Kėrkesa e Edi Ramės pėr Senatin informal, duke i lėnė Berishės dhomėn e ulėt, dhe marrėveshja Rama-Topi

Kėrkesa e Edi Ramės pėr Senatin informal, duke i lėnė Berishės dhomėn e ulėt, dhe marrėveshja Rama-Topi

Përfshirja nga ana e PS e çështjes së zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese në listën e gjashtë kërkesave që i janë drejtuar mazhorancës, duke konsideruar praktikën e punës së Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, në fakt është një kërkesë për ta bërë Kuvendin e Shqipërisë me dy dhoma në mënyrë informale. Gjykata Kushtetuese në Shqipëri, që kur ka ardhur PD në pushtet, në 2005, në fakt ka vepruar si dhoma e lartë e Kuvendit të Shqipërisë, pra si Senat informal, duke rrëzuar aq shumë ligje të Kuvendit, sa edhe Senati amerikan kur kontrollohet nga një parti e ndryshme nga ajo që ka Kongresin dhe Presidentin.
Tashmë që u ka mbaruar mandati gjashtë anëtarëve, nga nëntë që ka Gjykata Kushtetuese është vënë në dyshim ushtrimi i këtij atributi informal nga Gjykata Kushtetuese. Prandaj Edi Rama kërkon që të zgjedhë në Gjykatën Kushtetuese njerëz të besuar, të çilët do të sigurojnë vazhdimësinë e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese si dhomë e lartë e parlamentit të Shqipërisë, duke e bërë fiktiv Kuvendin. Kështu, Edi Rama siguron bashkëqeverisjen me Berishën, deri në 2013, se ky i fundit nuk mund të miratojë asnjë ligj pa miratimin e Edi Ramës.
Kjo kërkesë e Edi Ramës hap dy probleme, një afatshkurtër dhe një afatgjatë. Problemi afatshkurtër është marrëveshja Rama-Topi. Ndryshimi i qëndrimit të Edi Ramës ndaj Bamir Topit, të cilin e quajti president të zgjedhur me vota të blera, erdhi pasi të dy bënë një marrëveshje antiberishë, sipas se cile Topi pati shume perfitime, veç premtimit se do të zgjidhej edhe për një mandat president, në 2012. Kjo marrëveshje erdhi pas ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës në prill 2008, sipas marrëveshjes Rama-Berisha. Rama luajti në të krahët, duke bërë marrëveshje me Berishën, edhe me Topin. Në rrethin e afërt të Ramës këtë lojë të dyfishtë e quanin provë të gjenialitetit politik të Ramës. Berisha iu kundërpërgjigj marrëveshjes Rama-Topi me marrëveshjen Berisha-Meta. Marrëveshja e fshehtë Rama-Berisha e fundit të vitit 2007, për ndryshimin e Kushtetutës, në prill 2008, solli prishjen e marrëveshjes Rama-Meta, të bërë para zgjedhjeve vendore të vitit 2007.
Edi Rama, që në ditët e para pas zgjedhjeve, punoi fort sidomos në drejtim të Berishës, për të prishur marrëveshjen Berisha-Meta, por dështoi se nuk ofroi si çmim prishjen e marrëveshjes Rama-Topi, ose së paku nuk e ofroi në mënyrë të besueshme. Marrëveshja Rama-Topi është edhe në këtë moment pengesa më e madhe për një marrëveshje Rama-Berisha. Shenjat e marrëveshjes Rama-Topi janë krejt të qarta. Bamir Topi, në mënyrë antikushtetuese ka vonuar emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke krijuar vacuum institucional, dhe kjo nuk ka shpjegim tjetër veç atij se vonesa është bërë për t’ u sinkronizuar me agjendën e Edi Ramës të grevës së urisë, njëra prej kërkesave të pjestarëve të së cilës ka të bëjë me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Bamir Topi, definitivisht po i qëndron marrëveshjes me Ramën. Presidenti Topi nuk mund të thotë se është duke bërë veprime institucionale, siç ka dëshirë të shprehet, se vetë konsulta që ai bëri për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese kishte konflikt interesash skandaloz. Në konsultë ishte dhe Aleks Luarasi, pronari i universitetit privat ku është diplomuar për juriste vajza e presidentit, e cila u mor në punë në Bankën e Shqipërisë nga Ardian Fullani, edhe pse universiteti që ka mbaruar vajza e presidentit nuk e ka marrë akreditimin. Gjë që është kundërshtim me ligjin. Por Ardian Fullani me këtë vazhdon paguan çmimin për emërimin e gruas së tij anëtare e Gjykatës së Lartë nga Presidenti Topi. Këto janë veprimet “institucionale” të Topit!
Sipas marrëveshjes Rama-Topi, pas dy vjetësh Bamir Topi duhet të rizgjidhet president për një mandat të dytë, gjë të cilën Berisha as që dëshiron ta dëgjojë. Por Berisha do që karriera politike e Bamir Topit të marrë fund në 2012, mundësisht edhe më parë. Berisha nuk mund të rrezikojë marrëveshjen me Ramën, sa kohë që është në fuqi marrëveshja Rama-Topi. Sepse ekzistenca e marrëveshjes Rama-Topi, në kohën që Berisha ka vetëm një mazhorancë të brishtë parlamentare, do të thotë që ata të dy mund të bashkëpunojnë në çdo kohë për të shkëputur nga mazhoranca së paku pesë-gjashtë deputëtë, në mënyrë që ajo të prishet. Gjithashtu, Berisha nuk mund të pranojë që Rama të kontrollojë Gjykatën Kushtetuese deri në vitin 2019 dhe presidentin deri në vitin 2017. Rama duhet të zgjedhë midis këtyre të dyjave.
Por Rama i ka ndërlikuar gjërat se ai tashmë e ka të vështirë ta bindë Berishën se e ka prishur vërtet marrëveshjen me Topin, edhe nëse ia premton këtë gjë. Mënyra më e mirë për të zhbllokuar krizën Rama-Berisha do të ishte që PS të shtonte dhe kërkesën për shkarkimin e presidentit të zgjedhur me vota të vjedhura, dhe të zgjidhej një president i ri konsensual, i cili më mirë të ishte i majtë se të jetë ky që është. Për Berishën, më mirë do të ishte që president të ishte Pëllumb Xhufi apo Sabit Brokaj, të cilët së paku dihet që janë të majtë, se Bamir Topi që shtiret si i djathtë dhe bën të majtin ekstremist me veprimet e tij “institucionale”. Së paku një president i majtë do të ketë preokupimin për t’ u treguar më bashkëpunues me mazhorancën e djathtë.


Kastriot Myftaraj
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek