Majko:Vizita e Metės nė Serbi ishte e gabuar dhe kundėr interesave tė Kosovės

Majko:Vizita e Metės nė Serbi ishte e gabuar dhe kundėr interesave tė Kosovės

Ish-kryeministri dhe njëkohësisht deputet i PS, Pandeli Majko, e ka cilësuar vizitën  zëvendëskryeministrit Meta në Serbi, si të gabuar dhe kundër interesave të Kosovës. Majko u shpreh se me vizitën e tij në Serbi, ministri i Jashtëm shqiptar Ilir Meta i shërbeu interesave serbe, pikërisht në një moment të rëndësishëm për fatet e Kosovës.

Majko theksoi gjithashtu se vizita e Metës në Beograd, jo vetëm që ishte kundër kosovarëve, por sipas tij, kjo vizitë do të krijojë shumë telashe në lidhje me çështjen e mprehtë të Kosovës. Në këtë kuadër Majko ka theksuar se qëndrimi i butë i Metës në Beograd për Kosovën, i bën më të besueshme në sytë e ndërkombëtarëve pretendimet dhe qëndrimin e ashpër të Serbisë karshi Kosovës. “Kjo vizitë e gabuar në kohën e gabuar në thelb i shërben Beogradit. Aktualisht Shqipëria nga kjo vizitë  nuk ka fituar asnjë gjë. Kjo është vizitë e gabuar, në kohë të gabuar. Në një mënyrë a në një tjetër e ka ndihmuar Beogradin, të paktën në perceptim të shfaqet si një qendër e rëndësishme përsëri e vendimmarrjes ballkanike. Kjo vizitë e gabuar, në kohë të gabuar realisht krijon telashe, probleme, keqinterpretim dhe një perceptim negativ. Unë jam i bindur jo vetëm brenda Shqipërisë po dhe jashtë asaj, Serbia pas kësaj vizite bëhet dhe më e besueshme në qëndrimin e ashpër karshi Kosovës. Merr një fizionomi dhe më rajonale duke e përdorur këtë mbikalim që diplomacia shqiptare i bën Kosovës”, tha Pandeli Majko. Për vizitën e Metës në Serbi, Majko sheh me dyshim trajtimin e Kosovës si një çështje të thjeshtë, ndërsa njëkohësisht tha ai na del në pah një minoritet serb i paqenë ndonjëherë në Shqipëri. 

Çështja e Kosovës u trajtua si emri i Maqedonisë 
Duke krijuar në tërësi vizitën, Majko theksoi se palët diskutuan në Beograd për Kosovën thua se po diskutonin për çështjen e emrit të Maqedonisë. Deputeti socialist Majko i konsideroi si tepër inferiore dhe shpërfillje sjelljet e Metës në Beograd për çështjen e Kosovës. “Për fat të keq, diplomacia shqiptare çështjen e Kosovës dhe gjatë kësaj vizite e ka trajtuar si një çështje ku palët nuk bien dakord, a thua se çështja e Kosovës është si çështja e emrit të Maqedonisë në marrëdhëniet me Greqinë. Me një naivitet politik hapen diskutime që kanë të bëjnë me çështjen e ekzistencës së një minoriteti serb në Shqipëri. Minoritet serb nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë. Mund të jetë një gango që ka ardhur e po bën namin këtu, dhe që emrin e ka Fazlliç”, vijon Majko.Ish kryeministri vërejti sjelljen inferiore të ministrit të Jashtëm Ilir Metës në Serbi, i cili fliste për të ardhmen e Ballkanit në Evropën e Bashkuar, ndërkohë që serbët vazhdojnë t’i qëndrojnë agresive në interesin e tyre kombëtar. 

Politika serbe 
Majko theksoi qëndrimi i Metës karshi çështjes së Kosovës në Serbi nuk mund të justifikohet me një diplomaci, e cila na çon drejt Bashkimit Evropian. Majko tha se një qëndrim i butë e palës shqiptare për çështjen e Kosovës nuk zgjidhe asgjë, por përkundrazi u krijon një të drejtë serbëve, të cilët do të mendojnë se paskan të drejtë. “Ideja se kjo është një diplomaci që na çon drejt Brukselit, se do të uli tensionet, se do të shmangi një përplasje në vazhdim brenda Kosovës...ai që e njeh politikën serbe, e kupton politikën serbe e di shumë mirë se nëse do të duhet respektuar në një gjë politika serbe nuk janë mënyra se si ajo të ofron protokollin për të pritur kur ka interes dhe nevojë. është politikë e Beogradit që pranon që Kosova të mos jetë në asnjë tavolinë, në mes të Tiranës, delegacioni i Serbisë u largua kur ministri i Kosovës morri fjalën”, përfundon Majko.


Vizita e Metës në Serbi 
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta, ka zhvilluar dy ditë më parë një vizitë dy ditore në Beograd, ku ndër të tjerë ka takuar edhe homologun e tij serb, Vuk Jeremiç. Ndërkaq, tre ditë më parë, Meta ka zhvilluar homazhe pranë varrit të ish-kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç, i cili humbi jetën gjatë një atentati që iu krye vite më parë, ku pikërisht, homazhet përkojnë me 7-vjetorin e vrasjes së tij. Të pranishëm gjatë homazheve kanë qenë bashkëshortja e ish-kryeministrit serb Xhinxhiç, si dhe bashkëshortja e zëvendëskryeministrit Meta, Monika Kryemadhi. Në fjalën e tij, Meta u shpreh se ishte obligimi të nderoj kujtimin e Zoran Xhinxhiç. Ai ka bërë dhe një vlerësim të figurës së tij duke shtuar se mbetet simbol i forcave progresiste. Meta ka theksuar se vizoni i shprehur më parë nga Xhinxhiç ka bërë që Serbia të jetë më afër integrimit evropian. Meta gjithashtu ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Presidentin e Republikës së Serbisë Boris Tadiç. 

Marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe roli i Shqipërisë 
Mbi marrëdhëniet kontradiktore dhe komplekse midis Kosovës dhe Serbisë, varet jo vetëm stabiliteti në rajon, por edhe stabiliteti në Evropë. Ndonëse pavarësinë e Kosovës e kanë njohur mbi 56 shtetet më të fuqishme të botës, përfshi këtu edhe SHBA, Serbia ende nuk heq dorë se Kosova është një pjesë e saj. Si pasoj e kësaj politike, edhe raportet e Shqipërisë me Serbinë kanë qenë të ftohta dhe herë-herë armiqësore. Edhe për shkak se ndarja e Shqipërisë dhe Kosovës ndarja është vetëm formale, vendi ynë e ka mbështet fuqishëm pavarësinë e Kosovës, madje ka qenë i gatshëm gjithmonë për ta mbrojtur me çdo mjet. Kësisoj, vizita e një ministri shqiptar në Beograd ka qenë e një interesi të veçantë, megjithëse nuk solli asgjë të re në marrëdhëniet armiqësore midis Prishtinës dhe Beogradit. 


Gazeta Sot
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek