Në kuadër të
përpjekjeve të vazhdueshme të Qeverisë për miradministrimin e
territorit të vendit, dhe në mënyrë të veçantë të tokave bregdetare, u
zhvillua sot nën drejtimin e Ministrit të Punëve Publike, Transportit
dhe Telekomunikacionit, zotit Sokol Olldashi mbledhja e Grupit
Ndëristitucional të punës, për kryerjen e studimit të gjendjes së
erozionit detar dhe përcaktimin e masave të mbrojtjes ndaj tij.
Studimi i vijës bregdetare që
nga Velipoja deri në Nartë do të evidentojë gjendjen e vijës bregdetare
si dhe tendencat erozive të detit si pasojë e ndryshimeve klimaterike.
Studimi synon të jetë konkret
e kompleks dhe do të përfshijë planin e veprimit dhe masat e ndërhyrjet
eventuale afatshkurtra, afatmesme e afatgjata, të cilat mund të
ndërmerren me qëllim frenimin e fenomenit të erozionit detar. Në të, do
përcaktohet gjithashtu, kostoja financiare e ndërhyrjeve në segmente të
caktuara të vijës bregdetare si dhe kostoja e përgjithshme për një
ndërhyrje të gjerë e të plotë.
Ministritë, institutet
shkencore dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore do vënë në
dispozicion të grupit të studimit ekspertet më të kualifikuar të kësaj
fushe si dhe gjithë të dhënat të cilat mund t’i shërbejnë kryerjes në
kohë e cilësi të këtij studimi. Grupi i punës do të bashkëpunojë me
Bankën Botërore dhe me PNUD për realizimin e këtij studimi të
rëndësishëm për bregdetin shqiptar.
MPPTP