Berisha : Reforma nė arsimin e lartė do konsultohet me grupet e interesit

Berisha : Reforma nė arsimin e lartė do konsultohet me grupet e interesit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në konferencën me temë “Reforma financiare e arsimit të lartë”, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në kuadër të programit “Cilësi dhe barazim në arsim”.

Së bashku me kryeministrin ishin të pranishëm në këtë aktivitet, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, zoti Myqerem Tafai, Ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, drejtues të universiteteve publike dhe private të vendit, ekspertë të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, si dhe përfaqësues të studentëve.

Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha u shpreh se kjo konferencë hap siparin e një debati të gjerë, për reformën më të rëndësishme, në paketën e të gjitha reformave që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren. Kryeministri u shpreh se është nevojë jetike që në fushën e arsimit të lartë të vendosen si objektiva, ato të vendeve të OECD, grupit të vendeve më të zhvilluara.

Kryeministri theksoi si një domosdoshmëri jetike,  zhvillimin e të gjitha kapaciteteve në fushën  e arsimit të lartë, si kushti i të gjitha kushteve për të formësuar me përgjegjësi të madhe, të ardhmen e vendit.  Në këtë kontekst, kryeministri kërkoi nga të gjitha  institucionet përkatëse,  që me seriozitetin dhe tolerancën më të madhe, të angazhohen në një debat të gjerë, për të vendosur një model të ri, në financimin dhe menaxhimin e arsimit të larte në Shqipëri.

Kryeministri nënvizoi ndër të tjera, se kjo reformë dhe ky diskutim duhet ti japë arsimit të lartë, së pari një autonomi të plotë. “Ju garantoj se qeveria është e vendosur tu japë ju me ligj dhe me të gjitha mënyrat autonominë më të madhe, të mundshme që ekziston në vendet më të zhvilluara. Liria akademike nuk mund të zhvillohet nuk mund të ndërtohet pa një autonomi të plotë.”, tha kryeministri.

Duke theksuar se autonomia nga qeveria është jetike, kryeministri vlerësoi se po kaq jetike, për universitetet është autonomia e njësive të tyre, e fakulteteve, kolegjeve, etj. “Një dimension të ri në këtë autonomi, ne duhet ti japm lirisë akademike në vend, u shpreh kryeministri.

Kryeministri theksoi nder te tjera, se vendosja e  një mekanizmi të ri financiar në arsimin e lartë, garanton të gjitha mundësitë për një liri të vërtetë akademike, dhe rritje të cilësisë.

Më gjerë, në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari dëshiroj tu përshëndes, të shpreh nderimin dhe vlerësimin tim,  për përpjekjet tuaja serioze në zhvillimin, e arsimit të lartë në vendin tonë.

Dua që në fillim të theksoj se ne sot hapim siparin e një debati të gjerë, të një reforme, e cila për nga rëndësia e saj nuk ka shoqe tjetër në paketën e të gjitha reformave që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren. Kjo reformë është jetike në shumë plane. Një komb në rrugën e tij është i detyruar të ndërtojë të ardhmen. Ky komb ka një histori shumë të shkurtër lirie. Të ardhmen e ndërtojnë vetëm kombet e lira. Të tjerat mbijetojnë dhe ne jemi dëshmia më e gjallë e kësaj . Në këtë kontekst, përpjekja jonë për të ardhmen është një përpjekje e shkurtër, çka do të thotë se koha që ne kemi humbur është e jashtëzakonshme. Ne kemi nevojë më shumë se çdo komb tjetër për “kuantum live” në shumë fusha, para së gjithash dhe mbi të gjitha, në arsimin e lartë.

Ne kemi nevojë jetike që në këtë fushë të vendosim si objektiv, vetëm objektivat e vendeve të OECD-së, grupit të vendeve më të zhvilluara. Ne kemi nevojë jetike të zhvillojmë të gjitha kapacitetet në fushën  e arsimit të lartë si kushti i të gjitha kushteve për të formësuar me përgjegjësi të madhe të ardhmen tonë. Asgjë, asnjë proces tjetër për një vend të lirë, nuk përcakton më shumë të ardhmen, se kjo fushë, pra arsimi I lartë.

Ndaj dhe jam sot këtu për tu bërë thirrje që me seriozitetin më të madh, tolerancën më të madhe të angazhohemi në një debat të gjerë, të paprecedent në historinë  e arsimit të lartë për të shënuar, për të vendosur një model të ri, në financimin dhe menaxhimin e arsimit të larte në Shqipëri.

Ne pesë vjet më parë kemi patur një arsim të lartë rudimentar, në të cilin në sasi ne ishim katër herë më larg, jo vetëm vendeve të OECD-se, por vendeve të BE.

Sot, ne po ecim drejt trefishimit të numrit të studentëve. Sërish nuk jemi në standardin e duhur. Mbretëria e Bashkuar me një popullatë shumë më të mplakur se Shqipëria, me një natalitet shumë më të ulët, ka një numër shumë më të lartë studentësh “per capita” se sa Shqipëria.  Ndaj dhe jemi përpjekur gjatë këtyre tre, katër viteve, për të sjellë një realitet të ri, në arsimin e lartë dhe sot ka një realitet të ri. Sot janë 70 % e maturantëve që hyjnë në universitet apo 75 % e tyre. Sot janë shtuar me dhjetëra e dhjetëra degë e programe, në universitetet e vendit, për tiu përshtatur tregut dhe kërkesave të tij.

Sot, universitetet kanë një bashkëpunim intensiv, si njëri me tjetrin ashtu dhe ndërkombëtar. Pra, në një hark kohor të shkurtër progresi është i prekshëm. Cilësia, e cila është përcaktuese në misionin e arsimit të lartë nuk mund të themi se është në nivelin e duhur.

Kjo reformë dhe ky diskutim duhet ti japë arsimit të lartë, së pari, një autonomi të plotë. Askush nuk duhet të mendojë se universitet mund të lumturohen nga qeveritë. E vetmja mënyrë e lumturimit të tyre nga qeveritë është që ato të kenë autonominë më të madhe nga qeveritë dhe unë ju garantoj se qeveria është e vendosur tu japë ju me ligj dhe me të gjitha mënyrat, autonominë më të madhe, të mundshme, që ekziston në vendet më të zhvilluara. Liria akademike nuk mund të zhvillohet, nuk mund të ndërtohet pa një autonomi të plotë. Natyrisht, në këtë kontekst është i domosdoshëm të zhvillohet siç duhet ky koncept. Në rast se autonomia nga qeveria është jetike, po kaq jetike nga universitet është autonomia e njësive të tyre, të fakulteteve e kolegjeve, pra një dimension të ri, në këtë autonomi, ne duhet ti japm lirisë akademike në vend.

Gjatë gjithë këtyre viteve jam përpjekur të ndjek dhe kam ndjekur zhvillimet dhe jam befasuar me shkallën e centralizimit të papranueshëm qoftë qendror, qoftë dhe brenda universiteteve, të cilat janë tërësisht reminishenca tiranike, për lirinë akademike. Nuk mund të kuptohet, që rektorati të vlerësojë projektet e studimeve, më mirë se dekanati, e jo më ministria. Në qoftë se dekanati nuk ka kapacitetet intelektuale, shkencore, për të vlerësuar një projekt dhe për të qenë avokati më i shkëlqyer i këtij projekti, atëherë kush tjetër mund të jetë? Ndaj  dhe autonominë duhet ta shohim me seriozitetin më të madh. Lirinë akademike duhet ta vlerësojmë dhe të bëjmë çdo gjë për ti dhënë hapësirën që duhet. Nuk ka cilësi, pa menaxhim. Dhe në qoftë se do të thonë,kemi menaxherë të mirë, ne studiuesit, kërkuesit,  duhet ta pyesim veten mirë. Kjo është e vështirë të besohet, por kjo nuk na zhvlerëson aspak ne, përkundrazi, akademizmi, kërkimi, zhvillimi është pasioni ynë kryesor. Detyra jonë është të zhvillojmë në institucionet tona kapacitet manaxheriale dhe asgjë nuk e përcakton cilësinë, në këtë realitet, më shumë se sa zhvillimi dhe konsolidimi i kapaciteteve manaxheriale.

