Berisha takohet me biznesmene vlonjat

Berisha takohet me biznesmene vlonjat

Kryeministri Berisha zhvilloi dje në Llogora, një takim me biznesmenë të Vlorës, organizuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Dhoma e Tregtisë Vlorë, me të cilët bashkëbisedoi lidhur me ecurinë ekonomike të vendit, politikat fiskale e ekonomike, reformat e ndërmarra në mbështetje të tyre dhe krijimin e një klime të favorshme për biznesin, si dhe zhvillimin e potencialeve të mëdha të vendit.

 

Kryeministri Berisha falënderoi biznesmenët e Vlorës për kontributin që ata me punë e tyre japin jo vetëm për zhvillimin e Vlorës, por të vendit në tërësi. Falë punës suaj dhe politikave të drejta ekonomike, Shqipëria ia doli, tha Kryeministri, që të shënoje ritme të mëdha zhvillimi në kohën më të vështirë për ekonominë europiane dhe botërore, e mbështetur kjo edhe nga studimet dhe raportet e analistëve ndërkombëtarë për ekonominë. Duke cituar raportin e Drejtorisë së Përgjithshme për Ekonominë dhe Financat të Komisionit Europian se rritja ekonomike e Shqipërisë është rritje e bazuar në investimet, Kryeministri theksoi se nëpërmjet investimeve të mëdha, qeveria është përpjekur të lehtësojë klimën dhe kushtet e biznesit. Vetëm në qarkun e Vlorës, nga viti 2006 e deri më sot, janë në përfundim 670 milion euro investime. Kryeministri garantoi se qeveria do të kompletojë me përparësi infrastrukturën rrugore të vendit dhe gjatë tre viteve të ardhshme do të jenë hapur të gjitha arteriet e mëdha rrugore të vendit.

 

Kryeministri u ndal në disa nga reformat më të fundit të ndërmarra në mbështetje dhe lehtësim të biznesit dhe investimeve si transformimi rrënjësor i Albinvest në një Agjenci të Investimeve që funksionin thuajse me parimin "one stop shop" dhe reforma e inspektorateve që do konkretizohet së shpejti me reduktimin nga 36 në 11 të numrit të tyre dhe vendosjen e e-inspektimit.

 

Duke garantuar mbështetjen e plotë të qeverisë ndaj biznesit, Kryeministri siguroi se qeveria do të vazhdojë t'i përmbahet dhe do ta konsolidojë politikën e saj të taksave të ulëta, si mënyra më e mirë për mbështetjen dhe zhvillimin e biznesit, zgjerimit të tij dhe rritjes së punësimit. "Në kohën kur është vendosur ulja e taksave, - u shpreh Kryeministri - nuk kam menduar kurrë se do të arrihet të dyfishohen të ardhurat. Faktikisht, sivjet nga doganat dhe tatimet kemi 4 përqind më shumë se dyfishi i të ardhurave të vitit 2004". 

 

Më pas, përfaqësues të disa kompanive dhe firmave të biznesit i paraqitën Kryeministrit disa nga projektet më të mëdha të zhvillimit për këtë zonë në fushën e turizmit, industriale, të agrobiznesit dhe akuakulturës si projekti për ndërtimin e parkut industrial, nismë e një grupi biznesmenësh të Vlorës; ndërtimi i hidrocentralit të SASAJ-t në Lukovë, me fuqi të instaluar prej 8.6. megavat, për të cilën përfaqësuesi i kompanisë informoi se është në fazën përfundimtare; projekti për ndërtimin e një rezorti turistik në Llogora në një sipërfaqe prej 270 hektarë; ndërsa përfaqësuesit e firmës ORATA në akuakulturë e informuan Kryeministrin se pasi kishin arritur të zëvendësonin importet e disa varieteteve të peshkut në tregun vendas, synonin të eksportonin në tregun europian.

 

"Vlora, - tha Kryeministri - me punën dhe investimet tuaja, me politikat e drejta, koncesionet e mëdha për portin dhe në fushën  e energjisë, potencialin e jashtëzakonshëm turistik do të shndërrohet në një nga epiqendrat e fuqishme të vendit dhe të rajonit, në zhvillimin e saj tërësor, turistik, industrial e të gjithanshëm".             

 

Kryeministri Berisha iu përgjigj edhe disa shqetësimeve të ngritura prej tyre. Lidhur me trafikun e rënduar në qytetin e Vlorës gjatë sezonit turistik, Kryeministri tha se është përfunduar projekti dhe vitin e ardhshëm fillon ndërtimi i by-pass-it të Vlorës, që do ta drejtojë trafikun veror drejt bregu, duke lehtësuar në këtë mënyrë trafikun në qytetin e Vlorës. Po ashtu qeveria do të mbështesë edhe projektin e unazës së qytetit.

 

Kryeministri shprehu admirimin për nismën e grupit të biznesmenëve të Vlorës për ngritjen e pakut industrial sipas modeleve më të mira ndërkombëtare dhe i garantoi ata se qeveria do t’i mbështesë plotësisht në ngritjen e infrastrukturës së domosdoshme si rrugore, hekurudhore, furnizimin me ujë dhe energji. Kryeministri u bëri me dije se në një kohë të afërt qeveria do të mund të vendosë një regjim të ri fiskal më të favorshëm se ai aktual, për parqet industriale.

 

Kryeministri kërkoi që në punën e tyre, bizneset të udhëhiqen nga dy parime: mjedisi dhe mirëkuptimi me komunitetin. “Kur flasim për standarde një nga kushtet më themelore në standardin e sotëm europian është mirëkuptimi, durimi, shpjegimi, vetëdija dhe detyrimet që kemi ndaj tij. E kemi për detyrë të bëjmë çdo gjë për të vendosur urat e mirëkuptimit me ta, ne si qeveri, ju biznesmenë dhe pushteti vendor. Sikundër mjedisi duhet të jetë një parim udhëheqës. Duhet të bëhet çdo gjë që biznesi ynë të jetë miqësor ndaj mjedisit. Sa më e madhe do të bëhet vetëdija për mjedisin, aq më të shëmtuara do të ngjasin krimet ndaj tij”, u shpreh Kryeministri.

 

Po ashtu, Kryeministri i ftoi biznesmenët të konsiderojnë investimet private edhe në fushën e bujqësisë, për projektin e ullirit apo të investimeve për rritjen e agrumeve, duke i garantuar se qeveria është e gatshme t'i subvencionojë.

 

Në ekspozenë që bëri në hyrje të takimit, Kryeministri Berisha, më gjerë, u shpreh:

 

“Së pari, dëshiroj t'u falënderoj për ftesën dhe të shpreh vlerësim dhe mirënjohjen time për të gjithë kontributin dhe punën e çmuar që ju keni dhënë dhe jepni në zhvillimin ekonomik të qarkut të Vlorës në veçanti, por edhe të vendit në tërësi. Në këtë veprimtari tuajën, bazuar në politika të drejta, biznesi i Vlorës, por edhe i vendit në tërësi, ia ka dalë të shënojë ritme të papara zhvillimi, në kohën më të vështirë për ekonominë e Europës dhe të botës. Të gjitha vendet kanë nevojë për ritme të qëndrueshme zhvillimi. Por Shqipëria është një vend që ka nevojë për ritme shumë të shpejta dhe të larta zhvillimi, sepse ne e nisëm nga një bazë jashtëzakonisht e papranueshme për një vend europian. Nga ana tjetër, përpjekja e madhe që është bërë mendoj se ka dhënë frytet e veta të qarta, të pamohueshme dhe më shumë se çdo gjë tjetër në këtë periudhë krize, në provë kanë qenë politikat ekonomike. Sot, janë të shumtë analistët dhe ekonomistët që ndalen në analizën e ekonomisë shqiptare. Mendoj se vlerësimin më të saktë e më të plotë e bëri Drejtoria e Përgjithshme e Ekonomisë dhe Financave e Komisionit Europain, e cila, në analizën ekonomike të vendeve, thekson se rritja e Shqipërisë është rritje e bazuar në investime dhe rezulton se vendi i dytë me investime më të larta kishte vetëm gjysmën e investimeve të Shqipërisë, si përqindje e GDP-së. Ne jemi përpjekur si qeveri që nëpërmjet investimeve sa më të mëdha të lehtësojmë klimën dhe kushtet tuaja. Vetëm në qarkun e Vlorës, nga viti 2006 e deri më sot, janë në përfundim 670 milion euro investime dhe ju jeni dëshmitarë për këtë. Kur isha në Forumin Ekonomik në Davos,  Kryeministri kinez u zotua se Kina do të kontribuonte në përballimin e krizës duke rritur investimet në dy vite sëbashku në 16 përqind të GDP-së. Shqipëria, në dy vite sëbashku, investonte në 18-20 përqind të GDP-së në infrastrukturë.

 

Ne jemi përpjekur t'u ofrojmë qytetarëve dhe biznesit, që e ka jetike për funksionimin e tij, një infrastrukturë sa më moderne e të përshtatshme. Falë këtyre përpjekjeve sot nuk ka më gjeneratorë në bizneset tuaja, falë këtyre përpjekjeve, sot, distancat janë shkurtuar shumë. Për të gjithë koha është e çmuar. Jam përpjekur shumë gjatë këtyre viteve të operoj në këtë koncept, sepse nuk ka diskutim se nuk ka gjë më të çmuar se koha, por për ata që janë kohë humbur si ne, ajo është super e çmuar. Ky është realiteti dhe ne e marrim atë për ta ndryshuar. Ndaj në këtë kontekst, infrastruktura rrugore moderne ju jep një avantazh të madh kohor dhe ne do ta kompletojmë me përparësi absolute atë. Shpresojmë që gjatë këtyre tre viteve që vijnë të kemi hapur të gjitha arteriet e mëdha rrugore të vendit.

 

Vlora ka potenciale të jashtëzakonshme që ju i njihni dhe ne jemi vetëm në fillimin e këtyre potencialeve. Sot, Vlora është një nga qytetet me potencial turistik ndër më të mëdhenjtë që mund të imagjinohet, por këtu duhen investime dhe të plotësohet infrastruktura që kjo të shndërrohet në realitet. Ju keni bërë përpjekje të lavdërueshme dhe keni dhënë modele. Vetë Llogoraja është ndër parqet më të bukura të vendit, e ndërtuar me mençuri. Ju keni krijuar modele shumë të mira dhe kjo përbën një detyrim për qeverinë vendore dhe atë qendrore që të jenë më të hapur ndaj jush dhe ju garantoj se do të jemi. Ne do t'ju inkurajojmë ju dhe investimet tuaj, qoftë në parkun industrial që është meritë tërësore e biznesmenëve që morën nismën dhe paraqitën projektin, qoftë  edhe në shfrytëzimin e potencialeve e tjera të mëdha turistike të qytetit të Vlorës dhe qarkut të Vlorës në tërësi.

 

Ne kemi regjistruar disa arritje të mëdha në klimën e biznesit. Për mua, një arritje e jashtëzakonshme është që në regjistrimin e biznesit sot, Shqipëria është 27 pikë para mesatares së vendeve të OECD-së, grupi i vendeve më të zhvilluara në botë. Por edhe në investimet në sektorë, Shqipëria, në raportin e fundit të MIGA, IFC dhe Bankës Botërore vendoset 7 pikë mbi mesataren e këtyre vendeve. Kjo përbën një frymëmarrje për ju, pasi jeni ju, ata që e keni jetike këtë. Unë ju garantoj se do të vazhdojmë me vendosmëri të madhe t'ju mbështesim fuqishëm në nismat tuaja. Ju ndoshta jeni informuar se ne kaluam ligjin e Agjencisë së Investimeve, një transformim rrënjësor i Albinvest, e cila do të funksionojë pothuajse në parimin e 'one stop shop'.

 

Po ashtu kaluam ligjin tjetër, i cili mund të jetë ndoshta unik, që  për investitorin që ka nisur investimin bazuar në dokumente të rregullta zyrtare, pas këtij momenti është shteti pas, i cili ndërhyn dhe askush tjetër nuk mund t'i ndërhyjë investitorit në investimin e tij, duke i dhënë kështu përgjigjen më të plotë çështjeve të pronësisë. Nëse e ka blerë truallin me dokumente të rregullta origjinalë, të lëshuara nga agjencitë shtetërore, do të jetë qeveria, ajo që do të vendosë në çdo rast praktikën e shtetëzimit, sigurisht duke iu përgjigjur gjer më një edhe personit tjetër. Këtë e bëmë se e kemi shumë të nevojshme, jetik, zhvillimin. Nuk ka asgjë europiane pa zhvillim dhe për këtë, duhet të jemi të vetëdijshëm. Për të qenë europian në kuptimin e sotëm të fjalës, ne duhet të kemi standarde. Nuk mjafton vetëm identiteti, por është tërësia e standardeve. Ndaj mendoj se edhe kjo hap një kapitull të ri, në fushën e investimeve vendase dhe të huaja, në Shqipëri. Agjencia ka një bord, në të cilin përfaqësohet në mënyrë shumë të rëndësishme edhe biznesi. Anëtar të këtij bordi,  që kryesohet nga Kryeministri, janë disa ministra, por edhe disa përfaqësues të biznesit privat. Këtë ne e bëmë që të marrim të gjitha përgjegjësitë, që çështja e investimeve tuaja të mos mbetet vetëm çështje e zyrtarëve të nivelit të mesëm apo të zyrtarëve të tjerë, por të jetë përgjegjësi e zyrtarëve të lartë.

