta që ta bllokojë këtë cënim dhe kërcënim të hapur me çdo mjet.
A po shkon sipas jush z. Rama në zgjedhjet e parakohshme?
Vendi po shkon drejt zgjidhjes, sesi do të vijë zgjidhja kjo është një çështje që do ta shohim, por që vendi po shkon drejt zgjidhjes kjo nuk ka pikë dyshimi. Vendi nuk mund ta mbajë dot në kurriz, një pushtet i cili buron nga një krim elektoral dhe i cili refuzon të drejtën e përfaqësuesve të popullit për të ushtruar kontrollin kushtetues parlamentar në funksion të transparencës dhe të nxjerrjes së përgjegjësive ligjore, të të gjithë atyre që administrimin e procesit zgjedhor e kanë kthyer në një proces kriminal si ai që të gjithë ju e patë në Ruzhdie. Deputetët e PS do të shkojnë rregullisht në parlament, apo vetëm në seanca të caktuara? Deputetët e PS do të shkojnë në komisionin e ligjeve ku do të vazhdojnë të kërkojnë zgjidhjen dhe do të jenë të pranishëm në debatin përfundimtar, për të kërkuar edhe në atë debat zgjidhjen. Për të tjerat do të shikojmë pas kësaj. Mbetemi me shpresë se pala tjetër do të reflektojë edhe në funksion të kërkesës së hapur tanimë edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë për të gjetur zgjidhje përpara 18 marsit. I takon z. Berisha të japë zgjidhjen pasi opozita ka dhënë gjithçka ka pasur në dorë. Opozita ka dhënë kompromis duke njohur një rezultat i cili nuk është rezultati i shprehjes së lirë të vullnetit të popullit. Opozita ka dhënë kompromis duke deklaruar publikisht se hetimin e zgjedhjeve nuk e kërkon për të ndryshuar rezultatin dhe nuk do të kërkojë ndryshim rezultati në rast se nga hetimi do të dalë e vërteta që rezultati i 28 qershorit nuk është rezultati real dhe te opozita ka dhënë kompromis duke hyrë në atë parlament dhe duke propozuar një draft për ndryshimin e ligjit ekzistues dhe një vendim për ngritjen e komisionit. Ne e kemi propozuar draftin për ndryshimin e ligjit ekzistues, sepse duam që kjo të kthehet në një praktikë normale të parlamentit pas çdo palë zgjedhjesh. Pas çdo palë zgjedhjesh pakica të ketë të drejtën me ligj të bëjë transparencën dhe të hetojë rregullsinë e procesit zgjedhor. Duhet një proces zinxhir i cili do ti mbajë të gjithë ata që do të përfshihen në administrimin e zgjedhjeve jo vetëm të vetëdijshëm për detyrën që kanë, por edhe larg votës së popullit në kuptimin e mos cënimit të saj, e mos futjes së duarve në kutitë e votimit. Pra ne duam që parlamenti shqiptar të kthehet në një fuqi që garanton lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve.
| Tiranë | 1 | °C | |
| Prishtinë | -9 | °C | |
| Ulqin | -1 | °C | |
| Shkup | -9 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 135.90 | 141.67 |
| USD | 103.50 | 107.90 |
| GPB | 163.69 | 170.64 |
| CHF | 112.68 | 117.47 |