Berisha- Idrizi, gati marrveshja

Berisha- Idrizi, gati marrveshja

Kryeministri Berisha priti sot në takim Kryetarin e Partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDU) Shpëtim Idrizi i shoqëruar nga deputeti tjetër i kësaj partie Dashamir Tahiri

Të dy përfaqësuesit e PDU-së e falenderuan Kryeministrin Berisha për pritjen si dhe i paraqitën programin dhe aktivitetet e kryera që nga formimi i saj. Ata  e  informuan  gjithashtu për përpjekjet që po bëjnë për sensibilizimin dhe zgjidhjen e problemit të çamëve, duke e konsideruar atë si çështje e të drejtave të njeriut ku problemi i pronës është konform të gjitha ligjeve dhe konventave ndërkombëtare.

Kryeministri  Berisha theksoi se vlerëson qëndrimin e PDU-së në Parlament në mbështetje të mazhorancës.  Mazhoranca, theksoi kryeministri, i përmbahet parimit se sot ideali më i mirë kombëtar i shqiptarëve është ideali evropian , i integrimit të shqiptarëve në evropë dhe i trajtimit të të gjitha problemeve në përputhje me normat evropiane.  Në këtë kontekst, theksoi kryeministri,  qeveria mendon se problemi çam nuk përbën kategorikisht një çështje të ndryshimit të kufijve apo pretendimesh territoriale.  Problematika e tij duhet të trajtohet në përputhje me traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit që ekziston midis 2 vendeve tona.

Ndërsa për sa i përket një pike tjetër të ngritur nga përfaqësuesit e PDU-së siç është ai i integrimit të komunitetit çam në administratën shqiptare, Kryeministri  Berisha u shpreh i hapur për të ndërmarrë hapa konkretë për integrimin e këtij komuniteti pa asnjë lloj diskriminimi në administratë.

Kryeministri  Berisha u shpreh i hapur edhe ndaj kërkesave të tjera të parashtruara nga përfaqësuesit e PDU-së siç ishte ngritja e një komiteti kombëtar të diasporës, ringritja e shtëpisë muze të rilindasit Hasan Tasimi si dhe ndërtimi i varrezës së Kllogjerit në përkujtim të 2700 viktimave çame.

Në përfundim të takimit, kryeministri Berisha njëherazi kryetar i partisë demokratike dhe përfaqësuesit e PDU-së ranë dakord që të elaborojnë një marrëveshje kuadër për bashkëpunimin e ardhshëm midis dy forcave politike


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek