Vlerësohet roli i infermierve ne sherbimin spitalor

Vlerësohet roli i infermierve ne sherbimin spitalor
Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë vijoi sot diskutimet për problemet që dalin në kualifikimin e mëtejshëm të infermiereve. Të pranishëm në mbledhje ishin drejtues të Urdhrit të Infermierit si dhe një eksperte pranë Ministrisë së Arsimit.
Gjatë mbledhjes, kryetari i Urdhrit të Infermierit vlerësoi rëndësinë që ka kualifikimi i infermierëve, sipas normave dhe standardeve më të mira të vendeve të Bashkimit Europian. Ai tha se ka një rritje të numrit të infermierëve të diplomuar me arsim të lartë që shërbejnë në sistemet spitalore në mbarë vendin.
Gjithashtu, ai vuri në dukje se për formimin bazë të infermierëve janë bërë edhe testime në bashkëpunim me Fakultetin e Infermierisë. Në mënyrë të veçantë, ai u shpreh se do të përcaktohen norma të reja, sipas të cilave pas mbarimit të studimeve të larta, infermierët do të kenë të drejtën e praktikës e më pas do të marrin të drejtën për të punuar.
Në vijim të diskutimeve, anëtarët e Komisionit të Shëndetësisë, theksuan rëndësinë që ka hartimi i një strategjie për kualifikimin e vazhdueshëm të infermierëve, në kuadër të të rejave më të fundit që dalin nga shkenca dhe mjekësia. Ata kërkuan sanksione konkrete ligjore për rritjen e nivelit të profesionalizmit të infermierëve.
Anëtarët e Komisionit vlerësuan se përmirësimi i mëtejshëm i legjislacionit në këtë drejtim, i hap rrugën infermierëve për të studiuar edhe për grada shkencore.

Më pas, komisioni vendosi vijimin e diskutimeve në mbledhjen e radhës, ku të pranishëm pritet të jenë edhe përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë. 


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek