Qeveria shqiptare në kuadër të përpjekjeve për përshpejtimin e procesit
të demontimit të municioneve të tepërta në Shqipëri, në bashkëpunim me
qeverinë e SHBA-së, thirri një konferencë me donatorët, e cila i
zhvilloi sot punimet në qendrën e NATO-s, në Bruksel.
Bashkëdrejtues
të konferencës ishin ambasadori ynë në NATO z. Artur Kuko dhe
ambasadori i SHBA-së në NATO. Në konferencë morën pjesë ambasadorët e
vendeve antëtare të NATO-s. Qëllimi i saj ishte sigurimi i fondeve të
nevojshme për realizimin e projektit të NAMSA-s (strukturë e NATO-s),
për demontimin e municioneve të tepërta në Shqipëri. Ky projekt është
përgatitur nga NAMSA dhe parashikon që brenda vitit 2013 të demontohen
të gjithë municionet e tepërta në Shqipëri. Projekti është i shtrirë në 4
vjet dhe ka një kosto totale prej 35.5 milionë euro.
Ambasadori i SHBA-së në NATO deklaroi se, qeveria amerikane vë në
dispozicion të këtij projekti 10 milionë dollarë. A ka theksuar se
qeveria shqiptare ka manifestuar vullnet dhe vendosmëri për ta realizuar
sa më shpejt procesin e demontimit të municioneve, si dhe ka nënvizuar
se SHBA janë të vendosur për të ndihmuar Shqipërinë për të shmangur
përfundimisht këtë rrezik.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i
Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, i pranishëm në këtë konferencë,
falenderoi qeverinë amerikane për kontributin e dhënë dhe ftoi vendet e
tjera që të shohin mundësinë për të kontribuar në këtë projekt. Ai
informoi ambasadorët e pranishëm në këtë konferencë për hapat e
ndërmarra ngë Ministria e Mbrojtjes në këtë proces dhe deklaroi se është
miratuar Bordi Drejtues i demontimit të municioneve të tepërta, si dhe
Plani i Veprimit për demontimin e këtyre municioneve, i cili detajon
mënyrën e realizimit të procesit të demontimit brenda vitit 2013.
Për
realizimin e këtij projekti, qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion
8.5 milionë euro. Ndërkohë pritet që në vijim vendet anëtare të NATO-s
dhe vendet partnere të njihen më mirë me projektin e NAMSA-s dhe të
kontribuojnë për realizimin e tij. Projekti i NAMSA-s është në koherencë
me Planin Kombëtar të Veprimit për Demontimin e Municioneve të Tepërta
të miratuar nga ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, pak
muaj më parë.
ShtypiDites