Denoncimeve të PS se buxheti i shtetit të vitit 2009 u vu në
shërbim të deformimit të rezultatit të zgjedhjeve, së fundmi i është
bashkuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka thënë deputeti i Partisë
Socialiste, Ilir Beqja.
Beqja, në një deklaratë të dhënë për mediat,
ka renditur një sërë shifrash dhe faktesh që dëshmojnë më së miri se
buxheti i vitit 2009 u shpërdorua duke dëmshpërblyer militantë partiakë,
duke shitur, apo dhënë me qera pasuri publike për klientë të familjes
politike të Kryeministrit dhe duke lejuar evazion fiskal në tatime dhe
dogana për pasurim të paligjshëm të nëpunësve të emëruar për
militantizëm politik.
Më poshtë deklarata e plotë për
Shtyp,e deputetit të PS, Ilir Beqja:
Partia
Socialiste, në mënyrë të përsëritur ka denoncuar, duke provuar me fakte,
se buxheti i shtetit i vitit 2009 u vu fund e krye në shërbim të
deformimit të rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit
2009.
Së fundi, me deklarimet dhe denoncimet tona është bashkuar
edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në raportimin zyrtar për
kontrollin e zbatimie të buxhetit të vitit 2009, KLSH zbulon se nga
kontrollet e ushtruara është konstatuar një dëm efektiv ekonomik prej 74
milionë dollarë.
Në çdo institucion të qeverisë Berisha të
kontrolluar, në çdo fushë të aktivitetit qeveritar të kontrolluar
rezulton dëm efektiv.
Konstatimet e KLSH provojnë se qeveria
është e korruptuar dhe se e ka vënë buxhetin e shtetit në qëllim të
deformimit elektoral.
Duke shitur apo dhënë me qera pasuri
publike për klientë të familjes politike të Kryeministrit janë
shpërdoruar 31 milionë dollarë.
Duke lejuar evazion fiskal në
tatime dhe dogana për pasurim të paligjshëm të nëpunësve të emëruar për
militantizëm politik, buxhetit të shtetit i mungojnë 28 milionë dollarë.
As
i famshmi prokurim elektronik nuk e ka shpëtuar buxhetin e shtetit nga
shpërdorimi i detyrës dhe selektimi i operatorëve ekonomikë sipas
përkushtimit ndaj familjes politike dhe biologjike të Kryeministrit.
Janë 4.3 milionë dollarë të shpërdoruar në prokurimet publike.
Duke
paguar dhe shpërblyer në mënyrë të paligjshme militantët partiakë janë
shpërdoruar 2.5 milionë dollarë.
Edhe qeveria në dietë e Sali
Berishës provohet që është demagogji, sepse në shpenzimet operative janë
shpërdoruar 260 mijë dollarë.
KLSH nuk ka qënë në gjendje të
kontrollojë përdorimin e parave të taksapaguesve për reklamat apo
gënjeshtrat elektorale të Sali Berishës në prag të zgjedhjeve.
E
vërteta e shpenzimeve për reklamat fshihet ashtu si e vërteta e kutive
të votimit.
Sali Berisha jo vetem i grabiti zgjedhjet e 28
qershorit, por cfarë është më e keqja, ai po përdor pushtetin e vjedhur
për të vjedhur edhe më shumë xhepat e shqiptarëve.
Shpërdorimi i
frikshëm i parave të taksapaguesve, i provuar nga KLSH, është një arsye e
ligjshme për të protestuar dhe kërkuar largimin e qeverisë së Sali
Berishës.
Partia Socialiste