 

Ne kemi ndërmarrë një reformë tjetër, të cilën e konkretizojmë shumë shpejt, atë të inspektorateve. Inspektimet janë të domosdoshme dhe jetike, por inspektime, si këto sot, janë të mërzitshme sa vetë mërzia, për të mos thënë më shumë. Inspektime që, në radhë të parë, ju grabisin kohën, që është më e çmuara për ju dhe më pas edhe të tjera, ju gjobisin në mënyrë të padrejtë. Ne do të vendosim një sistem të ri inspektimesh, i cili nga 36 inspektime do të ketë 11, por, mbi të gjitha, do të jetë e-inspektim, çka do të thotë që kushdo që do të paraqitet tek ju të jetë i detyruar të lërë gjurmën dhe të ndiqet nga Inspektori i Përgjithshëm, në çdo rast që ai ta shohë të nevojshme. Në këtë mënyrë, ne përpiqemi që inspektimet të modernizohen, të bëhen transparente dhe të mos ju marrin kohën që ju marrin sot, për të mos thënë edhe gjoba të pamerituara. Edhe në këtë hap të dytë, ne i japim një mbështetje të re të fuqishme biznesit.

 

Ne kemi ulur taksat dhe kjo ka qenë një nga veprimet më të guximshme. Mund t'ua them me sinqeritet se  në kohën kur është vendosur ulja e taksave, nuk kam menduar kurrë se do të arrihet të dyfishohen të ardhurat. Faktikisht, sivjet nga doganat dhe tatimet kemi 4 përqind më shumë se dyfishi i të ardhurave të vitit 2004. Ulja e taksave u mor për një arsye të thjeshtë filozofike. E para, paratë në kontot tuaja janë më të dobishme për vendit, sesa në duart e burokratëve. Në duart e këtyre të fundit, ato duhet të jenë aq sa për të mbajtur administratën, për të ndërtuar infrastrukturën etj., por të tjerat mundësisht të jenë në kontot e biznesit. Kjo u faktua një politikë jashtëzakonisht e drejtë. Taksat e larta, të përdorura për të goditur borgjezinë, edhe aty ku aplikohen e kudo, absolutisht një koncept i mirëfilltë marksist ky, mund të jetë një nga shkaqet e krizës ekonomike botërore, sot. E vërteta është se studime shumë serioze të universiteteve më të mira të botës faktojnë se taksat e larta nuk godasin borgjezinë. Ronald Regan ka thënë se nuk luftohet varfëria, duke shkatërruar të pasurin dhe këtë thënie e ka të pavdekshme. Përkundrazi. Ulja e taksave është fitimi më i madh i punonjësve dhe i shoqërisë, sepse ato investohen, zgjerojnë aktivitetin, rrisin punësimin etj.. Ne kemi vendosur taksat e ulëta dhe do t'i konsolidojmë ato. Ne do të shohim hapa të tjerë dhe mbetemi vend i politikës së taksave të ulëta dhe i thjeshtimit gjithnjë e më të madh të procedurave burokratike.

 

Për ta mbyllur këtë ekspoze, ju garantoj se ne do të vazhdojmë me vendosmëri në këto drejtime dhe llogarisim që Vlora, me punën dhe investimet tuaja, me politikat e drejta, koncesionet e mëdha për portin dhe në fushën  e energjisë, potencialin e jashtëzakonshëm turistik të shndërrohet në një nga epiqendrat e fuqishme të vendit dhe të rajonit, në zhvillimin e saj tërësor, turistik, industrial e të gjithanshëm”.      


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek