Në Komandën e Forcave Tokësore në Zall-Herr u organizua ceremonia e nisjes për në Kabul të Afganistanit të Kontigjentit të 16-të Paqeruajtës. Me këtë rast ishte i pranishëm zv.ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu, zv. shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së kundëradmiral Kristaq Gerveni, komandanti i Forcave Tokësore gjeneral brigade Viktor Berdaj, ushtarakë të tjerë të lartë të Forcave të Armatosura, si dhe familjarë e të afërm të paqeruajtësve.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe atasheu ushtarak dhe shefi i Zyrës së Koordinimit dhe Bashkëpunimit Ushtarak të Turqisë në Tiranë kolonel Saim Bagci.
Pas fjalës së hapjes që mbajti komandanti i Forcave Tokësore gjeneral brigade Viktor Berdaj, të pranishmit i përshëndeti zv.ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu. Është një kënaqësi e veçantë për mua, tha ai në fjalën e tij, që sot marrë pjesë në ceremoninë e përcjelljes për në Kabul të Kontigjentit të 16-të Paqeruajtës dhe me këtë rast ju sjellë përshëndetje edhe nga ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Maksim Malaj.

Forcat Tokësore, vijoi më tej zv.ministri Spahiu, tashmë kanë fituar një përvojë mjaft pozitive në operacionet e paqes si në Irak, Afganistan në Çad etj, si dhe kanë përfaqësuar në mënyrë të denjë FA Shqiptare përkrah trupave të NATO-s dhe forcave të tjera aleate. Z. Spahiu falenderoi Turqinë dhe FA Turke për mbështetjen dhe ndihmën që kanë dhënë në dobi të Shqipërisë dhe sidomos të FA Shqiptare në rrugën e tyre të modernizimit dhe të integrimit në strukturat e NATO-s.
Më pas, zv.ministri Spahiu ka falenderuar familjarët dhe të afërmit e kontigjentit paqeruajtës për mbështetjen që u kanë dhënë dhe u japin bijëve të tyre për kryrjen me nder të misionit të tyre fisnik në mbrojtje të lirisë dhe paqes. Në përfundim të fjalës së tij, z. Spahiu i uroi 22 ushtarakëve paqeruajtës udhë të mbarë dhe suksese në kryerjen e misionit të tyre në Kabul të Afganistanit.

Zv.ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu i dorëzoi Flamurin Kombëtar komandantit të Kontigjentit të 16 –të, toger Novrus Cako.
Kontigjenti i 16-të Paqeruajtës është pjesë e Batalionit të Motorrizuar të Forcave Tokësore dhe në përbërje të tij janë 22 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë. Ky kontigjent do të zëvëndësojë efektivin e Kontigjentit të 15-të dhe do të shërbejë për ruajtjen dhe mbrojtjen e Bazës Ushtarake në Kabul, si dhe operacione të tjera siguruese e stabilizuese në këtë zonë të Afganistanit. Ushtarakët shqiptarë që kanë shërbyer me misione paqeruajtëse në Afganistan kanë kryer me profesionalizëm dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie detyrat e ngarkuara dhe për këtë kanë marrë vazhdimisht vlerësime maksimale nga komandat operacionale, në juridiksionin e të cilave kanë shërbyer, duke ngritur më lart emrin dhe krenarinë e FA Shqiptare.
ShtypiDites