“Ky është një tjetër aks që ka të bëjë me planin e çlirimit sa të jetë e mundur të rrugës së qarkullimit, për të mundësuar fillimin e punimeve në sheshin “Skënderbej”.
Kështu u shpreh Kryebashkiaku Rama, në përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës “Abdi Toptani”, si një nga akset e rëndësishme ndihmëse, që Bashkia e Tiranës ka menduar të rikonstruktojë, me qëllim përballimin e trafikut gjatë punimeve që do të kryhen për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”
Rehabilitimi i sheshit “Skënderbej“ është një nga projektet më ambicioze dhe të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës. Ky projekt, rrjedhojë e një konkursi prestigjioz kombëtar, për të cilin është siguruar financimi i nevojshëm nga ana e Qeverisë kuvajtjane dhe Bashkisë, do të përjetojë rilindjen e tij, si një hapësirë e denjë për metropolin ku jetojmë.
Kryebashkiaku Rama u shpreh më tej: “Sheshi “Skënderbej” prej kohësh është i projektuar, është edhe i financuar, por është edhe i bllokuar, për shkak të veshit të shurdhër të qeverisë dhe moszbatimit nga ana e saj, të detyrimit për të bërë një shpronësim që do të hapte aksin e Unazës së Vogël, duke mos lejuar që sheshi të degradojë deri në atë pikë ku është degraduar, duke u bërë shqetësim për të gjithë.
Megjithatë, pavarësisht kësaj pengese të mosarsyes, ne do të vazhdojmë punën dhe së shpejti do rifllojmë punimet në shesh, falë këtyre aksesve që po përgatisim, për të përballuar fluksin e trafikut që duhet devijuar nga sheshi. Do të jetë një kantier jashtëzakonisht i rëndësishëm, por edhe jo i lehtë, qoftë edhe për shkak të problematikës që do i krijojë trafikut, por jemi mësuar me pengesa jo të vogla dhe po ashtu me sukese jo të vogla”.
Njëkohësisht po punohet paralelisht për rikonstruksionin e rrugëve:
• “Bardhok Biba”
• “Urani Pano”
• Rruga pas Pallatit të Kulturës
Rrugët e sipërpërmendura janë parashikuar për përballimin e flukseve tranzit të trafikut, duke mundësuar kështu lehtësimin e punës për rivitalizimin e Qendrës së qytetit dhe pakësimin e ndotjes së ambientit dhe zhurmave. Rikonstruksioni i këtyre rrugëve do të krijojë një frymëmarrje për transportin kryeqytetas, në kuadër të fillimit të zbatimit të projektit të sheshit “Skënderbej”.
Modeli i ri urban i Qytetit të Tiranës, ndërtuar mbi bazën e strategjisë së Transportit, përfshin kthimin e sheshit “Skënderbej” në një shesh për këmbësorë, biçikleta dhe pa mjete private. Pika kryesore në këtë projekt është përcaktimi dhe zhvillimi i një identiteti të ri për sheshin “Skënderbej”, duke rezervuar të gjithë hapësirën për nevojat e këmbësorëve.
Ky koncept urban, duke u ballafaquar me funksionin urban (si për shembull transportin publik), i cili në këtë moment po pëson një zhvillim demografik, social dhe ekonomik, sjell gjithashtu edhe rritjen e qarkullimit të këmbësorëve dhe të automjeteve në rrugët përreth sheshit.
Ndërkohë, shkaku kryesor për vonesat në realizimin e këtij projekti të madh mbetet shpronësimi i domosdoshëm që hap arterien e Unazës së Vogël tek godina e “Insigut” dhe që mundëson devijimin e të gjitha makinave, të cilat sot kalojnë detyrimisht në sheshin “Skënderbej”, shpronësim i cili duhet të bëhet nga ana e Qeverisë.
Masat e ndërmarra, së bashku me ndërhyrjet në transportin publik do lehtësojnë situatën e trafikut, por nuk janë zgjidhja e tyre, zgjidhje e cila kërkon domosdoshmërisht ndërtimin e rrugëve kryesore unazore të sipërpërmendura.
| Tiranë | 9 | °C | |
| Prishtinë | -1 | °C | |
| Ulqin | 0 | °C | |
| Shkup | -1 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.16 | 141.97 |
| USD | 103.15 | 107.55 |
| GPB | 162.82 | 169.77 |
| CHF | 112.55 | 117.35 |