Kryeministri Berisha priti sot Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Italisë z. Antonio Manganelli dhe delegacionin që e shoqëronte.
Duke i uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Manganelli për ndihmën e jashtëzakonshme që qeveria italiane, policia italiane dhe agjencitë e tjera i kanë dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat, por veçanërisht në fushën e rendit publik, forcimit të ligjit dhe në luftën kundër kriminalitetit. Kjo ndihmë për ne, - u shpreh Kryeministri, - është e një rëndësie madhore.
Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë progres të madh, duke bërë të mundur shkatërrimin e grupeve dhe organizatave të mëdha kriminale, të cilat bënin ligjin në disa zona në Shqipëri. Kryeministri u shpreh se policia shqiptare, duke investiguar bashkërisht me policinë italiane dhe në saj të ndihmës teknike të marrë prej saj, ka bërë të mundur të çojnë drejt suksesit një numër të madh operacionesh. Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu vlerësime edhe për punën e Interforce, e cila ka dhënë një ndihmesë shumë eficente.
Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, të cilin e vlerësoi si një moment historik, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për ndihmën dhe mbështetjen e Italisë, e cila ka qenë avokatja e sukseseve të Shqipërisë në këtë proces.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Italisë z. Antonio Manganelli, pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, u shpreh se kjo vizitë konfirmon miqësinë, jo vetëm midis dy vendeve, por edhe midis forcave të policisë së të dy vendeve. Më tej, z. Manganelli shprehu vlerësim për zhvillimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë, të cilin nuk e ka hasur në vendet e tjera, si dhe për profesionalizmin, shpirtin e bashkëpunimit dhe kompetencën që ka fituar në këto vite policia shqiptare.
Zoti Manganelli theksoi se po punohet bashkërisht, me skuadra të përbashkëta, në luftën kundër kriminalitetit, kapjes së të kërkuarve, por dhe në kuadër të ligjit të ri të miratuar nga qeveria shqiptare mbi konfiskimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale. Ai u shpreh se konfiskimi i aseteve kriminale është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe ky do të jetë një tjetër sektor suksesi.
Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha u shpreh se konfiskimi i aseteve kriminale është vitale, por po aq e rëndësishme është edhe lufta kundër pastrimit të parave. Kryeministri theksoi se ne po punojmë me vendosmëri në këtë drejtim , por një luftë e përbashkët ndaj këtij fenomeni është shumë e rëndësishme për t’i hequr çdo mundësi gupeve kriminale për pastrimin e parave.
Duke folur për Moratoriumin për skafet, Kryeministri u shpreh se ky ligj do të vazhdojë të mbetet në fuqi dhe se kjo industri e mafies meriton të bllokohet.
Në takim, bashkëbiseduesit shprehën vullnetin për të firmosur marrëveshje të tjera, si në mbrojtjen e dëshmitarëve edhe në fushën e shkëmbimit të informacionit në kufijtë midis dy vendeve, për të bërë të mundur një luftë akoma më eficente kundër kriminalitetit.
| Tiranë | 7 | °C | |
| Prishtinë | -3 | °C | |
| Ulqin | -2 | °C | |
| Shkup | -3 | °C |
| BLIHET | SHITET | |
| EUR | 136.20 | 142.03 |
| USD | 102.75 | 107.15 |
| GPB | 162.09 | 169.03 |
| CHF | 112.60 | 117.42 |