Zotërinj rektorë, pedagogë, dekanë, në shkencë dhe në çdo gjë modeli që nuk funksionon duhet hedhur, duhet patur kurajo, për të rendur pas modelit tjetër, përndryshe vetëm sa thellon dështimin.

Ndaj dhe ne duhet të vendosim një mekanizëm të ri financiar , i cili ju garanton ju, mundësitë për një liri të vërtetë akademike, tu garantojë ju të gjithë mundësitë të ecni në funksion të cilësisë. Nuk është çështja se ky është publik dhe ky është privat. Mos harroni se 80 % e prodhimit në këtë vend është e sektorit privat. Mos harroni  se sektori privat është dhjetëra herë më i fuqishëm se sektori publik. Sot është çështja për tu përshtatur me nje realitet të ri që nuk ka ekzistuar 20 vjet më parë, që bëhet gjithnjë e më i fuqishëm çdo vit. Nuk mundet që bota akademike të qëndrojë indifferent ndaj tij, përkundrazi ne duhet të bëjmë çdo gjë që ti përshtatemi këtij realiteti. Vendi, që udhëheq sot botën në shkencë, SHBA-të kanë mbi dyfishin e investimit në shkencë, krahasuar me BE dhe këtë e kanë sepse 2/3 e këtij investimi dhe të këtyre fondeve i marrin nga sektori privat. Ndaj dhe ne çështjen e qëndrimit ndaj sektorit privat duhet ta kemi çështje të qëndrimit ndaj një realiteti të ri, më të fuqishmin që ekziston në vend.

Disa ndryshime në ligje janë bërë. Qeveria është e vendosur të bëjë çdo ndryshim të nevojshëm, por jetike është menaxhimi. Tek bisedoja me një specialist të shquar të kësaj fushe lidhur me këtë pikë, konkluzioni është se ne nuk kemi alternativë tjetër. Pavarësisht nga niveli aktual i aftësive menaxhuese tona, ne duhet të rendim drejt një modeli të ri, me të cilin ne duhet të zhvillojmë dhe aftësitë menaxhuese të shkollave tona të larta.

Një material i ri është paraqitur. Është në interesin dhe detyrën tuaj ta bëni këtë objekt diskutimi, në të gjitha departamentet, në të gjitha degët. Reformat për definicion nuk janë të pëlqyeshme. Edhe ato që janë më të ëmbla, asnjëherë nuk shihen si të tilla. Një nga shkaqet më kryesore të qëndrimit hezitant ndaj tyre qëndron në faktin se ato janë objekt diskutimi i dhomave të mbyllura apo i këtyre sallave, në një kohë kur ato duhet të jetë objekt diskutimi i të gjithë trupës akademike të vendit, fakulteteve , departamenteve, degëve dhe në një kohë të përshtatshme të vendosni së bashku, për një mekanizëm të ri, i cili në asnjë mënyrë nuk është qëllim në vetvete, i cili ka synim kryesor cilësinë  dhe vetëm rritjen e cilësisë në universitetet tona.  Dhe duhet të jetë në funksion të saj. Nuk është çështja këtu për të shpallur preference, është çështja  për të vendosur një model, i cili bën të mundur që arsimi i lartë në Shqipëri të përmbushë misionin e tij në formësimin e të ardhmes së këtij vendi.

Unë kam shumë besim tek ju. Unë ju garantoj ju, edhe njëherë se për qeverinë time, kjo reformë është reforma më e rëndësishme. Këtë reformë sigurisht do ta kompletojmë bashkërisht me frymën e një diskutimi të gjerë, të një mirëkuptimi të madh dhe të një guximi të vërtetë.

Reformat janë guxim. Nuk duhet të harrojmë se për definicion bota akademike ka dhe konservatorizmin  e saj. Misionin e ka tjetër, e ka patur,ndaj dhe le të punojmë së bashku që siç kemi arritur një ndryshim të lartë sasior, por edhe cilësor, tani të përqendrohemi me të gjitha energjitë tona, për një cilësi të re, më të lartë në arsimin universitar të Shqipërisë


ShtypiDites
English Italiano Deutsch Russian Türk Greek