Seanca e mbremshme plenare debatoi për orë të tëra mbi dy nismat e paraqitura nga grupi Parlamentar socialist, projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, si dhe projektvendimin “Për ngritjen e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në 28 qershor 2009”.
Në hapje të seancës, Kryetarja e Kuvendit njoftoi deputetët në lidhje me vendimin e marrë mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për të patur në rendin e ditës diskutimet mbiu dy nismat e PS.
Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, paraqiti qëndrimin e opozitës, duke theksuar se Partia Socialiste kërkon verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit, identifikimin e problemeve, marrjen e masave për korrigjimin e tyre në proceset e ardhshme. "Opozita- tha ai ka njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi, lexoi raportin e Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për projektligjin në fjalë. Krahas analizës ligjore të projektligjit nga relatorët, raporti arrin në konkluzionin se projektligji përfundimtar, përbën një arritje dhe një standard të ri normativ, për Parlamentin.
Raporti, ndër të tjera, vë në dukje se projektligji përfundimtar “njëkohësisht mbart edhe një mesazh të fortë për shoqërinë shqiptare, sidomos në respektimin e influencës parlamentare dhe parimit të mirënjohur të ndarjes së pushteteve.
Kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij theksoi vullnetin e mazhorancës për të bërë transparencën e zgjedhjeve mbi bazën e respektimit të kushtetutës dhe ligjeve të vendit, duke shprehur gadishmërinë për t’i dhënë opozitës shumicën në komisionin hetimor parlamentar.
Kryeministri tha se ofertën e kësaj mazhorance e refuzojnë vetëm ata që kanë frikë nga transparenca.
"S'ka ndodhur ndonjëherë në histori, kurrë, që shumica t’i japë pakicës shumicën. Këtë e bëj unë, e bëjmë ne, e bën kjo shumicë. Sepse duam t’ju japim një rrugëdalje për të qenë këtu në vendin ku ju kanë prurë zgjedhësit.
"Të kthehemi së bashku në vitin 2005, kur kemi votuar së bashku kundër hapjes së kutive. Edhe kur kanë kërkuar të tjerët, keni votuar së bashku. Po pse? Jo se nuk kemi pasur kureshtje ne. Kemi pasur kureshtje dhe në atë kohë keni pasur fakte dhe në atë kohë arbitri ndërkombëtar, në vitin 2001, kërkoi që Parlamenti të hetojë: “to investigate dhe inquire the election”. Po nuk e bëmë me kutitë ne atë. Nuk e bëmë me kutitë, jo se nuk donim. Por nuk e bëmë sepse që të dy palët ishim të detyruara t’i përmbaheshim shtetit ligjor, të mos merrnim në dorë atë pushtet që nuk na përkiste".
Kryeministri Berisha, theksoi se Parlamenti nuk mund të marrë atributet e Prokurorisë ose të gjykatës ftoi përfaqësuesit e opozitës që t’i drejtohen organit të prokurorisë dhe të paraqesin faktet nëse disponon.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin maksimal për komisionerët e Partisë Socialiste, të cilët , janë cilësuar si garantët e votës së qytetarëve, edhe nga 510 vëzhgues të procesit zgjedhor të 28 qershorit,
Pas një seancë maratonë të diskutimeve të deputetëve të pozitës dhe opozitës, deputetët ranë dakort që diskutimet të vijojë të vijojnë datën 19 mars, ora 09.00
Kuvendi