Vladimir Lame
Një botë me më pak rreziqe dhe më me shumë shpresë premton marrëveshja e
re amerikano - ruse. Obama do të ulet të enjten përballë Medvedev për
të vijuar historinë e “dashurisë së vjetër”. Aty ku u takua lindja
komuniste me perëndimin kapitalist, në Pragë. Në qytetin ku nisi
pranvera e ndryshimit të botëve. Në të njëjtën stinë, në kohë të
ndryshme armiqtë e dikurshëm me traktatin e radhës do të forcojnë
sigurinë kombëtare të të dy vendeve dhe marrëdhëniet ruso-amerikane.
Këtë radhë me dëshminë e vullnetit për të pakësuar stoqet bërthamore të
vendeve të tyre.
Bëhet fjalë për reduktimin e arsenaleve përkatëse të mbushjeve
strategjike të dislokuara në masën 25-30 për qind. Marrëveshja e re
pritet t'i pakësojë mbushjet bërthamore të dy vendeve në shifrën 1.500
për secilin. Edhe sistemet e hedhjes, si raketat dhe bombarduesit, do të
kufizohen në numër. Rendi i ri botëror njeh rreziqe të reja.
Uashingtoni dhe Moska mund të luftojnë terrorizmin bërthamor dhe të
punojnë për sanksione më të rrepta kundër Iranit për aktivitetin e tij
bërthamor. Një vit më parë, nga Praga, Presidenti Obama parashtroi
vizionin e tij për një botë pa armë bërthamore. “Sot po e them qartë dhe
me bindje, angazhimin e Amerikës për të arritur paqe dhe siguri në një
botë pa armë bërthamore.”
Obama e nisi me një ritëm tjetër nga
paraardhësi luftararak Bush, mandatin e tij edhe si komandat i
përgjithshëm i forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Me 1 Prill
2009, NATO vulosi zyrtarisht zgjerimin e radhës me Shqipërinë dhe
Kroacinë. Një erë e re optimizmi nisi të fryjë me ardhjen në detyrë të
administratës së re amerikane. Duke bërë shaka me ne gazetarët e
pranishëm në konferencën e tij për shtyp në samitin e NATS-s në
Strasburg, Obama i tërhoqi vëmendjen të zotit të shtëpisë Sarkozy, për
një marrëdhënie të re transatlantike. Kjo po konkretizohet duke gjetur
urat e komunikimit edhe me Rusinë. Përpjekjet e të dyja vendeve të
rëndësishme në sferën e politikës ndërkombëtare, për të arritur
marrëveshje përmbledh katër fusha të rëndësishme si për shembull:
Zvogëlimin me këmbëngulje të numrit të armëve bërthamore nga të dyja
vendet; Çështja e Zgjerimit të NATO-s ; Çështja e programeve raketore
dhe mbrojtja kombëtare; Çështja e përmirësimeve të proceseve demokratike
dhe të proceseve tjera të Rusisë në rrafshin e partneritet perëndimor.
Marrëveshja që do të nënshkruhet, të zëvendëson Traktatin Start Një, të
cilin presidenti Xhorxh Herbert Bush dhe Presidenti sovjetik Mikail
Gorbaçov, e nënshkruan në vitin 1991. Ky traktat e pushoi vlerën
juridike dhjetorin e kaluar. Para se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi
Sovjetik të nënshkruanin atë traktat, të dy vendet kishin me dhjetëra
mijë mbushje bërthamore. Traktati kërkonte asokohe reduktimin e tyre në
vetëm 6000. Me START 2, Obama do të angazhohet në mënyrë të veçantë, që
Shtetet e Bashkuara të mos përdorin armët bërthamore kundër një
kundërshtari që nuk është i pajisur me të tilla armë dhe që nuk plotëson
standardet. Sipas administratës, kjo strategji është pjesë e një
vizioni më të gjerë të Presidentit në mënyrën më të mirë për të
garantuar sigurinë e vendit. Shumë shpesh marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe
Rusisë janë shikuar në bazë të analizës së ngjarjeve aktuale. Gjendja e
tanishme me një ndërveprim të ndërsjellë është e përcaktuar nga faktorët
e karakterit të përgjithshëm në lidhje me tendencat në zhvillimin e
sistemit ndërkombëtar pas ndryshimeve në rendin e ri ndërkombëtar.
Duket
se janë lënë pas tensionet e shfaqura rëndom gjatë kohës së Luftës së
Ftohtë, me karakterin e saj ideologjik të ndarjes së sferave te
influencës dhe të sistemeve. SHBA dhe Rusia kanë sot shumë gjëra të
përbashkëta për të sfiduar dhe ecur drejtë qëllimit të përcaktuar. Lufta
kundër terrorizmit islamik, pastaj paqja dhe stabiliteti në mbarë
globin, globalizmi, ndryshimet e nevojshme gjeopolitike dhe
gjeostrategjike karshi proceseve te reja në aspektin e së drejtës
ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, çështja e rrezikut të
armëve bërthamore janë sfida të përbashkëta. Iniciativa e presidentit të
SHBA-ve, Barack Obama, për të stimuluar më shumë bashkëpunimin me rusët
është e një rëndësie të madhe për politikat e afatgjata të Sigurisë
Ndërkombëtare që dëshmojnë largpamësinë e administratës së re amerikane.
Dy vendet me ndikim të përmasave të mëdha jashtë kufijve kombëtare po
përpiqen që të bëhen partnerë serioz në politikat e përbashkëta
ndërkombëtare dhe të sigurisë.
Do të mund t`i shihnim më të integruar
dhe më të afërt në qëllimet e përbashkëta kundër terrorizmit, i shfaqur
së fundmi përgjakshëm në Moskë. Veprimi i përbashkët amerikano-rus do
të rriste potencialin dhe veprimin e tyre karshi rreziqeve dhe
problemeve tjera me karakter ndërkombëtar.
Firmat e dyshes
Obama-Medvediev mbi traktatin e ri për reduktimin e arsenalit bërthamor
mund të përbëjnë një pikë kthese në historinë e marrëdhënieve
ndërkombëtare dhe domethënies së politikës globale për paqe dhe
prosperitet.
| Tiranë | 2 | °C | |
| Prishtinë | -9 | °C | |
| Ulqin | -1 | °C | |
| Shkup | -9 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 135.90 | 141.67 |
| USD | 103.50 | 107.90 |
| GPB | 163.69 | 170.64 |
| CHF | 112.68 | 117.47 |