Presidenti Topi priti sot shkrimtarin dhe nobelistin turk, Orhan Pamuk.

Presidenti Topi priti sot shkrimtarin dhe nobelistin turk, Orhan Pamuk.

Presidenti Topi priti sot në një takim të përzemërt shkrimtarin me famë botërore dhe fituesin e çmimit ‘Nobel’, Orhan Pamuk, i cili ndodhet në vendin tonë për një vizitë dyditore. Në takim ishin të pranishëm edhe Ambasadori turk në Tiranë, Hasan S. Asan si dhe shkrimtarja e botuesja e “Skanderbeg Books”, Flutura Açka, e cila ka bërë të mundur përkthimin dhe publikimin e veprave të shkrimtarit turk në Shqipëri.
Pasi i uroi zotit Pamuk mirëseardhjen në vendin tonë, Presidenti Topi shprehu kënaqësinë e veçantë për takimin me këtë shkrimtar të madh dhe vuri në dukje se vizita të kësaj natyre ilustrojnë jo vetëm marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe popujve, por edhe vlerësimin për kulturën dhe artin në tërësi si dhe për librin në veçanti. Kreu i shtetit, duke vlerësuar veprën e shkrimtarit të mirënjohur botërisht, theksoi se vepra letrare e zotit Pamuk shquhet “për këndvështrimin shumë original, nivelin e lartë artistik si dhe guximin individual për të qenë influent në politikë dhe intelektualisht.”
Nga ana e tij, shkrimtari i shquar Pamuk, pasi shprehu me emocion nderimin dhe krenarinë e madhe për takimin me Kreun e shtetit shqiptar, e vlerësoi atë si të paharrueshëm duke falenderuar Presidentin Topi për këtë bashkëbisedim të këndshëm e miqësor. Zoti Pamuk duke u ndalur në përshtypjet e tij për Shqipërinë e shqiptarët, të reflektuara edhe në librin e tij më të fundit, ‘Stambolli’, vuri në dukje se: “tashmë në moshën 58-vjeçare, ndihet disi në faj që nuk ka mundur të vizitojë dot vendin tonë më parë.”


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek