Bashkia e Tiranës shpall planin e levizjes së automjeteve në Tiranë

Bashkia e Tiranës shpall planin e levizjes së automjeteve në Tiranë

Ja ku do të jenë stacionet e linjave urbane

 

Për të mundësuar funksionimin e fazës së dytë të punimeve në sheshin “Skënderbej”, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë masash të cilat lidhen me sigurimin e kantierit të ndërtimit, por edhe me akset rrugore që mundësojnë funksionalitetin e planit të lëvizjes. Ndër të tjera, kjo fazë e dytë punimesh, ashtu siç është bërë publike deri më tani, ka edhe ndryshime që shtrihen në rrugët e tjera të qytetit.

Ndryshimet konsistojnë në:

- Ndryshimin e drejtimit të lëvizjes në disa rrugë dhe shtimin e kapacitetit (hapja e Urës së Bllokut)

- Heqje e parkimit dhe kontroll më të mirë të tij, ku përmendim:

• Rruga “Abdi Toptani”, me një sens lëvizjeje, me drejtim nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, deri në rrugën “George W Bush” do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë, në të dy krahët e saj.

• Rruga “Mine Peza”, me një sens lëvizjeje, me drejtim nga rruga e “Durrësit”, deri në rrugën “Asim Vokshi” do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë, në të dy krahët e saj.

 • Rruga e “Kavajës”, në kryqëzimim e saj me rrugën “Kont Urani”, 150 m përpara impianteve semaforikë, në të dy drejtimet do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë.

 • Bulevardi “Bajram Curri”, “Zhan D’Ark”, “Muhamet Gjollesha”, Sulejman Delvina”, në kryqëzimet e tyre, 150 m, përpara impianteve semaforikë, në të dy drejtimet do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë.

- Rikonceptim i skemës së linjave të transportit dhe stacioneve

• Stacioni qëndror i linjës së Tiranës së Re do të zhvendoset nga stacionimi i mëparshëm para “Pallatit të Kulturës”, tek “15 katëshi”.

• Stacioni i linjave të Insitutit Bujqësor (Kamza) dhe Lapraka spostohen para “Muzeut Kombëtar”.

• Stacioni kryesor i linjës Kombinat - Kinostudio dhe Uzina “Dinamo” spostohet pas Bankës së Shqipërisë.

Gjithashtu ështe për tu theksuar edhe asfaltimi i zonës në sheshin “Skënderbej”, përeth kantierit të punimeve, në këtë fazë. Sistemimi dhe asfaltimi provizor por edhe sinjalizimi rrugor do të mundësojnë rritjen e shpejtësisë së lëvizjes dhe do të lehtësojnë trafikun në shesh, në kohën kur segmente të tjera të sheshit do të bllokohen për trafikun.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek