Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, më datë 11.06.2010, u zhvillua ceremonia e dhurimit të pajisjeve mbështetëse për sistemin TIMS.
Përmes këtij sistemi bëhet përpunimi i të gjitha të dhënave të shërbimit kufitar, duke filluar nga lidhja online me të 12-të Drejtoritë e Policisë në Qarqe, dhe monitorimi në 24 orë i 24 pikave kufitare me kamera nga Policia e Shtetit.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Zv/Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Deborah A. Jones, Ministri i Brendshëm z. Lulzim Basha, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj, përfaqësues të programit ICITAP e misionit PAMECA, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Flamur Gjyrmishka si dhe përfaqësues të tjerë të Policisë së Shtetit.
Dhurimi i pajisjeve të cilat janë vendosur aktualisht në funksion të Policisë së Shtetit, arrijnë një vlerë prej mbi 2 milion dollarësh, donacion i Qeverisë Amerikane nëpërmjet Programit ICITAP.
Gjatë fjalës së saj përshëndetëse në këtë ceremoni, Zv/Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Deborah A. Jones, shprehu vlerësimet e saj për rritjen e eficencës së shërbimeve policore dhe uljen e kostos së shërbimeve për qytetarët nëpërmjet përdorimit të pajisjeve të dhuruara të sistemit TIMS.
“Automatizimi i këtij sistemi nëpërmjet këtyre pajisjeve ka bërë të mundur që kontrolli kufitar të përpunojë mbi 24 milion hyrje-dalje gjatë tre viteve të fundit, duke zvogëluar shkallën e pritjes për qytetarët dhe vizitorët në Shqipëri. Në të njëjtën kohë më shumë së 400 persona janë identifikuar si të kërkuar nga policia. Sistemi përmban të dhëna për 3000 persona në kërkim dhe ka asistuar në kapjen e 500 prej tyre dhe konfiskimin e mbi 600 dokumenteve të falsifikuara gjatë vitit 2008-2009”, ka evidentuar znj. Jones. “Policia e Shtetit Shqiptar i ka demonstruar në mënyrë të qartë kapacitetet e saj për të çuar përpara infrastrukturën e Policisë Kufitare dhe Migracionit nëpërmjet sistemit TIMS.
Jam shumë krenare të nënshkruaj dokumentin për transferimin e këtyre pajisjeve nga qeveria e SHBA për Policine e Shtetit Shqiptar dhe popullin shqiptar”.
Ndërsa Ministri i Brendshëm z. Lulzim Basha, vlerësoi përmirësimin e ndjeshëm që ka pësuar infrastruktura e Policisë Kufitare dhe Migracionit me vënien në funksion të plotë të sistemit TIMS, duke e cilësuar këtë sistem si më modernin në Evropën Juglindore.
“Vënia në funksionim të plotë e këtij sistemi ka bërë të mundur që Policia e Shtetit, në veçanti Policia e Kufirit dhe Migracionit, të realizojë në përputhje të plotë me standardet Shengen, mandatin e saj. Për qytetarët shqiptarë dhe të huaj, përdorues të kufirit, kufiri është bërë shumë më efikas, më i shpejtë dhe më miqësor në ofrimin e shërbimeve. Kufiri është bërë më i padepërtueshëm, më armiqësor dhe më i pakalueshëm për krimin ordiner, të organizuar, transkufitar apo transrajonal. Ky sistem ka kontribuar në vlerësimin pa ekuivoke të sigurisë së kufijve të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me normat dhe standardet më të larta të Bashkimit Europian, duke kontribuar kështu në propozimin historik të Komisionit Europian për heqjen e vizave në fund të muajit që shkoi ”, u shpreh z. Basha.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj, gjatë fjalës së tij shprehu vlerësimet dhe konsideratat më të larta për bashkëpunimin shumë të mirë disavjeçar me Programin ICITAP, bashkëpunim i cili ka sjellë kontribute të rëndësishme dhe rezultate konkrete në mjaft aspekte të veprimtarisë së strukturave policore.
“Dhurimi i pajisjeve të sistemit TIMS, që është një ndër projektet më të rëndësishme të implementuara në Policinë e Shtetit, është shprehja më e qartë e rëndësisë dhe vazhdimësisë së këtij bashkëpunimi. Falë këtij sistemi tashmë është përmirësuar ndjeshëm efikasiteti dhe arritjet e strukturave policore në sigurimin e kontrollit të kufijve, si dhe në luftën kundër trafikimit të personave, narkotikëve dhe terrorizmit, nëpërmjet përdorimit të sistemeve të integruara moderne të menaxhimit të informacionit.
Policia e Shtetit e vlerëson maksimalisht bashkëpunimin me ICITAP, i cili në mënyrë të padiskutueshme ka luajtur një rol thelbësor në rritjen e profesionalizmit të policisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në drejtim të përmbushjes së standardeve të vendit tonë në procesin e liberalizimit të vizave, si dhe integrimin Europian”, theksoi z. Burgaj.
Në përfundim të ceremonisë së organizuar më këtë rast, u nënshkrua dokumenti i dhurimit të pajisjeve nga programi ICITAP, të destinuara për sistemin TIMS në Policinë e Shtetit
| Tiranë | 5 | °C | |
| Prishtinë | -7 | °C | |
| Ulqin | -2 | °C | |
| Shkup | -7 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.20 | 142.03 |
| USD | 102.75 | 107.15 |
| GPB | 162.09 | 169.03 |
| CHF | 112.60 | 117.42 |