Sipas
akademikut britanik, Heribert Illing, koha është shtyrë shumë më shpejt
sesa të hynte në fuqi kalendari gregorian. Sipas teorisë së tij,
perandorët Konstandini i Gjashtë dhe Oto i Tretë si edhe Papa
Silvesteri II, diku rreth viteve 1000 ishin nismëtarët e shtimit në
histori të 297 viteve të paqena
Të gjithë ata që kanë mbaruar
shkollën e mesme kanë hasur në librat e historisë një kalim të
menjëhershëm nga periudha antike te mesjeta. Kjo periudhë zyrtarisht
quhet Mesjeta e Hershme, e për të nuk dihet asgjë. Kërkimet
arkeologjike, zbulimet shkencore, letrat e shkruara ndërmjet oborreve
mbretërore e çdo dokument tjetër historik duket se e lënë në hije
periudhën që quhet ndryshe koha e errët e botës. Çfarë ka ndodhur
atëherë, apo ndoshta nuk ka ndodhur asgjë. Historia e Shqipërisë haset
me një boshllëk të madh pikërisht në këtë periudhë, gjatë së cilës nuk
njihet e nuk i referohet asnjëherë dhe askush vendit tonë. Nga ana
tjetër, edhe historia botërore haset me kundërshti të ndryshme, pasi në
të dhënat e pakta që ka për këtë periudhë, shumica prej tyre mund të
klasifikohen si legjenda. Janë matematicienët ata që përpiqen t’i japin
një shpjegim kësaj mungese të dhënash. Njëri prej tyre është anëtari i
Akademisë Mbretërore të Shkencave në Mbretërinë e Bashkuar, Heribert
Illing, i cili në teorinë e tij “Koha fantazmë” pretendon se një
periudhë e caktuar kohe nuk ka ekzistuar kurrë, por ka qenë e shpikur
prej disave, për arsye të dëshirave të tyre për të sunduar botën, ose
për shkak të një keqkuptimi të thjeshtë.
“Koha fantazmë”
Sipas
teorisë së Illingut, me ndryshimin e kalendarit nga ai i Jul Cezarit,
në kalendarin gregorian që përdorim edhe ne sot është bërë një
keqkuptim i madh, pasi në vend që të shkurtohen 10 ditë, të cilat ishin
më tepër në kalendarin julian, sepse ai ishte 1.3 minuta më i gjatë seç
duhej, i janë shtuar 13 ditë. Këtu filluan edhe kërkimet e Illingut për
të kuptuar se çfarë ndodh. Kalendari që ne përdorim sot është i bazuar
në korrigjimet që i ka bërë kalendarit julian, Papa Gregori i
Trembëdhjetë. Në vitin 1582, ai i shtoi kalendarit 10 ditë, në mënyrë
që ta sinkronizonte atë me kalendarin diellor, pra me kushtet
astronomike. Por ky ndryshim nuk përmirësoi gabimet e kalendarit julian
në vetvete, ai thjesht përmirësoi gabimin në ndryshimin e fundit që iu
bë kalendarit në vitin 352, gjatë Këshillit të Nisit. Në këtë mënyrë,
në Këshillin e Nisit ose u rregullua kalendari julian ose të paktën u
vendos që ekuinoksi të ishte data 21 mars. Si pasojë, diferenca
kronologjike ndërmjet Papa Gregorit dhe Jul Cezarit është të paktën 300
vjet më e shkurtër nga sa mendohej fillimisht. Teoria e Illingut, që
flet për 297 vjet të shtuara, në vitet 614-911 pas lindjes së Krishtit,
bazohet në disa rrethana historike të periudhës në fjalë. Kjo periudhë
është cilësuar si “Koha e errët” në të gjithë librat historikë të pas
asaj periudhe. Sot ne nuk gjejmë asnjë vërtetim të ekzistencës së
banorëve në Romë gjatë kësaj periudhe. Për më shumë, me qindra qytete
bizantine gjenden në procesin e ndërtimit për shekuj me radhë, nga
shekulli i gjashtë në të dhjetin, çka përbën diçka të habitshme për të
gjithë historianët. Madje, edhe ekzistenca e Spanjës islamike nuk
vërtetohet të ketë filluar as përpara vitit 711, gjatë përhapjes së
Islamit drejt Mesdheut, e as përpara shekullit të dhjetë. Përhapja
duket shumë e ngadaltë, nëse marrim parasysh përhapen e Islamit në atë
periudhë me hapa vigane, si përpara, edhe pas periudhës së humbur,
sipas Illingut. Ndër ndërtesat e përmendura se i përkasin kësaj
periudhe në dokumente vështirë se gjenden nga arkeologët, por edhe kur
gjenden, ato duket se u përkasin periudhave të ndryshme nga sa thuhet.
Shembulli i katedrales “Torhalle”, sipas Illingut, është më i dukshmi,
pasi ndërkohë që në dokumente flitet për vepër të shekullit të shtatë,
është vërtetuar shkencërisht se është një vepër e shekullit të
dymbëdhjetë. Kishat e tjera të kohës nuk janë studiuar ende, por nga
arkitektura e tyre i përngjajnë stilit të Perandorit Romak Oto. Për më
shumë, një fakt që Illing përmend është që, sipas të dhënave të kohës,
popullsia e Evropës nuk kishte ndryshuar fare nga shekulli i shtatë në
të dhjetin.
Kush e shtyu “kohën”?
Faktikisht,
sipas Illing dhe matematicienëve të tjerë, koha është shtyrë shumë më
shpejt sesa të hynte në fuqi kalendari gregorian. Sipas teorisë së tij,
perandorët Konstandini i Gjashtë dhe Oto i Tretë si edhe Papa
Silvesteri II, diku rreth viteve 1000 ishin nismëtarët. Sipas
dokumenteve historike, Perandori Oto i Tretë shprehej se ishte
pasardhësi i Jezu Krishtit për mijëvjeçarin e parë pas vdekjes së tij,
e për këtë atij i lindte e drejta për të ndryshuar çdo gjë në Romën
mesjetare. Duke qenë se mamaja e Otos ishte motra e perandorit
bizantin, atëherë nuk do të lindnin probleme me perandorinë tjetër të
madhe të kohës. Problemi qëndronte se, sipas liturgjive pagane, që ende
kishin një fuqi të madhe edhe me hyrjen e Krishterimit si fe e vetme,
duhet të ekzistonte një përvjetor i madh si edhe një rast i ngjashëm në
të shkuarën, që Oto ta quante veten pasardhës së Jezusit. Në atë
periudhë ishin të paktë njerëzit që njihnin kalendarin dhe të gjithë
ata ishin njerëz përreth oborrit perandorak. Është për t`u habitur,
sipas Illing, që në të njëjtën kohë ndryshuan të gjithë kalendarët që
përdoreshin deri më atëherë. Bizanti ndryshoi kalendarin e vet nga viti
1015 i erës seleucidiane në vitin 6212 pas krijimit të Tokës, hebrenjtë
e ndryshuan kalendarin nga viti 1015 i erës seleucidiane në vitin 4464
pas krijimit të Tokës, ndërkohë perëndimi i Evropës, që përfaqësohej
nga Roma, e ndryshoi kalendarin nga viti 419 i erës së martirëve në
vitin 1000 pas lindjes së Krishtit. E ndërkohë që ndër këto 581 vite,
mbetën të paprekura nga dokumentet historike dhe të dhënat
arkeologjike, 297 vjet nuk dihet se ku kanë shkuar. Pasi vetëm për to
nuk ka të dhëna të mjaftueshme. Në këtë mënyrë, Illing tregon se me
plotësimin e kushtit të parë, pra përvjetori i Jezusit, tashmë Otos i
duhej edhe kushti i dytë: krijimi i një historie të ngjashme me të
tijën, në mënyrë që ai të quhej pasardhësi i vërtetë i Jezusit. Për
këtë arsye, u krijua, sipas Illing, Karli i Madh, të cilit iu vendosën
të njëjtat cilësi me Oton. Në radhë të parë, historianët e Otos, të
cilët ishin të parët që shkruan për Karlin, filluan të flisnin për
perandorin që u kurorëzua më 25 dhjetor të vitit 800, e sipas një
dokumenti që ata i referohen, 497 vjet përpara kësaj date, një
parashikues kishte thënë se në atë datë do të vinte fundi i botës.
Mirëpo, sipas historianëve të Otos, falë fuqisë së Karlit të Madh fundi
nuk erdhi. Në këtë mënyrë, edhe Otoja, i cili do të kurorëzohej si
perandor (pasi deri atëherë ishte i ati i tij perandor, Konstandini) në
vitin 1000, do të përpiqej të shpëtonte botën nga fundi i saj. Meqenëse
lajmi - që viti 1000 po afrohet - erdhi me vonesë për popullsinë,
reagimet nuk ishin ekstreme. Me përfundimin e vitit 1000, tashmë Otoja
perandor kishte mundësinë të bindte të gjithë që ishte i plotfuqishëm
dhe që si pasardhës i Jezusit kishte shpëtuar botën nga fundi i sigurt,
e për këtë arsye dinastia e tij nuk do të mund të shuhej kurrë. Me
fundin e perandorisë së Otos, i biri i tij, Frederiku, e të gjithë
pasardhësit e tjerë me radhë mitizuan figurën e Karlit të Madh, duke
theksuar njëkohësisht se Otoja ishte edhe më i fuqishëm se Karli.
Kundërshtimet
mbi këtë teori të Illingut janë të shumta. Ndonëse, Illing është një
nga personat më të respektuar në shtetin ishullor, si akademik mjaft i
shquar, ai ka hasur kundërshtime të shumta. Kryesoret kanë të bëjnë me
faktin se Illing nuk i vërteton dot ato që thotë, në mënyrë të
bindshme, pasi nuk ekzistojnë fakte reale nga ajo kohë. Historianë të
shumtë thonë se me ndërthurje faktesh mund të biesh pre e keqkuptimit
dhe të shuash nga historia periudha që mund të kenë ekzistuar realisht.
Gjithsesi, pyetja që shtron Illing është e thjeshtë: jetojmë në vitin
2006, apo në vitin 1709? Kësaj pyetjeje vështirë se mund t’i përgjigjet
kush me bindje të plotë.
Gazeta Standard