Në përfundim të Takimit Jozyrtar të Ministrave të
Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s në Estoni, Zv.
Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta zhvilloi një
takim të veçantë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të
Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
Gjatë këtij takimi, u vlerësua rritja e
marrëdhënieve mes dy vendeve gjatë dy viteve të fundit dhe u diskutua
mbi zgjerimin konkret të bashkëpunimit dypalësh në nivelin politik dhe
atë ekonomik, veçanërisht në sektorin e investimeve.
Në këtë kuadër, z. Meta shprehu kënaqësinë e tij
për hapjen së shpejti të Ambasadës shqiptare në Abu Dabi, ndërsa Sheikh
Abdullah bin Zayed shprehu bindjen se edhe Emiratet e Bashkuara do të
hapin Ambasadën e tyre së shpejti në Tiranë.
Gjithashtu u diskutua edhe mbi mundësitë që ofron
Shqipëria për investitorët nga Emiratet e Bashkuara, duke theksuar këtu
vendimin e marrë së fundmi nga Qeveria e EBA si dhe nga Fondi i Abu
Dabit, për të ndihmuar në hapjen e tunelit që do të lidhë Tiranën me
Elbasanin, gjë që u konsiderua si shumë e rëndësishme dhe strategjike
nga z. Meta.
Prononcim për shtyp:
Z. Ilir Meta
Ishte kënaqësi e madhe dhe privilegj të shiheshim përsëri këtu në Talin,
me Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Shkëlqesinë e
Tij, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan dhe të vlerësojmë që
marrëdhëniet mes dy vendeve do të zgjerohen shumë shpejt me hapa dhe
vendime konkrete të marra nga të dy Qeveritë.
Para disa muajsh, Qeveria jonë mori vendimin për të hapur Ambasadën
shqiptare ne Abu Dabi, dhe shumë shpejt, Ambasadori i ri do të jetë
atje, gjë që do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit të gjithanshëm me
këtë vend mik.
Së dyti, autoritetet shqiptare kanë marrë vendimin për t’i vënë emrin e
Sheikh Zayed, aeroportit të Kukësit, gjë që dëshmon mirënjohjen e thellë
të popullit shqiptar për ndihmën dhe bujarinë e madhe që Sheikh Zayed
dhe Emiratet e Bashkuara treguan gjatë krizës së Kosovës, duke strehuar
në Kukës rreth 10,000 shqiptarë të Kosovës, por gjithashtu duke ndërtuar
një aeroport të standardeve ndërkombëtare dhe jemi të nderuar që ky
aeroport të mbajë emrin Sheikh Zayed përgjithmonë, i cili është një
personalitet botëror, duke patur parasysh se ç’ka bërë ai për vendin e
vet si dhe për paqen dhe stabilitetin në atë rajon.
Dua gjithashtu të falënderoj Ministrin e Jashtëm të EBA për vendimin e
marrë nga Qeveria e tij si dhe nga Fondi i Abu Dabit, për të ndihmuar në
hapjen e tunelit që do të lidhë Tiranën me Elbasanin, gjë që është
shumë e rëndësishme dhe strategjike për ne. Ju falënderoj.
Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan
Së pari më lejoni të them se sa krenarë ndjehemi që
marrëdhëniet tona janë rritur gjatë dy viteve të fundit. Më duhet të
them se Qeveria e Shqipërisë luajti një rol shumë të rëndësishëm në
zgjerimin e këtyre marrëdhënieve dhe jemi shumë të kënaqur që Qeveria
juaj ka marrë vendimin për të hapur Ambasadën në Abu Dabi. Shpresoj që
shumë shpejt edhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të hedhin të njëjtin
hap.
Patjetër që marrëdhënia jonë është historike, por është edhe një
marrëdhënie ndaj së cilës ne ndjehemi të detyruar dhe shumë krenarë. Jo
vetëm në zhvillimin e marrëdhënieve tona me Shqipërinë por gjithashtu
duke qenë një nga vendet e para që njohën Kosovën, ishte një sinjal i
qartë jo vetëm për popullin mik të Kosovës, por edhe për vetë interesin e
Shqipërisë në këtë marrëdhënie.
Shpresoj me të vërtetë që gjatë dy muajve të
ardhshëm, do të vizitoj Tiranën për të falënderuar Qeverinë tuaj për
emërtimin e aeroportit të Kukësit, por gjithashtu edhe për të parë
mundësitë e zgjerimit të marrëdhënieve tona, veçanërisht në fushën e
investimeve, ku unë mendoj se ka shumë mundësi, sepse në vendin tuaj ka
një bazë të fortë për të tërhequr investimet nga EBA.
ShtypiDites