Bashkia:Sheshi "Skenderbej" do tė jetė njė shesh i qytetit dhe i qytetarėve

Bashkia:Sheshi

Do të jetë një shesh i qytetit dhe i qytetarëve, pa makina, i rrethuar nga një kurorë e gjelbër që do të realizohet përmes pemëve të shumta që do të mbillen në të gjithë perimetrin e tij, duke e kthyer në një oaz për të gjithë ata që do të duan të jenë në mes të Tiranës, por larg trafikut të Tiranës. Do të ketë një infrastrukturë nëntokësore të papërdorur ndonjëherë më parë në Shqipëri, do të ketë njëkohësisht një infrastrukturë ujore e cila do të shërbejë për ta kthyer sheshin, sipas dëshirës dhe rasteve të caktuara, në një shesh me shatërvane të lartësive të ndryshme, ose në një shesh pa asnjë pikë ujë. Qendra e sheshit ''Skënderbej'' do të ngrihet në nivel në formën e një piramide, nga kulmi i së cilës mund të shihet i gjithë sheshi. Ndërtesat ekzituese nuk do të preken, por do të ndërhyhet tek Teatri i Operas dhe Baletit ku do të ndërtohet një hyrje e re, me qëllim që t’i jepet më shumë jetë kësaj godine.


Ky është plani i Bashkisë së Tiranës për sheshin “Skënderbej”. Punimet për rehabilitimin dhe shndërrimin e plotë të këtij sheshi kanë nisur me një ceremoni të veçantë ku merrnin pjesë Kryebashkiaku Edi Rama, përfaqësuesit e studios belge “51N4E”, që kanë realizuar projektin, drejtuesit e firmës Kuvajtiane që do të kryejnë punimet, por edhe shumë qytetarë të kryeqytetit, të cilët nuk e fshihnin entuziazmin dhe emocionet e tyre për këtë projekt mjaft ambicioz. Bashkia e Tiranës synon ta kthejë këtë shesh, jo vetëm si një vend ku jehon historia e këtij qyteti, por edhe si një pasqyrë të një shekulli të ri, si një hapësirë për të gjithë ata që jetojnë në këtë qytet, apo për të gjithë ata që do ta vizitojnë këtë qytet, të pashqetësuar nga makinat.


“Sot është një ditë shumë e rëndësishme, sot është një ditë për të bashkuar të gjitha forcat dhe energjitë dhe jo për t’i ndarë fjalët mes palësh, që në fakt nuk duhet të ekzistojnë kur është fjala për një kantier kaq të rëndësishëm, kur është fjala për kartvizitën jo vetëm të kryeqytetit por të të gjithë Shqipërisë, madje të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Kosovë, Maqedoni e kudo dhe që sheshin “Skënderbej” e konsiderojnë si sheshin qëndror të vendit amë”, është shprehur Kryebashkiaku Rama gjatë ceremonisë. Ai ka theksuar se bëhet fjalë për një projekt mjaft të ndërlikuar për zbatimin me sukses të të cilit është i domosdoshëm edhe bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i qytetarëve. Kjo pasi, devijimi i trafikut dhe punimet e shumta e specifike që do të kryhen do të shkaktojnë vështirësitë e veta, por gjithsesi kjo do të jetë një periudhë e shkurtër dhe më pas do të kemi sheshin që të gjithë kemi dëshiruar për vite e vite me radhë.


Të pranishmit në ceremoninë e fillimit të punimeve kanë pasur mundësinë të njihen edhe një herë me elementët e ndryshëm që do të realizohen gjatë këtyre punimeve. Të dhënat teknike të projektit janë afishuar në stenda të mëdha të vendosura përqark zonës ku kanë filluar punimet, ndërsa arkitektët e studios belge kanë shpjeguar edhe një herë për pjesëmarrësit konceptin e tyre për sheshin e ri “Skënderbej”. Më tej makinat gërmuese të firmës kuvajtiane kanë nisur punën nën sytë e personaliteteve, por edhe të qytetarëve të shumtë të pranishëm në ceremoni.


Projekti për rivitalizimin e sheshit "Skenderbej" financohet nga një grant i Emirit të Kuvajtit për Bashkinë e Tiranës. Punimet për fazën e parë, që do të kushtojnë 4.3 milionë euro dhe parashikohet të përfundojnë brenda 9 muajsh, do të kryhen nga kompania kuvajtiane “MAK & Sons Group”. Fillimisht, pranë monumentit të Skënderbeut në një thellësi 9 m nën tokë, është parashikuar të ndërtohet një dhomë teknike në të cilën do të vendosen rezervuarët e ujit teknologjik dhe atij për vaditje, si dhe pompat e pajisjet e nevojshme për funksionimin e shatërvanëve të sheshit. Dy galeri të nëndheshme ku do të kalojnë të gjitha kabllot dhe tubacionet e nevojshme, do të ndërtohen në drejtimet veri-jug dhe lindje-perëndim e do të kryqëzohen në shesh. E para do të nisë nga “Veve Center” dhe pasi të përshkojë gjithë bulevardin do të mbarojë përpara Galerisë së Arteve, ndërsa e dyta do të nisë nga sheshi i “Ushtarit të Panjohur” e do të vazhdojë deri në hyrje të rrugës së Kavajës. Në projekt është parashikuar që të ndërtohen disa kolektorë për ujërat e zeza e të bardha, që do të sistemojnë kanalizimet e institucioneve që janë të vendosura në periferinë e sheshit. Ndërkohë që e reja më e veçantë do të jetë infrastruktura ujore, e cila do të shërbejë për të vënë në funksion të shatërvaneve të sheshit ujin e shiut. Kjo gjë është konfirmuar edhe nga Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, i cili u shpreh se për shatërvanet e sheshit nuk do të përdoret ujë i pijshëm, por ujë shiu, i grumbulluar nga impiantet që do të vendosen në shesh.


Në mbyllje të ceremonisë, Kryebashkiaku Rama ka përcjellë edhe një tjetër mesazh, që lidhet ngushtë me konceptin e Bashkisë për këtë shesh: “Ky ka qenë një shesh i paradave, manifestimeve të forcës në të gjithë historinë e tij. Projekti është i konceptuar për ta kthyer këtë shesh në një vend të manifestimit të individualitetit njerëzor, të qytetarisë si shprehje e personit dhe jo e turmës, përmes një forme shumë të veçantë që do të ketë sheshi e cila do të evokojë historinë por njëkohësisht do të nënvizojë faktin se tashmë historia është e dominuar nga qytetari i barabartë mes qytetarësh”.

 


Bashkia Tirane
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek