Berisha, prefektėve: Turizmi dhe infrastruktura , prioritet i prioriteteve

Berisha, prefektėve: Turizmi dhe infrastruktura , prioritet i prioriteteve

Berisha theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme, që institucioni i prefektit  të jetë në lartësinë e duhur me kërkesat e mëdha që shtrohen. “Unë ftoj ju, ftoj administratën qendrore të ngrihen në një lartësi të re, të zhvillojmë kapacitetet, të cilat koha i kërkon, është një dinamizëm i madh në vend, kemi një stad të ri të zhvillimit të këtij vendi, ndaj duhet që ne të ngrihemi në nivelin e këtij stadi ”,  u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha theksoi se secila prefekturë duhet të vendosë si çështje parësore në axhendën e saj  çështjen e turizmit dhe atë të mjedisit, të zhvillimit dhe mbrojtjes së tij. Çdo krim ndaj mjedisit, u shpreh Kryeministri,  është krim i pa tolerueshme dhe  duhet të marrë ndëshkimin e merituar ligjor.

Gjatë takimit Kryeministri Berisha kërkoi nga prefektët që brenda një afati kohor prej dy javësh të sjellin inventarin e plotë të të gjitha investimeve të  bëra në prefekturat përkatëse, në rrugë kombëtare dhe jo kombëtare, rurale dhe dytësore, në kanalizime, ujësjellësa  në shkollat dhe qendrat shëndetësore.

Ai gjithashtu kërkoi nga prefektët  evidentimin e  të gjitha qendrave, komunave, të cilat nuk kanë lidhje akoma me rrugë të asfaltuar me aksin kombëtar pasi kjo do të jetë një tjetër përparësi , u shpreh Kryeministri.


Në fjalën e tij Kryeministri Berisha tha;

Së pari, dëshiroj tu përshëndes, të shpreh vlerësimin për punën që keni bërë dhe bëni, në drejtim të zbatimit të politikave zhvillimore në tërësi të qeverisjes, në drejtim të zbatimit të ligjit dhe funksionimit të shtetit ligjor në prefekturat dhe nën-prefekturat tuaja.

Rroli juaj, është një rrol jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili duhet të ndjekë, duhet të drejtojë procesin e zhvillimit në bashkëpunim dhe partneritet të ngushtë luajal me qeveritë e zgjedhura vendore, të cilat janë dhe qeveritë direkte të qytetarit, qoftë këto bashki, komuna apo qarqe. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, që institucioni i prefektit  të jetë në lartësinë e duhur në kërkesat e mëdha që shtrohen. Fenomeni më i fuqishëm, më madhor apo ndoshta dhe ndryshimi më spektakolarë i këtyre 5 viteve të fundit ka qenë bumi turistik. Ne së bashku përjetuam një zhvillim të bujshëm të turizmit. Këtë vit Shqipëria do të ketë vizitorë më shumë se banor, pra ka një rritje krahasuar me vitin 2004, prej 12 herë. Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha që ti paraprijë me investime këtij zhvillimi të fuqishëm, në këtë kontekst ne, siç jeni në dijeni përfundojmë asfaltimin e të gjitha rrugëve,  nga akset kombëtare që zbresin buzë detit kanë ngelur shumë pak kilometra për të finalizuar, janë në përfundim e sipër rruga e Palasës, duhet të përfundoje rruga në Novoselë, është në ndërtim e sipër Gjilbashtova dhe përfundon në shtator, një segment shumë i shkurtër në Grem dhe faktikisht ne finalizojmë ndërtimin e të gjitha rrugëve nga akset kombëtare që zbresin drejt detit.  Ne po ecim gjithashtu me vendosmëri me infrastrukturë drejt zonave malore dhe zonave arkeologjike të vendit, të gjitha këto në funksion të turizmit. Ky fluks i madh që sjell në Shqipëri, këta miliona  e miliona vizitore, në këtë vend gjeografikisht të vogël duhet të kenë mundësi ta vizitojnë, të njihen me të sa më shumë dhe jo vetëm në ujërat dhe brigjet e tij, por me të gjithë pasuritë e tij të mëdha.

Në këtë kontekst krahas këtyre investimeve për infrastrukturën rrugorë do rritet dhe zgjerohet investimi në fushën e trashëgimisë kulturore dhe arkeologjisë. Qeveria do të përfshijë në këtë fushë me zë të veçantë për njësitë e qeverisjes vendore në fundin e zhvillimit të rajoneve. Pra, nuk do të aplikohet më vetëm për rrugë, ujësjellës dhe kanalizime, por do të aplikohet dhe për vend ndodhjet, qytezat, kështjellat e kohërave të shkuara. Të gjitha këto do të bëhen në një partneritet të ngushte më autoritetet vendore, më të cilat ju duhet të keni një dialog konstant, do të jenë autoritetet vendore në bashkëpunim me ju, që do të përcaktojnë përparësitë, cilat janë përparësitë e qarkut dhe ne në përputhje më to të adresojmë fondet.
Unë dua t’ju informoj ju, se ministritë kanë marrë porosi që në hartimin e buxhetit të vitit 2011 të përparësojnë çdo problematikë që lidhet më turizmin dhe ju zotërinj prefektë, në axhendën tuaj, çështjet e turizmit duhet të jenë çështjet më të para. Nuk mund të them, se nuk janë shfaqur dobësi,  në  këto dobësi pa diskutim që prefektët, nënprefektët kanë përgjegjësitë e tyre, përgjegjësi e cila do të nxirret, se ky është rregulli. Ne duhet të zbatojmë ligjet, ligjet ne i kemi të mira, por ligje jetime nuk ka dhe nuk mund të ketë. Prefekti disponon të gjithë pushtetin e ligjeve në prefekturën e tij, të gjithë autoritetin mbi institucionet e tjera të ekzekutivit, por me ligj ka autoritetin e kontrollit tërësor në territorin e prefekturës. 
Një çështje tjetër shumë të rëndësishme, që unë dua të sjell në vëmendjen tuaj, qëndrimin tuaj ndaj  mjedisit.  Çdo krim ndaj mjedisit është krim i pa tolerueshme dhe  duhet të marrë ndëshkimin e merituar ligjor.

Zotërinj prefekt, ky vend është në zhvillim të shpejtë. Ky vend do të zhvillohet, por asgjë nuk ka më jetike për një zhvillim të qëndrueshëm të tij, sesa mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit. Duhet ta keni një përparësi madhore këtë dhe nuk e keni deri më tani, nuk e keni bërë, duhet ta keni një përparësi madhore, sepse ne, duke ardhur nga një varfëri ekstreme, të gjithë jemi dëshmitar të saj, nuk kemi trashëguar vetëdijen e thelle për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit.  Këtë duhet ta krijojmë me shpejtësi.  Mjedisi është jeta dhe pas falimentimit të rrangallave të socializmit, industrive ndotëse dhe super ndotëse , Shqipëria ka shanset të zhvillohet si një nga vendet me mjedis më të mirë, më të ruajtur. Ne duhet të jemi më ambicioz dhe çdo gjë duhet ta shohim në raport më zhvillimin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Nuk mund të më thotë se ka qenë në lartësinë e duhur, prefekti  i bashkisë, në territorin e të cilit njerëzit kanë ikur nga zhurmat.  Ky është një bum turistik i pa parë, por ka pasur dhe ky problematikën e tij. Unë mora një aspekt dhe ne do ti qëndrojmë këtij aspekti me forcën më të madhe të ligjit, do të mbajmë qëndrime dhe do tua them këtu zotërinj duke filluar nga prefekti.  Nuk mund të bëjmë anti-reklamë dhe nuk mund të pranojmë një situatë tërësisht surrealiste, ndaj dhe çështjet e mjedisit të zhvillimit dhe mbrojtjes së tij duhet të jenë çështje parësore për ju.

Ju, duhet të jeni në komunikim të vazhdueshëm me Ministrin e Brendshme, me Kryeministrin me ministrat përkatës, për të gjithë problematikën. Ka një problem në këtë vend.  Realisht zhvillimi është shumë më i madh sesa ç’është psikologjia në tërësi. Po të bësh një anketë, ka rrezik që shumica të thotë se ky është vend i varfër, vendi është sipas të gjitha kritereve në nivelin e vendeve me të ardhura mesatare të larta, ky është vendi, kjo është merita e qytetarëve shqiptarë, kjo është merita e politikave të ndjekura nga kjo qeveri, e cila në 5 vite ia ka dalë të shënojë ndryshimet më të mëdha në historinë e këtij vendi. Ju jeni dëshmitar sot, të një sistemi rrugor më modern në rajon, që është ndërtuar dhe po ndërtohet.  Ju jeni dëshmitar sot, që ka një mjedisi për bizneset ndër më të mirët që mund të ekzistojnë, ju jeni dëshmitar sot, të një ndryshimi rrënjësor në fushën e arsimit, por në tërësi në fushën e qeverisjes. Shqipëria, e cila ishte tërësisht e zhytur në kënetën e korrupsionit, sot është vendi i parë në botë që kompletoi prokurimin elektronik, sot është vendi më shkallën më të lartë të privatizimit në Evropë.  Sot është vendi i vetëm që dy vitet e krizës së madhe ka rritur rrogat dhe pensionet, as dhe një  vend tjetër,  të tjerët i kanë ulur me 8 apo 10% , ne kemi bërë vetëm rritje, po pse i kemi bërë, sepse kemi pasur të ardhura, sepse biznesi dhe ekonomia shqiptare nuk ra në krizë, përkundrazi vjet shënoi rritjen më të lartë dhe sivjet do të ketë rritjen më të lartë të Evropës, në të gjitha aspektet, në rast se ne i referohemi prodhimit, nuk ka asnjë vend tjetër që të ketë rritje me 66% të eksporteve, treguesi më kryesor dhe më solid i prodhimit. Nuk ka asnjë vend tjetër që të ketë rritje dyshifrore në tregti dhe transport, siç ka Shqipëria. Pra Shqipëria, u klasifikua e 57 në botë si vendi ku jetohet më e mirë, por mos harroni se tetë vjet më parë ka qenë ferr i vërtet i varfërisë, skamjes dhe mjerimit. Shqipëria pra po behet një vend i mirë për banorët e saj dhe uroj dhe shpresoj që ata që u larguan nga Shqipëria për kafshatën e gojës të kthehen ne vendet e tyre. Emigracioni janë një pjesë parësore e këtij zhvillimi, është mundi dhe djersa e tyre, që kanë derdhur në vendet e tjera, që kanë kontribuar në mënyrë thelbësore në këtë zhvillim. Shqipëria është një nga vendet më tërheqëse e investimeve të huaja, pra kemi një stad të ri të zhvillimit të këtij vendi, duhet që ne të ngrihemi në nivelin e këtij stadi. Asgjë nuk mund të bëjmë ne, më të mirë për qytetarë shqiptarë sesa zbatimin e ligjeve .

Zotërinj prefektë, ligji në tërësinë e tij shpreh të drejtën dhe nuk ka asgjë më afër me të drejtën sesa ligji. Në një shoqëri demokratike ligjet janë gjuha e së drejtës, ato ne duhet ti zbatojmë me vendosmëri të madhe. Siç e dini dhe këtë mandat përparësia më madhore mbetet infrastruktura rrugore, uji, kanalizimet. Unë kërkoj nga ju që brenda dy javëve, të keni sjellë inventarin e plotë të të gjitha investimeve të  bëra në prefekturën tuja, në rrugë kombëtare dhe jo kombëtare, rurale dhe dytësore, ku do të jenë të përcaktuara kilometrat, fondi, koha e ndërtimit, koha e fillimit, koha e mbarimit të gjitha detajet. Po kështu për kanalizimet, për ujësjellësit, për shkollat dhe qendrat shëndetësore.  Në këtë inventar ne nxjerrim për të parë perspektivën çfarë ka mbetur, të mos harrojmë se në vitin 2005, një numër i madh i rretheve të këtij vendi në tërësi të zonës verilindore dhe juglindore, nuk kanë pasur qoftë dhe një kilometër rrugë të asfaltuar përveç  aksit kombëtar.  Kam shkuar para katër vitesh në Peqin, premë shiritin me deputetin e Peqinit dhe drejtuesit lokale, të rrugës së parë që po asfaltohej përveç  aksit kombëtarë në historinë e këtij rrethi, ka qenë Peshkopia e tillë, ka qenë Kukësi i tillë, ka qenë Gramshi, Përmeti , Tropoja, Kolonja, Librazhdi dhe shumë të tjera, tani kjo situatë nuk ekziston, kjo situatë është krejtësisht tjetër.

Kërkoj nga ju të evidentoni të gjitha qendrat, komunat, të cilat nuk kanë lidhje akoma me rrugë të asfaltuar me aksin kombëtar. Përfundimi i rrugëve që zbresin drejt detit pas përfundimit të tyre do të zëvendësohet me përfundimin e lidhjeve me rrugë të asfaltuara të të gjitha komunave të vendit me akset kombëtare rrugore, kjo do të jetë përparësia. Ne përpiqemi të bëjmë një shpërndarje sa më të arsyeshme të fondeve, por absolute do të jetë që çdo qendër komune do të lidhet me aksin kombëtar. Fondet do të kenë këtë përparësi për vitin që vjen, nuk mund ti lëmë disa të bekuar dhe disa të mallkuar, nuk mund ta bëjmë  këtë, do të bëjmë  që ta ndiejnë të gjithë zhvillimin e vendit të tyre.  Unë lëviz shumë në vend dhe di që ka ende komuna që nuk lidhen me rrugë të asfaltuar me aksin kombëtar, prandaj dhe ju do të bëni takimin në nivel qarku me kryetarët e bashkive dhe të komunave dhe kjo do të jetë përparësia e parë. Përparësi po kaq e madhe do te jetë problemi i pastrimit dhe ujit.  Më duhet  t’ju njoftoj se nga autoritetet vendore pa asnjë lloj dallimi politik janë larg lartësisë së duhur për sa i përket problemit të ujit dhe administrimit të tij dhe për sa i përket pastrimit.

I kam kërkuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme, që grandi që i adresohet qeverisjes vendore do të ketë zërin e parë ujësjellësit , pastrimi dhe pastaj të tjerat më radhë. Çfarë ka ndodhur, ne i kemi shumëfishuar grandet, zotërinjtë kanë raste e kanë konceptuar bashkinë apo komunën e vet si qendër punësimi, plehrat notojnë, ata punësojnë krushqira dhe farefisnira dhe kjo do të marrë fund, absolutisht nuk do të paguhet as edhe një rrogë e vetme nga kjo qeveri në asnjë komunë apo bashki pa zgjidhur çështjen e menaxhimit të ujit dhe çështjen e pastrimit të territorit. Ministria e turizmit ka marrë porosi të prera për të studiuar skemat më efiçente të ndërhyrjeve në zonat turistike, por kjo nuk do të jetë vetëm në zonat turistike, por për të gjitha zonat. Në qoftë se ti nuk krijon të ardhura shpall falimentimin, nuk ke si të mbahesh ti i falimentuar, deklaro që  unë nuk mund të jem komunë dhe merr qeveria përsipër të krijojë shërbimet aty, por me parazitizëm nuk mund të jesh . Të shndërrosh fondet që të jepen për pastrimin e territorit, në rroga dhe qelepir, kjo nuk mund të ndodhë dhe nuk do të ndodhë më.  Buxheti do të ketë organizim tjetër, më paratë e tyre ne nuk kemi asgjë, përkundrazi qeveritë vendore të majta dhe të djathta të çfarëdo ngjyre kanë tagrin ti administrojnë si pas të gjithë projekteve  që ata mendojnë. Me grandin e qeverisë jemi të detyruar të ndjekim problemet më jetike të qytetarëve dhe në ketë do të bëjmë këtë vit.  Ju kërkoj që të qëndroni në lartësinë e zbatimit të ligjit, këto janë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme . Theksova  se në fonde këtë vit do të përfshihen për herë të parë, që qeveritë vendore do të aplikojmë edhe për projektet e tyre për zhvillimin e zonave të tyre arkeologjike, historike etj.  Natyrisht, do të ketë një partneritet apo një oponencë për projektet që ato të jenë fizibël nga ministria e Kulturës, por tagrin për të aplikuar do ta kenë të gjitha njësitë e qeverisjes vendore. Pasuritë, trashëgimitë kulturore të këtij vendi janë përrallore, është në detyrimin tuaj, që të bëhet çdo përpjekje për promovimin e tyre, që të bëhet çdo përpjekje për restaurimin e tyre, që të bëhet çdo përpjekje për zbulimin e tyre, së shpejti me një skemë të re, ne do të angazhojmë në parqet arkeologjike kundrejt pagesës edhe persona ne ndihmë ekonomike, do ta trajnohen dhe do të paguhen mbi ndihmën me një sasi të caktuara. Por këto do të bëhen  çështje trajtimi shumë  të rëndësishme nga ju, ne po ecim me rrugë në drejtim të tyre, Drishtit, Antigonesë, Finiqit, Bylysit, do të ecim në të gjitha drejtimet dhe në zonat më të vështira në do të përpiqemi që ti kemi vende lehtësisht të vizitueshme.  Kjo është me interes të shumëfishtë në këtë aspekt dhe ju duhet të bëni të gjitha përpjekjet tuaja.

Zotërinj prefekt edhe njëherë duke shprehur vlerësimin për punën që ju keni bërë më duhet të them se, vlerësimi për ju do të jetë në raport me qëndrimin tuaj ndaj ligjit dhe këtyre problemeve shumë të rëndësishme, që unë ngrita këtu para jush, probleme të cilat unë ftoj ju, ftoj administratën qendrore të ngrihen në një lartësi të re, të zhvillojmë kapacitetet, të cilat koha i kërkon, është një dinamizëm i madh në vend.  Ne aty ku na mungojnë duhet të zhvillojmë me shpejtësi kapacitete në bashkëpunim me Komisionin Europian, me PNUD-in me donatorët e tjerë.  Ne do të adresojmë fonde në drejtim të qarqeve dhe prefekturave tuaja vetëm për zhvillimin e kapaciteteve, por ato mund ti zhvilloni ju qarqet, bashkitë, komunat, qeveria qendrore nuk mund të marrë rolet tuaja. Sot fatmirësisht janë me qindra vajza dhe djem me shkollat më të mira me profesionet më të duhura e rëndësishme është që ju të hapeni me konkurset dhe konkursi të funksionojë në mbarë vendin.


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek