Basha: Presim propozimin pozitiv të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave

Basha: Presim propozimin pozitiv të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave

Ministri i Brendshëm Basha deklaroi sot në Komisionin Parlamentar të Sigurisë se Shqipëria ka bërë progres solid në përmbushjen e kritereve teknike për liberalizimin e vizave dhe pret që pas paraqitjes së raportit të ketë një propozim pozitiv nga Komisioni Europian dhe më tej një vendimmarrje pozitive nga Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Europian.
-Kemi insistuar që vlerësimi për Shqipërinë të jetë strikt, objektiv dhe i ndershëm, bazuar në kriteret teknike. Në këtë proces synimi ynë nuk ka qenë gara me vendet e rajonit por arritja e standarteve të zonës Schengen. Prandaj presim me qetësi pas këtij raporti propozimin pozitiv të Komisionit, i cili padyshim do t'i hapë rrugë një vendimmarrjeje pozitive nga Këshilli i Ministrave dhe nga Parlamenti Europian,-deklaroi Basha.

Ministri Basha theksoi ndërkohë se falë procesit të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave me BE, Shqipëria është pajisur me sisteme e praktika konkuruese me vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe nga ana tjetër nëpërmjet verifikimit të ekspertëve ka eskpozuar stadin në të cilin gjendet në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kontrollin e kufijve dhe në pajisjen e qytetarëve me dokumenta të sigurta biometrike.
-Është bërë e mundur që para partnerëve europianë, nëpërmjet gojës së ekspertëve dhe aktorëve të tjerë të rëndësishëm vendimmarrës, Shqipëria të shfaqet si një vend krejtësisht tjetër me atë perceptim që ka patur dekadën që kaloi, si një vend që jo vetëm plotëson kushtet për liberarlizimin e vizave, por që denjësisht ka zbatuar dhe disponon sisteme të denja për një vend anëtar të Bashkimit Europian,-theksoi Basha.

Ministri i Brendshëm hodhi poshtë spekulimet se Shqipëria është e vonuar në miratimin e disa ligjeve, siç është edhe ligji ''Antimafia''.
-Një gjë duhet të kenë ndërmend ata që mund të keqkuptohen dhe ata që mundohen ta keqpërdorin informacionin kundër Shqipërisë. Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka sot këtë ligj. Implementimi i këtij ligji është fokusi i autoriteteve shqiptare, po kurrkush mos të gabojë e të thotë se meqë ligji ka kaluar në Janar, Shqipëria është e vonuar. Shqipëria është i pari dhe i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që sot disponon legjislacion që mundëson procesin e konfiskimit të aseteve të krimit, një proces paralel me procesin penal, apo pavarësisht prej procesit penal. Kroacia po harton tani këtë ligj, dhe asnjë vend tjetër në Ballkanin Perëndimor. I bëj thirrje në veçanti mediave të mos bien pre e atyre që dëshirojnë të përdorin, të marin peng procesin vital të heqjes së vizave dhe të vazhdojnë në funksion të axhendave parapolitike dhe asksionit parapolitik që bie ndesh me objektivat europiane të Shqipërisë, përfshi dhe liberalizimin e vizave,-u shpreh Basha.

Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha raportoi në Komisionin Parlamentar të Sigurisë edhe mbi rezultatet e luftës kundër kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, ku ndër të tjera evidentoi faktin se sipas statistikave të ekspertëve, kultivimi në dy vitet e fundit ka rënë në masën 30%, si dhe shpjegoi masat që po merren për çrrënjosjen e këtij fenomeni duke theksuar se asnjë pjesë e territorit të Shqipërisë nuk do të mbetet jashtë kontrollit të strukturave të specializuara.

Ministri Basha përshëndeti gjatë fjalës së tij raportet ndërkombëtare të cilat dëshmojnë qartë se Shqipëria nuk është më një vend domethënës në rrugët e tranzitit të drogës dhe në veçanti heroinës afgane për në vendet e Bashkimit Europian.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek