“Newsweek”: Shqipëria e 57 ta në 100 vendet më të mira për të jetuar

“Newsweek”: Shqipëria e 57 ta në 100 vendet më të mira për të jetuar

Një nga organet më prestigjioze të shtypit botëror, “Newsweek”, në një studim të bërë mbi shëndetin, arsimin, ekonominë dhe politikën në gjithë vendet e botës, e rendit Shqipërinë të 57-tën,  ndër 100 vendet e përzgjedhura, si më të mirat për të jetuar.

 

-          “Newsweek” e cilëson Shqipërinë si një ndër kampionët e botës, për cilësinë  e të jetuarit, duke e vendosur atë krahas vendeve të zhvilluara.

 

Sot, Zëdhënësja e Qeverisë, zonja Majlinda Bregu përshëndeti studimin e bërë nga Newsweek, në të cilin Shqipëria renditet si vendi i 57-të, ndër 100 vendet e përzgjedhura si më të mirat për të jetuar.

 

Në përshëndetjen e saj, zonja Bregu u shpreh:

 

“Një tjetër vlerësim vjen nga ndërkombëtarët  për Shqipërinë. 

 

Siç edhe jeni vënë në dijeni, një nga organet më prestigjioze të shtypit botëror, Newsweek, në një studim që ka bërë mbi shëndetin,  arsimin, ekonominë dhe politikën në gjithë vendet e botës, e ka renditur Shqipërinë të 57-tën,  ndër 100 vendet e përzgjedhura, si më të mirat për të jetuar. Ndërsa në studim ishin përfshirë plot 200 vende.

 

Në komentet mbi këtë studim theksohet se demokracia e re në Shqipëri aktualisht tejkalon të gjitha vendet e tjera që janë  ne te njëjtin nivel te ardhurash. Midis një liste të gjatë vendesh,  Shqipëria vazhdimisht renditet më lartë për sa i përket arsimit, shëndetit dhe cilësisë së jetës.

 

Një vlerësim i madh, me 81.2 pikë, i jepet arsimimit në Shqipëri. Pra rreth 99 përqind e shqiptarëve janë të shkolluar.

Ndërsa shëndeti vlerësohet me 71.2 pikë, cilësia e të jetuarit me 67.92, dinamizmi i ekonomisë me 34.9 dhe situata politike me 38.6 pikë.

 

Studimi vlerëson gjithashtu se pavarësisht faktit që kanë qenë qytetarë, të një prej vendeve më të varfra të Evropës, mosha mesatare e jetës së shqiptarëve shkon deri në  78 vjeç, çka është vlerësuar si një statistikë mjaft e mirë.

 

Treguesit janë të qartë. Newsweek e cilëson Shqipërinë si një ndër kampionët e botës, për cilësinë  e të jetuarit, duke e vendosur atë krahas vendeve të tjera të zhvilluara, e duke lënë pas vende të mëdha si Kina apo Arabia Saudite.

 

Treguesit janë të qartë: reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e të jetuarit në Shqipëri.

 

-Dyfishimi i pensioneve të ulta, dyfishimi i  pagave te punonjësve të arsimit, shëndetësisë dhe rritja e rrogave të tjera, dyfishimi i ndihmës ekonomike për personat në nevojë dhe shpërndarja e barabartë e të ardhurave kanë ulur varfërinë në vend.

 

-Investimet e mëdha në infrastrukturë kanë nxitur zhvillimin e shpejtë dhe të vrullshëm të turizmit në vend. Këtë vit, krahasuar me 2004-ën numri i turistëve të ardhur në Shqipëri është rritur 12 herë.

 

-Përmirësimi i klimës së biznesit, në bazë të reformave të mëdha që janë ndërmarrë në këto vite ka bërë që Shqipëria të konsiderohet si një vend i hapur  ndaj investimeve të huaja. Lehtësirat e mëdha për të bërë biznes në Shqipëria vlerësohen si një plus i madh në lidhje me investitorët dhe sigurinë e bizneseve të tyre në Shqipëri.

  

Në raportin e Bankës Botërore, Korporatës Financiare Ndërkombëtare, e cila merr për shqyrtim katër indikatorë bazë për lehtësitë e investimeve të huaja në 87 vende të botës, Shqipëria rezultoi para pak kohësh me 95 përqind për investimet në mbarë sektorët, duke tejkaluar me 5 përqind vendet e OECD-së, vendet e zhvilluara, dhe me 2 përqind vendet e rajonit.  Ndërsa për të filluar një biznes, ne  Shqipëri mundësitë shkojnë ne 98 përqind , kundrejt 71 përqind që është mesatarja e vendeve të OECD-së dhe  të rajonit.

 

Vetëm pak ditë më parë USAID në raportin e tij mbi performancën e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit në Shqipëri konfirmoi edhe njëherë suksesin e reformave të ndërmarra nga Qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit në vend  duke lehtësuar punën dhe ritmin e përditshëm të bizneseve shqiptare, duke ulur tarifën në ngarkim të aplikantëve vetëm në 100 lekë, duke  reduktuar kohën e nevojshme për të regjistruar një biznes të ri,  vetëm në 24 orë.

 

Shqipëria u vlerësua edhe nga OKB me çmimin e ekselencës për prokurimet elektronike.

 

Në vlerësimin e Kombeve të Bashkuara Shqipëria rezultoi vendi i parë në botë që aplikon një sistem prokurimi 100 përqind  elektronik  detyrues,  duke bërë të  mundur kalimin nga 70 përqind të prokurimeve publike –të hapura , para 5 vitesh,  në 100 përqind  procedura elektronike prokurimi, sot në mandatin e dytë të Qeverisë Berisha.

Treguesit janë të qartë: kjo është Shqipëria e vërtetë, vendi i 57-të në botë ku mund të jetohet mirë sepse ka rritje ekonomike, ka zhvillim të infrastrukturës e lehtësira për biznesin vendas e të huaj, ka siguri, mirëqenie dhe edukim të mirë për fëmijët.

Kjo është Shqipëria që arrinë të vëzhgojnë e perceptojnë  me gjykim të ftohtë e sy të mprehtë ndërkombëtarët.

Kjo është Shqipëria që  edhe me te mire duan të kenë të gjithë shqiptarët, e  sa për ata që nuk rreshtin së hartuari me qindra makinacione e gënjeshtra, për t’i mbushur mendjen edhe botës se Shqipëria nuk është ashtu si duket, shpresojmë  qe ne këto dite te nxehta te kenë patur kohe për te lexuar  “ftohte” revistën  prestigjoze Newsweek.”


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek