Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, u zhvillua sot mbledhja e Komitetit Ndërministror të Integrimit Europian, e cila trajtoi ecurinë e hartimit të përgjigjeve për pyetjet e reja të Pyetësorit të Komisionit Europian për Shqipërinë.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që përgjigjet e Pyetësorit dhe në tërësi i gjithë dokumenti janë vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Europian, duke falënderuar me mirënjohje të gjithë punonjësit e administratës për përkushtimin dhe seriozitetin e tyre në formulimin e përgjigjeve të Pyetësorit.
Kryeministri Berisha tha se ashtu siç pritej, Komisioni Europian ka dërguar rreth 180 pyetje të reja, si dhe ka kërkuar sqarime të tjera, statistika, vendime, ligje dhe qartësime definicionesh, të cilat duhet të dorëzohen në datën 10 qershor.
“Kjo, - theksoi Kryeministri - është metoda më transparente që Komisioni ka dhe përbën një avantazh shumë të madh për ne. Procesi i bashkëpunimit me Komisionin është procesi më i gjerë që vendi ka njohur ndonjëherë, por dua të theksoj se është procesi më transparent”.
Kryeministri ritheksoi porosinë që përgjigjet të jenë sa më të shkurtra dhe sa më të sakta, sikundër është vepruar me të gjithë dokumentin e përgjigjeve të Pyetësorit, një praktikë kjo e dëshmuar më e suksesshme.
Në fjalën e tij, më gjerësisht, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes. Në këtë mbledhje, shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe një herë me shumë respekt dhe mirënjohje të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e administratës të të gjitha institucioneve, që punuan me përkushtim të madh në formulimin e përgjigjeve për pyetësorin e Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili përbën dokumentin më të rëndësishëm që ky vend ka paraqitur ndonjëherë në Bashkimin Europian apo institucionet ndërkombëtare.
Siç jeni informuar, vlerësimet për Pyetësorin kanë qenë pozitive dhe kjo është një arritje shumë e madhe. Ato janë bazuar në vlerësimet e përgjigjeve që ju keni dhënë, para së gjithash, në punën tuaj serioze, të stafeve dhe bashkëpunëtorëve tuaj. Kjo ka bërë që të vlerësohet në tërësi pozitivisht dokumenti, të vlerësohen pozitivisht përgjigjet dhe të trajtohen, do të thosha, me shpejtësi rekord, sepse ne e dorëzuam atë më 14 prill dhe në një hark kohor më pak se një muaj, Komisioni, siç pritej, dërgoi rreth 180 pyetje të reja, si dhe ka kërkuar sqarime. Të tjerat janë të gjitha sqarime, statistika, vendime, ligje dhe qartësime definicionesh. Lidhur me këtë, po jap një shembull. Në kapitull 11 është dërguar çmimi i vajit të ullirit, por Komisioni do që të dijë nëse është çmimi i prodhuesit, apo çmimi i tregtimit. Të tilla janë jo të pakta, të cilat duan specifikime të mëtejshme. Kjo tregon se me sa vëmendje dhe lupë e kanë lexuar ekspertët e Komisionit librin e Shqipërisë. Gjithashtu, janë planifikuar të vijnë edhe 9 misione ekspertësh, pasi, ndër të tjera, Komisioni ka edhe një specifikë. Nëse nuk i sheh gjërat vetë, nuk i beson, pra, i lexon, por vjen edhe vetë këtu. Kjo është metoda më transparente që Komisioni ka dhe përbën një avantazh shumë të madh për ne. Sigurisht, procesi i bashkëpunimit me Komisionin është procesi më i gjerë që vendi ka njohur ndonjëherë, por dua të theksoj se është procesi më transparent. Avantazhet e këtij bashkëpunimi apo lehtësia më e madhe tij është transparenca. Me këtë institucion, ne kemi një mirëkuptim të plotë dhe ky mirëkuptim buron nga transparenca, me të cilën ne sillemi ndaj tyre dhe me të cilën, ata sillen ndaj nesh.
Mbetet që në njësi kohe sa më të shkurtër dhe për këtë ka një datë, 10 qershori, në të cilën ata i presin. Një datë kjo shumë e rëndësishme. Ndonëse nuk përkon ditë më ditë me datën e firmosje së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, më 12 qershor, por në këto dy data, nga 10-12 qershori, ne kemi data të mëdha në historinë tonë kombëtare. Një prej tyre është firmosja e MSA-së. Po ashtu, 10 qershori është një ogur i bardhë, është përcaktuar si dita fundit, që ne duhet të dorëzojmë të gjitha sqarimet dhe përgjigjet për rreth 180 pyetjet e reja, të shtuara dhe kjo është normale, të cilat ministrja Bregu i ka shpërndarë sipas grupeve. Përgjigjet të jenë sa më të shkurtra dhe sa më të sakta. Ishte avantazh i madh që ne nuk ecëm me mënyrën supervoluminoze, por shkuan me 3854 faqe, besoj afër me Islandën. Dhe kemi bërë mirë, se ‘shto miell, e shto ujë’, është praktika më e gabuar. Edhe tani të çojmë sintezën e tyre. Të tjerat janë ligje dhe vendime, të cilat duhet t’u dërgohen për t’i parë, pasi kjo është normale. Siç e shihni, vërtet kemi punuar në mënyrë intensive, por e vërteta është se Komisioni ka qenë më i shpejt se ne, pasi në një hark kohor më pak se 30 ditë, ka dëshmuar se e ka shqyrtuar të gjithë dokumentin dhe ka paraqitur kërkesat e veta dhe ka shtuar pyetjet, sepse në tërësinë e tyre, duket se këto pyetje janë konsideruar të nevojshme të formulohen”
| Tiranë | 5 | °C | |
| Prishtinë | -7 | °C | |
| Ulqin | -2 | °C | |
| Shkup | -7 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.20 | 142.03 |
| USD | 102.75 | 107.15 |
| GPB | 162.09 | 169.03 |
| CHF | 112.60 | 117.42 |