rotestë dhe vetëm protestë.. – është shprehur sot Kryetari i PS, Edi Rama, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmë në Kuvendin e Shqipërisë. “PS dhe opozita e bashkuar do të lëvizi me shpejtësi drejt nxjerrjes në të gjitha hapësirat publike të vendit të protestuesve dhe do të organizojë një valë protestash të cilat nuk do të ndalen pa u venë në vend e drejta për transparence. Dhe në këto protesta në mënyrë të qartë, pa asnjë ekuivok, do të kërkojmë largimin e qeverisë, - tha Rama në një bashkëbisedim me gazetarët në selinë e PS.
Më poshtë fjala e plotë e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në një bashkëbisedim me mediat:
Mbrëmë jeni të gjithë dëshmitarë, në parlamentin shqiptar ndodhi një ngjarje e rëndë, e cila është e vështirë të përshkruhet me fjalë, po për të cilën është e pamundur që të heshtet.
Mbrëmë, në sallën e kuvendit, u vendos jo vullneti i shumicës së popullit shqiptar po diktati i pakicës së 28 qershorit që u bë shumicë me identitete e nënshkrime të vjedhura si në Ruzhdie dhe që dje e ktheu votimin e parlamentit njësoj si votimin e Ruzhdies, duke vjedhur firmat e deputetëve të opozitës për të votuar një nisëm të opozitës, të cilën deputetët e opozitës e tërhoqën, bazuar në rregulloren e kuvendit dhe në vullnetin e mirë për të mos e flakur në humnerë një gur themeli për të ngritur pastaj mbi të zgjidhjen.
Sipas Kushtetutës komisioni hetimor ngrihet me kërkesën e 28 deputetëve dhe për ngritjen e tij ka një procedurë të përcaktuar shumë qartë.
Kurse dje edhe në parlament ndodhi ajo që ndodhi në KQZ për shpalljen e rezultatit zgjedhor, kur me dhunën e kartonave u mohua një e drejtë e ligjshme për transparencë dhe rinumërim dhe dje me dhunën e kartonave u dhunua një e drejtë kushtetuse, u mohua një e drejtë ligjore, u asgjesua një e drejtë proceduriale. Njësoj si në Ruzhdie.
Nga të njëjtët njerëz që orkestruan votimin në të gjithë Ruzhdiet e Shqipërisë në 28 qershor. Me të njëjtën frymë antidemokratike që dhunoi vullnetin e njerëzve në të gjitha Ruzhdiet.
Dhe mbrëmë parlamenti shqiptar u bë parlamenti i Ruzhdies dhe kriza sot, është më e thellë se ç’ishte dje.
Përpjekjes shumë serioze të Partisë Socialiste dhe të opozitës në tërësi për zgjidhje, kushtetuse dhe transparente me mjetet parlamentare në funksion të trasnparencës së plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve si edhe apelit këmbëngulës të të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë për dialog dhe kompromis, qeveria e Ruzhdies iu përgjigj duke vendosur përballë arsyes diktatin dhe përballë transparencës murin që pengon hapjen në dritën e diellit të atyre kutive ku qëndrojnë rrënjët e së keqes që ka kapur për fyti vendin.
Gjatë tetë muajve të fundit rruga e Partisë Socialiste ka qenë një rrugë e vështirë, por një rrugë e qartë dhe një rrugë në të cilën ne kemi ecur dhe do vazhdojmë të ecim duke qenë të qartë me opinionin publik dhe me miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë.
U përballëm me një fushatë zgjedhore të pandershme, dhe aspak të barabartë. Më pas me një proces numërimi votash që numëronte keq, ose shumë keq një të tretën e votave. U përballëm me akuza, diversione dhe sharje nga më të ndryshmet, që kishin për qëllim vetëm tulatjen e aksionit tonë opozitar për transparencë.
Megjithate ne e përparuam kauzën tonë duke qenë në çdo çast të interesuar për zgjidhjen në funksion të interesit publik dhe këtë zgjidhje e kërkuam në mënyrë këmbëngulëse, por edhe shumë të matur, madje i ndaluam protestat dhe i dhamë parlamentit një shans. Paraqitëm dy nisma për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar që nuk do të ndryshonte kurrsesi rezultatin e zgjedhjeve, të cilin ne e njohëm qysh në krye të herës, por do të bënte autopsinë e zgjedhjeve, për të mos lejuar që zgjedhjet e ardhshme të vdesim nga e njëjta sëmundje.
E dhamë kontributin tonë në komisionin e ligjeve, dhe në një seancë maratonë ku u pa qartë se kush i friket transparencës dhe kush e kërkon transparencën. Dhe përtej të gjitha lojrave të shëmtuara të fjalëve të zgjedhura e të pazgjedhura, fakti është shumë i thjeshtë, nuk mund të ketë transparencë pa hapjen e kutive.
Dhe çfarëdo procesi në emër të transparencës që përjashton hapjen e kutive, është një proces për të mbajtur mbyllur kutitë, duke mbajtur mbyllur edhe të vërtetën e madhe që mund të dalë vetëm nga transparenca.
Kemi folur gjerë e gjatë gjatë gjithë këtyre muajve, po nuk është e tepërt të përsëris pa u lodhur se ajo që kërkuam në gjithë këta muaj dhe ajo që nuk do të rreshtim së kërkuari është thjesht dhe vetëm një e drejtë elementare. Transparenca e votës së popullit, një e drejtë që bazohet në vlerat europiane dhe në të drejtën kushtetuse dhe në detyrimin e vetë parlamentit për të ushtruar kontrollin e tij për një çështje të interesit publik, duke hetuar si është zbatuar një ligj i aprovuar po prej tij.
Të gjithë janë dëshmitarë se në të gjitha përpjekjet tona ne e kemi shpjeguar qartë se s’ka asnjë pengesë të asnjë natyre, madje të gjithë janë dëshmitarë se ka një precedent, ai i vitit 2005 kur as nuk ka dalë si problem hapja e kutive pasi ajo i është lejuar komisionit hetimor të kohës.
Gjithçka që ndodhi deri mbrëmë në përpjekjen për ta zgjidhur këtë krizë, e cila, e përsëris, sot është më e thellë se dje, u përplas në murin e kartonave të ngritur duke dhunuar edhe procedurën e vendosur nga vetë kuvendi.
Mbrëmë qeveria e Ruzhdies, në parlamentin e Ruzhdies, u tregoi gjithë shqiptarëve që i ka grabitur votat, që i trembet nxjerrjes të së vërtetës së kutive si djalli temjanit dhe që është e vendosur të vazhdojë me kokëfortësi në një rrugë qorre, në kundërshtim me detyrimin që ka ndaj popullit bazuar në kushtetutë dhe në ligj dhe në kundërshtim me vetë interesin e saj.
Sot është një ditë e re dhe është një situatë e re dhe unë sot, Partisë Socialiste të Shqipërisë, të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, aleatëve tradicionalë e të rinj, popullit opozitar në tërësi dhe të gjithë shqiptarëve dhe shqiptareve nuk u ofroj asgjë më shumë se sa këmbëngulje edhe më të madhe, vullnet edhe më të palëkundur dhe kurajo edhe më të patjetërsueshme për ti shkuar deri në fund kësaj beteje, e cila është një betejë për të europianizuar Shqipërinë, duke europianizuar zgjedhjet. E cila është një betejë për të mos lejuar që pushteti në Shqipëri të marrë votat e qytetarëve edhe kur ata nuk ia japin, duke u kthyer nga një qeveri demokratike në një regjim antidemokratik, duke e kthyer qeverisjen demokratike në një sundim antidemokratik.
Këmbëngulje për të çuar përpara një kauzë që tanimë është e qartë si drita e diellit për të gjithë, vullnet për të punuar së bashku, në krah të njëri- tjetrit, çdo ditë, çdo orë, çdo minutë derisa e drejta të vihet në vend.
Kurajo dhe shpresë, me besimin se kjo krizë që ka mbërthyer Shqipërinë do të zgjidhet e bashkë me të do largohet edhe e keqja që e ka mbërthyer Shqipërinë për fyti duke iu marrë shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe duke vendosur padrejtësinë në themelin e procesit demokratik.
Përpara nesh qëndron një armik i transparencës, i parlamentarizmit, i kushtetutës dhe i vetë demokracisë.
Një forcë, e cila është identifikuar, jo thjesht me Ruzhdien si një fenomen, po me Ruzhdien si një metedologji. Një metodologji që e patë të gjithë u vu në lëvizje dhe mbrëmë, duke ja u vjedhur firmat deputetëve të opozitës aty për aty, dhe duke votuar një nismë që ishte e opozitës dhe që u tërhoq nga opozita, për të vazhduar dhe lenë hapur rrugën e dialogut, ballafaqimit dhe kompromisit.
Dhe u ngrit një komision hetimor, i cili rezulton i pakërkuar nga ata që e ngritën dhe që thonë se do ta vënë në jetë. Kjo është një farsë që është një argument më shumë për një betejë, e cila sot jemi akoma më të vendosur ta vazhdojmë. Një pushtet i cili arrin deri në pikën ku arriti mbrëmë është një pushtet që nuk ndalet përpara asgjëje në raport me një qytetar të thjeshtë dhe këtë ne nuk mund ta lejojmë sepse jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, jemi opozita shqiptare e bashkuar me plot parti, faktor dhe aktorë shoqërorë që nuk mund të lejojë një deformim prej të cilit buron vetëm krizë tërësore për ekonominë, për drejtësinë, për demokracinë.
Pyetjet:
Së pari besoj që të gjithë jeni dëshmitarë se opozita zhvilloi protesta dhe në kuadrin e këtyre protestave zhvilloi dhe një protestë të zhvilluar kurrë më parë për lirinë e votës në Shqipëri për nga angazhimi dhe përmasat e pjesmarrjes. Dhe pa asnjë dyshim ne jo vetëm nuk i kemi përdorur protestat si kërcënim po kemi vazhduar të punojmë paralelisht për ti organizuar ato të vetëdijshëm se mund të gjendeshim përpara një situate si kjo ku jemi sot me refuzimin kategorik të çdo mundësie për zgjidhje përfshirë dhe mundësinë që ju përmendët dhe pavarësisht se nuk e kishim menduar edhe pse nuk jemi të befasuar, atë mënyrë të shëmtuar të turpshme me të cilën u mbyll mbrëmë një dialog apo një përpjekje për dialog e jona që ndeshi në vesh të shurdhër.
Thënë kjo dy gjëra janë të qarta, PS dhe opozita e bashkuar do të lëvizi me shpejtësi drejt nxjerrjes në të gjitha hapësirat publike të vendit të protestuesve dhe do të organizojë një valë protestash të cilat nuk do të ndalen pa u venë në vend e drejta për transparence. Dhe në këto protesta në mënyrë të qartë, pa asnjë ekuivok, do të kërkojmë largimin e qeverisë.
Nuk patëm nga pala tjetër asnjë propozim, patëm vetëm refuzimin për t’ju afruar kutive. Kutitë janë për palën tjetër temjani që tmerron djallin, sepse në kuti fshihet e vërteta që pala tjetër nuk i ka marë votat për të qeverisur Shqipërinë po i ka grabitur ato duke tjetërsuar vullnetin e popullit. S’ka asnjë njeri që të mos jetë në gjendje ta kuptojë tashmë se duke i ikur kutive me një tmerr që duket qartë në të gjithë mënyrën sesi argumentohet refuzimi për ti hapur ato, pala tjetër i ikën si krimineli vendit ku ka kryer krimin.
Ky nuk është parlamenti i Shqipërisë ky është parlamenti i Ruzhdies. Me atë që ndodhi mbrëmë në fund të seancës, tanimë ky nuk është thjesht një krahasim simbolik, por është një krahasim qartësisht literal. Dje parlamenti ose me saktë shumica në parlament e dalë nga zgjedhjet si ato në Ruzhdie u soll njësoj si komisionerët e Ruzhdies, duke grabitur firmat e deputetëve të opozitës, duke refuzuar të respektojë procedurën e miratuar nga vetë parlamenti, duke mos pranuar vullnetin e mbështetur mbi rregulloren e parlamentit për të tërhequr nismën dhe duke votuar një nisëm që s’ishte e vetja.
Ky është një parlament që është fare e qartë nuk mund të bëj dot ligje për qytetarët e Shqipërisë. Dhe kjo është një arsye më shumë që ne të protestojmë për largimin e qeverisë, shpërndarjen e parlamentit dhe krijimin e kushteve që shqiptarët të rizgjedhin.
- Kjo nuk është një rrugë e lehtë, kjo është një rrugë e vështirë, siç do rrugë për të vendosur një të drejtë të marr peng. Por kjo nuk është një arsye më pak, kjo është një arsye më shumë, që ne të vazhdojmë betejën në këtë rrugë. Dhe sigurisht për të gjitha detajet ne do të jemi konkret në ditët në vijim, qoftë për mënyrën sesi do të përcaktojmë marrdhënien me parlamentin, qoftë për mënyrën sesi do të përcaktojmë edhe hapat për ngritjen e valës së protestave. Por është e sigurtë që qoftë në njërin aspekt, qoftë në aspektin tjetër, ne jemi të vetëdijshëm për barrën e madhe që kemi për të moslejuar që në Shqipëri të konsolidohet një sistem që duhet shkulur nga rrënjët. Rrënjët janë tek vota, gjenden tek kutitë e votimit dhe ne nuk duhet dhe do të bëjmë çmos që të mos lejojmë që ai sistem të kthehet në një normë në jetën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Do të ishte fundi i çdo perspektive dhe i çdo shprese për të pasur një Shqipëri europiane, për të pasur një Shqipëri pa krizë ekonomike, për të pasur një Shqipëri pa krizë të shtetit të së drejtër, për të pasur një Shqipëri pa krizë të demokracisë për një sërë vitesh.
Ne do të zhvillojmë një betejë, e cila nuk fillon sot por e cila sot hyn në një fazë të re. Dhe ka qenë e qartë qysh në krye të herës dhe mbetet e qartë sot e gjith ditën, se ne nuk do ta pranojmë kokulur realitetin e shëmtuar të një demokracie të marr peng, të një ekonomie që po shkatërrohet nga keqqeverisja, të një shteti të së drejtës që po shembet përditë. Dhe do të bëjmë gjithçka na takon për të qenë bashkë me popullin, në përpjekjen legjitime për të vendosur një të drejtë që popullit nuk mund t’ja mari një qeveri e dalë nga grabitja e zgjedhjeve, që kërkon të grabisë tërë Shqipërinë.
- Ne do të kërkojmë largimin e qeverisë me protesta dhe do të kërkojmë pa asnjë lëkundje, pa asnjë ngurim, pa asnjë dyshim, transparencën si themel i të nesërmes. Ka vetëm një mënyrë për të ndalur valën e protestave dhe kjo është hapja e kutive. N.q.s qeveria do të vazhdojë të sillet me popullin shqiptarë si komisioni i Ruzhdies me votuesit, atëhere do të marrë përgjigjen që meriton, përgjigjen që çdo popull që ka rrespekt për veten e vet jep në kushtet kur i mohohet një e drejtë themelore, si e drejta për të zgjedhur.
- Kjo është një çështje që do të trajtohet dhe do të vendoset duke diskutuar edhe me të tjerët, deputetët, por është e sigurtë që nuk ka normalizim të marrëdhënieve me parlamentin.
- Ne ishim 48 orë në sallën e parlamentit pikërisht sepse kërkonim zgjidhjen dhe kërkonim konsensusin, bazuar mbi kushtetutën dhe mbi nevojën për transparence. Jo vetëm na u mohua një e drejtë, jo vetëm nuk u bë asnjë përpjekje për të dhenë një zgjidhje, por në fund fare u bë një veprim që shtoi arsyet për ta refuzuar këtë parlament si një parlament i Shqipërisë dhe i të gjithë shqiptarëve dhe për ta identifikuar më qartë si parlamenti i Ruzhdies ku qeveria e Ruzhdies kërkon të ruzhdifikojë të gjithë jetën demokratike në Shqipëri. Kjo është e pamundur dhe e pa tolerueshme dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrimin tonë karshi shqiptarëve për të luftuar bashkë me ta dhe në emër të interesit të tyre që Shqipëria të ketë një parlament të sajin dhe jo një parlament të Ruzhdies që me metodologjinë e përdorur në Ruzhdie të bëjë ligje dhe të diktojë mbi jetën e shqiptarëve.
- Ndërkohë që ne kemi qenë në protestë vijimësisht, se kemi ndalur asnjëherë protestën. Sot hyjmë në një fazë të re dhe thirrja jonë e përditshme për shqiptarët do të jetë, protestë e vetëm protestë, sepse çdo gjë që sot shkon mbrapsht në jetën e tyre i ka rrënjët tek ato kuti të mbyllura dhe një qeveri që nuk ka kurajon të tregoj këmbët të cilat i ka të zhytura në batakun e grabitjes së zgjedhjeve, është një qeveri që vetëm në batak mund ta zhysë vendin dhe mund të zhysë ashtu siç po i zhyt, komunitetet dhe familjet shqiptare që sot nuk kanë mundësi të përballojnë jetesën. Prandaj kjo është një protestë që buron nga e drejta për transparencë, por që nuk kufizohet as sesi tek sendi kuti, por është e gjërë sa ç’është e gjerë aspirata e njerëzve në këtë vend për të jetuar normalisht e denjësisht. Sa ç’është e gjërë e drejta e njerëzve për tu shërbyer nga qeveria normalisht e denjësisht. Dhe për këtë arsye ne do të inkurajojmë çdo protestë në çdo cep të vendit, në çdo bashki e komunë, për çdo cështje që është një problem i njerëzve që mbetet pa zgjidhur, për shkak të keq qeverisjes dhe do të jemi bashkë me njerëzit kudo duke udhëhequr një proces i cili duhet të sjell çlirimin e zgjedhjeve për të çliruar zgjidhjet për shoqërinë shqiptare. Nuk është më një moment kur duhet të japim shpjegime, shpjegimet janë dhënë të tëra dhe tanimë i gjithë opinioni publik është i qartë se votat e 28 qershorit janë grabitur dhe se rezultati i 28 qershorit është një rezultat i ndryshëm nga ai që gjendet në kutitë e votimit. Sot ne thjesht dhe vetëm duhet të japim mbështetje për çdo qytetarë që për shkak se qeveria ndjehet e vet sigurt ngaqë ja mer votën edhe kur qytetari s’ja jep, pëson të gjitha këto të këqia që pasojnë njëra tjetrën, duke e parë të rrënohet ekonominë e tij.
Ne në këtë valë të re protestash do të ngremë me forcë zërin e arsyes lidhur me të gjitha çështjet që sot shqetësojnë Shqipërinë dhe shqiptarët dhe posaçërisht me gjithçka shkon e bëhet lak në fytin e familjeve shqiptare për shkak të keqqeverisjes që po prodhon përditë varfërim, papunësim dhe shpërdorim. Dhe për të gjithë këtë varfërim, për gjithë këtë papunësim, për gjithë këtë shpërdorim, kjo qeveri duhet të largohet dhe shqiptarët duhet të ngrihen në protestë për ta larguar si në çdo vend demokratik. Kërkesa për largimin e qeverisë është kërkesë demokratike, është një kërkesë e mishëruar në të drejtën demokratike për të refuzuar një qeverisje, e cila aq më keq akoma, dhe jo si në çdo vend demokratik, po si në vendet jo demokratike grabit zgjedhjet. Kështu që askush nuk ka pse çuditet, askush nuk ka pse të reagojë sikur është fundi i botës, është gjëja më normale që populli të kërkojë largimin e qeverisë dhe ndryshimin rrënjësor të qeverisjes. Aq më tepër në kushtet kur, e përsëris, qeveria nuk pranon të bëjë transparencën e rrënjëve mbi të cilat ngrihet gjithë trungu i keqqeverisjes
| Tiranë | 5 | °C | |
| Prishtinë | -7 | °C | |
| Ulqin | -2 | °C | |
| Shkup | -7 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.20 | 142.03 |
| USD | 102.75 | 107.15 |
| GPB | 162.09 | 169.03 |
| CHF | 112.60 | 117.42 |